DOKUMENTI SEKRET/ “Në Shijak kemi elementin anti-parti, Ernest Jakova. Me anë të ‘Drini’-t, të shikohet nëse Xhaviti…”- Përgjimet nga Dega e Brendshme e Durrësit, janar ‘87

Jan 13, 2022 | 7:28
SHPËRNDAJE

IMG-20220112-WA0027-750x375Dashnor Kaloçi

Pjesa e pesëdhjetë e dy

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Dokumenti sekret me planin e masave agjenturoro-operative për ndjekjen dhe survejimin e të internuarit Xhavit Qesja, i hartuar nga Punëtori Operativ Arben Mitre dhe i miratuar nga zv / Kryetari i Degës Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit

 MIRATOHET                                                                                             “Sekret”

Zv/Kryetari i Degës Punëve Brendshme                                         Ekzemplarë i vetëm

   BAJRAM PELO                                                                               Durrës, më 20/1/1987

                                                                   PLAN – MASASH

 AGJENTORORO-OPERATIVE NË DREJTIM TË OBJEKTIT ANTI PARTI, XHAVIT QESJA

Në qytetin e Shijakut, ka ardhur me masë internimi për 5 vjet kohë, objekti Xhavit Qesja, i cili është në përpunim aktiv 2/A, si element anti-parti. Për kontrollin sa më të mirë të tij nga ana jonë, do të mirren këto masa:

  1. Në bashkëpunim me Degën e 5 të M.P. Brendshme, si dhe të sektorit të T.O. në D. P. Brendshme Durrës, të bëhet pisja e banesës së objektit Xhavit Qesja, me T.O. stacionare.

Kryen: P.Op. A. Mitre e G. Bejko, deri me datë 15.3.1987

Kontrollon: Zv/Kryetari D. P. Brendshme, Bajram Pelo.

  1. Të nxirren të gjitha lidhjet shoqërore që dalin nga studimi i dosjes të evidentohen dhe të bashkëpunohet me rrethet përkatëse, për të parë dhe studiuar se mos ndonjëri prej tyre, është bashkëpunëtor i O.S.SH. dhe sipas mundësisë, për ta aktivizuar tek Xhavit Qesja.

Kryen: P. Op. Arben Mitre, deri më datën 30.12.1987

Kontrollon: Zv/Kryetari D. P. Brendshme, Bajram Pelo.

  1. Të studiohen dhe të evidentohen të gjitha lidhjet familjare dhe shoqërore që ka Xhavit Qesja në Durrës, të shikohet nëse kemi ndonjë bashkëpunëtor prej tyre, për ta aktivizuar tek Xhaviti.

Kryen: P. Op. Arben Mitre, deri më datën 30.50.1987

Kontrollon: Shefi sek. Qerim Rexha.

  1. Në qytetin e Shijakut kemi objektin 2/A që ndiqet si anti parti, Ernest Jakova. Me anën e ish – B.p. “Drini”, të verifikohet në se Xhaviti ka shoqëri me të, nëse i afrohen njëri tjetrit, a kanë njohje.

Kryen: P. Op. Arben Mitre, deri me datën 30.7.1987

Kontrollon: Shefi sek. Qerim Rexha.

  1. Të studiohet agjentura ekzistuese si dhe ajo e përjashtuar në Shijak, për të parë nëse kemi ndonjë prej tyre që mund të njihet me Xhavit Qesen, nga ana tjetër të shikohet se meqenëse në qytetin e Shijakut kemi shumë familje që janë me origjinë nga Kruja, kush prej tyre mund të jetë lidhje fisnore apo shoqërore, si dhe njohje familjare, kjo me pikësynim për të studiuar dhe tërhequr në bashkëpunim në drejtim të tij, një kandidat për bashkëpunëtor me organet tona.

Kryen: P.Op. Arben Mitre, deri me datën 30.9.01987

Kontrollon: Shefi sek. Qerim Rexha.

  1. Sa herë që Xhaviti do të dërgohet me leje në qytetin e Durrësit apo jashtë tij, nga ana jonë do të organizohet marrja në vëzhgim të tij, për të fiksuar lidhjet me interes operativ që ka ai.

Kryen: P. Op. në vazhdimësi

Kontrollon: Shefi seksionit, Qerim Rexha.

Analiza e këtij plani, do të bëhet me 30.12.1987

 PUNËTORI OPERATIV                                                   SHEFI SEKSIONIT FSHATIT

 ARBEN MITRE                                                                   QERIM REXHA

Dokumenti sekret i Punëtorëve Operativ, Arben Mitre dhe Gëzim Bejko, i miratuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Zef Loka, për ndjekjen dhe survejimin e të internuarit Xhavit Qesja

 MIRATOHET                                                                                            “Sekret”

KRYETARI DEGËS PUNËVE BRENDSHME                                        Ekzemplarë Nr.

ZEF LOKA                                                                                     Durrës më 20.1.1987

                                                          PLAN-KOMBINACIONI

PËR DËGJIMIN ME MJETET E T.O. TË OBJEKTIT 2/A XHAVIT QESJA ME TAKUESIT E TIJ

Me datën 20.1.1987 në qytetin e Shijakut do të vijë objekti 2/A Xhavit Qesja, i cili ndiqet si element anti-Parti, me masë internimi me 5 vjet kohë.

Banesa ku do të vendoset objekti është i pajisur me T.O. A.R. stacionare nga ana e P.Op. të Degës V-të. Përgjimi i objektit do të vazhdojë nga data 20, deri me datën 26 shkurt, ku do të fiksohen bisedat që objekti i Xhavit Qesja do të zhvillojë me takuesit.

Si pikë kontrolli do të shërbejë banesa e qytetarit Kadri M……., i cili është njeri i besuar, gëzon garancitë dhe prej ku sigurohet një dëgjim i mirë.

Në pikë do të qëndrojë P.Op. i T.O., Gëzim Bejko dhe P.Op. Arben Mitre, i cili ndjek përpunimin.

 PUNËTORI OPERATIV                                                    PUNËTORI OPERATIV T.O.

    ARBEN MITRE                                                                   GËZIM BEJKO

 

SHEF SEKSIONIT FSHAT                                                 ZV/KRYETARI D.P. BRENDSHME

QERIM REXHA                                                                       BAJRAM PELO 

 

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Gëzim Bejko, lidhur me zbardhjen e përgjimeve të Teknikës Operative që i janë bërë të internuarit Xhavit Qesja, në shtëpinë e tij në qytetin e Shijakut

 DEGA PUNËVE TË BRENDSHME                                                  “Sekret”

   DURRËS                                                                            Ekzemplarë i vetëm

    Vr.3                                                                                 Durrës më 26.1.1987

                                                      INFORMACION I T.O.

MBI BISEDAT E ZHVILLUARA MIDIS OBJEKTIT XHAVIT QESJA E VIZITORËVE QË KANË VAJTUR NË BANESËN E TIJ NGA DATA 20.1.1987 DERI MË 26.1.87

Më datën 20.1.1987 rreth orës 19 në banesën e objektit Xhavit Qesja, ndodhen rreth pesë persona:

Objekti, nëna e objektit, një grua (gruaja e Besimit, Besimi dhe një burrë tjetër ,që e prezantojnë “Dhëndri”.

Personat zhvillojnë biseda të ndryshme të karakterit familjar, bëjnë fjalë për fëmijët, kopshtet, edukatorët. Për ndërtimet e prishjet godinave të vjetra në qytetin e Durrësit.

Objekti pasi flet për organizimin e shkollës fillore, të gjimnazit, etj., në kohën kur ka qenë nxënës vetë, se në shkollë ka mësuar frëngjisht e italisht etj.

Në biseda të ndryshme bëhet fjalë për një të quajtur Drita, por që nuk ka ardhur të takojë objektin. Ajo ka dy djem.

Rreth orës 19.45, largohet “Dhëndri” dhe një grua. Në vazhdim personat që vijnë në dhomë, bëjnë fjalë për orën se kur ikën autobusi, si dhe rregullojnë ambientet për të fjetur, si dhe thonë se cilët do të flenë aty etj.

Pastaj personat largohen dhe në banesë qëndrojnë dhe flenë, objekti, nëna e tij si dhe gruaja e Besimit.

Më datë 21.1.1987 rreth orës 11.15, vjen një person me një fëmijë. Personi zhvillon bisedë me objektin, shprehin temën për shëndetin, ushqimin, etj. Objekti i flet për organizimin e funksionimin e dyqanit të burgut, etj.

“Tani je mire”, i thotë gruaja e Besimit, plakës.

Plaka përgjigjet: “Shyqyr që jam gjallë”!

Objekti bën fjalë se ka qenë i sëmurë në burg. Një burrë thotë: “U ka gjallëruar daja”. Një grua pas bisedash pa interes, thotë: “Ka me më rrah Drita, do të më bëjë për një lek, që nuk e kam njoftuar”. Në vazhdim zhvillojnë biseda familjare.

Një grua i thotë plakës: “Shyqyr që erdhi shëndosh djali”. Bëjnë fjalë përse i kanë prurë dajës (objektit), fruta të ndryshme, si rrush, mandarina, portokalle, si dhe mish, pula etj.

Pasi flasin për shëndetin e për mjekimet, një grua thotë se; burri i Dritës merret me këto punë, është si punë doktori. Në vazhdim, zhvillohen biseda të ndryshme familjare, për fëmijët, etj.

Gruaja largohet rreth orës  11.55, me pretekst se do të iki në punë.

Mbas bisedash të tjera pa interes, disa persona largohen, objekti – Ju mos e leni dajën vetëm.

Gruaja – Jo, jo nuk e lemë dajën vetëm, Dajës do t’i vijmë. Dajës nuk ja ha qeni shkopin.

Më datë 22.1.1987, në dhomë merren me rregullimin e disa librave. Në biseda duket si maniak mbas librave, do t’i rregullojë e ti sistemojë mirë.

Mbasi ikën një grua, i thotë: Për ditë këtu na ke. Do të vijë edhe Drita vetë. Ajo është si e tërbum.

-Jo me qa, jo me qa, unë prekem më shumë se ty, por jam bërë e fortë, thotë plaka. Do të qeshim e do të qajmë.

(Pasi bëjmë biseda pa interes dhe disa persona largohen, në dhomë mbeten objekti e ëma dhe gruaja e Besimit.————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————

Më datë 23.1.1987.

Për vizitë ka ardhur Besimi dhe disa gra, zhvillojnë bisedën gjatë, por pa interes operativ. Në një moment plaka qan. Një grua e ngushëllon, duke i thënë se shyqyr që të erdhi shëndosh Xhaviti…!

Në banesë është dhe një burrë i moshuar, komshi i objektit. Zhvillohen gjatë biseda pa interes operativ.

Më datë 24.1.1987

Në bisedë marrin pjesë shumë persona. Ndihet vetëm biseda e grave. Njëra nga gratë thotë: “Gjyshi është respektu përherë”. Në vazhdim, një burrë prezantohet: Unë punoj në anije, ku bëhen anijet, kurse ky është kuadro.

Objekti i përgjigjet: “Punëtor, shumë mirë punëtor”.

Pasi zhvillojnë biseda pa interes, si për sëmundjet etj. Personat largohen. Në banesë vinë objekti, nëna e tij si dhe gruaja e Besimit, që zhvillojnë biseda pa interes operativ. Objekti gjatë gjithë kohës flet shumë pak dhe mezi dëgjohet. Të krijohet përshtypja nga zëri që dëgjon, sikur lëngon në shtrat.

Më datë 28.1.1987

Për vizitë kanë ardhur shumë persona, mundet të jenë nga Kruja. Në dhomë mund të ketë rreth 10 vetë, pasi hanë dhe drekë, largohen.

Personat zhvillohen biseda pa interes operativ, bëjnë fjalë për shëndetin e tyre, për fëmijët, si dhe biseda të tjera të karakterit spontan.

Rreth orës 10.30, një burrë i porsa ardhur, i sjell të fala nga një e quajtur Xhite e Kimetie. Në një moment, futet vëllai i komshiut, i cili i thotë se për çdo gjë që të kenë nevojë, ti thonë pa ndrojtje.

Në vazhdim bëjnë biseda për ujin, për ushqimet që duhet të hanë, për dietën që duhet të mbajnë. Bëjnë fjalë për Shaqirin etj.

Në vazhdim, të bisedës marrin pjesë dhe dy gra, bile njëra thotë se; krushka të ka çuar tre kilogram mish viçi.

Bisedat më tej zhvillohen pa interes operativ. Memorie.al

             Punëtori Operativ i T.O.

                   Gëzim Bejko

© Panorama.al

Te lidhura