Dokumenti sekret/ “Ja emrat e policëve të lidhur me krimin”

May 6, 2016 | 12:22
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një dokument sekret që tregon për lidhjet e Emiljano Shullazit dhe personave të tjerë të botës së krimit me Policinë e Shtetit.Basha-Opinion

“Situata e krimit është jashtëzakonisht e rëndë dhe përgjegjës kryesor është Edi Rama”, tha Basha.

Kërkesës së gazetarit Blendi Fevziu për t’i dorëzuar dokumentin Basha iu përgjigj: “Nuk mund ta marrësh sepse ka të dhënë sensitive”.

Duke iu referuar dokumentit që disponon, Basha përmendi emrat e disa funksionarëve të Policisë (Gëzim Zhupo, Jani Qëndro dhe Engjëllush Avdyli) që sipas tij janë të lidhur me krimin.

Lideri i opozitës gjithashtu denoncoi dhe rastin e ndalimit të 40 kamionë me pleh organik të vëllezërve Habilaj.

Basha tha se, më 24 prill kamionët janë ndaluar nga Policia në Lushnje dhe kishin si destiancion Vlorën duke bërë të ditur se do të përdorej për kultivimin e kanabisit.

“Asnjë deputet nuk e ka të sigurt emrin në listën e kandidatëve”

Lista e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike do të përzgjidhet përmes një debati publik.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, bëri të ditur se 49 kandidatë do të përzgjidhen nga qytetarët.

“49 kandidatë për deputetë do t’i përzgjedhin qytetarët. Do të sjellë risi që tejkalon standardin evropian dhe përqafon atë amerikan”, tha ai.

Në këtë drejtim, ia shtoi se asnjë deputet aktual nuk e ka vendin e sigurt në listë.

Basha më parë ka deklaruar se do të ketë zgjedhje primare brenda partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

“PD do të mbajë qëndrim për Reformën në Drejtësi brenda javës”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i pyetur për Reformën në Drejtësi gjatë intervistës në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut tha se, opozita do të shprehë qëndrimin e saj brenda kësaj jave.

Nga ana tjetër, Basha theksoi se PD është e gatshme që të votojë çdo draft që është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Do të votoj çdo draft për Reformën në Drejtësi që është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Do të kemi gati opinionin tonë brenda ditës së shtunë”, tha kreu i PD-së.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës nënvizoi se është mazhoranca ajo që po zvarit prej dy vitesh këtë reformë. Pavarësisht kësaj, Basha tha se nëse ka vullnet reforma mund të miratohet brenda muajit korrik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura