Dokumenti sekret i takimit të delegacionit ushtarak, Ministri Balluku: Pa nënvizuar Greqinë dhe Italinë, partia jonë shikon si rrezik eminent, krahun verior të Shqipërisë ku…

Oct 26, 2021 | 7:53
SHPËRNDAJE

memoroie

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisjonit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët!

Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silurë për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisie dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportueseve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

 Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës

Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESINE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.

TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972

Fjalimi i ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, në takimin me delegacionit ushtarak kinez, të kryesuar nga Jeh Çen Ji

         Të dashur shokë

Kam kënaqësinë, që në emër të Partisë së Punës së Shqipërisë, të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, të Ushtrisë sonë Popullore, dhe në emrin personal të udhëheqësit dhe mësuesit të partisë dhe popullit tonë, shokut Enver Hoxha, në këtë takim të parë pune këtu në Pekin, në gjirin e popullit vëlla kinez, në gjirin e shokëve dhe bashkëluftëtarëve të çështjes sonë të përbashkët, të përshëndes nxehtësisht Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Kineze, dhe udhëheqësin e saj të madh shokun Mao Ce Dun, Këshillin e Shtetit të Republikës Popullore të Kinës dhe shokun Çu En Lai, Ushtrinë Popullore Çlirimtare Kineze dhe shokun Jeh Çen Ji, dhe i falenderoj nga zemra që na dhanë mundësinë të vizitojmë, si delegacion ushtarak Kinën e madhe Popullore. Në këtë vizitë ne, do të njihemi nga afër me sukseset e mëdha të masave punonjëse dhe të ushtrisë motër popullore çlirimtare kineze, që marshojnë përpara me vendosmëri për realizimin në jetë të vijës së drejtë të partisë, dhe të ideve të mëdha marksiste-leniniste të kryetarit Mao.

Fitoret historike të R.P. të Kinës, që nga themelimi i saj, duke përfshirë dhe periudhën historike të luftës së armatosur popullore dhe ndërtimin me sukses të socializmit në Kinën e madhe, janë rezultat i vitalitetit dhe i drejtësisë së vijës së partisë heroike komuniste kineze, e të ideve të kryetarit Mao Ce Dun, i cili me gjenialitetin e tij marksist-leninist, e ka udhëhequr, po e udhëheq, dhe do ta udhëheq, partinë dhe popullin kinez, drejt fitoreve të reja të triumfit të socializmit dhe komunizmit në Kinë. Ne shokë, na gëzon e na frymëzon pa masë fakti se në të gjitha periudhat historike, si në atë të luftës së armatosur për çlirimin e Kinës, po ashtu dhe në atë të ndërtimit socialist të vendit, ushtria popullore çlirimtare kineze, e krijuar, e edukuar, dhe e udhëhequr, nga partia dhe shoku Mao Ce Dun ka demonstruar e po demostron veti të larta të pjekurisë ideologjike e politike. Ajo kurdoherë, është gjendur në të njëjtat pozita me partinë dhe masat punonjëse për realizimin dhe mbrojtjen e vijës së partisë dhe ideve marksiste-leniniste të shokut Mao Ce Dun.

Këto veti e virtyte të larta të ushtrisë heroike popullore çlirimtare kineze, u shprehën qartë gjatë revolucionit të madh kulturor dhe proletar të shpërthyer dhe të udhëhequr personalisht nga kryetari Mao. Ajo, është krahu i armatosur i partisë, dhe armë e mprehtë e diktaturës së proletariatit në Kinë. Kina e madhe popullore, sot është një kollos i vërtetë socialist, një kështjellë e pamposhtur e luftës imperializmit dhe revizionizmit, dhe një bazë e sigurt e besnike e mbështetjes së revolucionit dhe e lirisë së popujve për të drejtat e tyre. Ne shokë, duke ardhur si delegacion ushtarak i miqësisë në R.P. të Kinës, e ndiejmë thellë përgjegjësinë ndaj Partisë dhe popullit tone, që ta kryejmë me faqe të bardhë këtë mision fisnik, i cili me siguri do të kontribuojë në forcimin dhe çelikosjen e mëtejshme të miqësisë dhe bashkëpunimit luftarak midis dy popujve, partive, dhe ushtrive tona. Vizitat reciproke të delegacioneve ushtarake të të dy vendeve tona, kanë dhënë dhe do japin një kontribut të çmueshëm në çelikosjen e miqësisë sonë të madhe revolucionare, si dhe në shkëmbimin e eksperiencës së grumbulluar nga të dyja ushtritë tona motra.

Miqësia dhe bashkëpunimi ynë, e bazuar në parimet e internacionalizmit proletar në mes të popujve, të partive, e të ushtrive tona, nuk njeh precedent për gjerësinë, pasi objektivat dhe qëllimet e përbashkëta dhe ndjenjat e thella të sinqeritetit vëllazëror që e përshkojnë atë. Kjo miqësi e ky bashkëpunim, i ka rezistuar provave e furtunave më të mëdha dhe me siguri do të rrojnë ndër shekuj, sepse atë e kanë kalitur e çelikosur dy partitë tona marksiste-leniniste, dhe dy udhëheqësit tanë të mëdhenj Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha. Ne, jemi të bindur të dashur shokë se me ndihmën tuaj, do të mund të kryejmë me sukses detyrën që na ka ngarkuar partia dhe shoku Enver. Në këtë takim pune, ne dëshirojmë në radhë të parë të falenderojmë Partinë dhe shokun Mao Ce Dun, Këshillin e Shtetit dhe shokun Çu En Lai, për ndihmat e pakursyera dhe vëllazërore që i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë, për ngritjen e ekonomisë dhe kulturës në Shqipëri. Gjithashtu ne, falenderojmë për ndihmën e madhe që i është dhënë dhe i jepet, Forcave tona të Armatosura, nga Partia, Këshilli i Shtetit, dhe Ushtria Popullore Çlirimtare kineze. Këto ndihma, e kanë forcuar në mënyrë të pakrahasueshme me të kaluarën mbrojtjen tonë, dhe për këtë gjë ju falenderojmë përzemërsisht.

Sukseset që ne kemi arritur deri më sot për forcimin e mbrojtjes sonë, si në fushën e përgatitjes politiko-ushtarake ashtu dhe në konsolidimin e organizimin të përgatitjes operative të terrenit, nuk na e ngrenë mendjen sepse ne, kemi mjaft dobësi dhe të meta në punën tonë të cilën, në të ardhmen duhet ta përmirësojmë e ta kualifikojmë më tej. Është e ligjshme, se mbrojtja e çdo vendi veçanërisht vendit tonë të vogël, të rrethuar gjeografikisht, duhet të forcohet e të konsolidohet vazhdimisht në aspektin politik, ekonomik, ushtarak, ideologjik, e organizativ, me qëllim që ajo të jetë në gjendje që në çdo kohë, dhe në çdo situatë, të veprojë në mënyrë të shpejtë e me disiplinë të hekurt proletare për të përballuar rrezikun që i kanoset. Konjukturat politike të sotme, në thelb nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë qëllimet e armiqve tanë ndaj vendit tonë. Dihet se pozicioni gjeografik i Shqipërisë, ndodhet në një zonë ku kryqëzohen dhe veprimtaria e ethshme e dy pakteve agresive e NATO-s dhe e Traktatit të Varshavës. Shtetet që rrethojnë vendin tonë, kanë qëllime shoviniste e aneksioniste, dhe janë anëtarë aktivë të këtyre pakteve. Në perëndim të Shqipërisë, ndodhet Italia, e cila aspiron që të zotërojë ultësirën bregdetare të vendit tonë.

Dihet se bazat ushtarako-detare të Italisë, që janë edhe bazat e Flotës së 6 të SHBA-së, ndodhen vetëm 100 milje larg bregdetit shqiptar. Italia në të kaluarën, ka kryer dy agresione me motive të ndryshme kundër Shqipërisë. Marrëdhëniet tona diplomatike me shtetin italian, janë marrëdhënie konjukturale. Është e njohur se sot në Itali, po zhvillohet me vrull procesi i fashistizimit. Të gjitha këto të marra së bashku, na imponojnë vigjilencë e gatishmëri të lartë luftarake në këtë drejtim të rëndësishëm. Në jug dhe juglindje të Shqipërisë, ndodhet Greqia e cila udhëhiqet nga klika fashiste e kolonelëve. Marrëdhëniet tona me Greqinë, që deri dje ishin të ndera dhe në gjendje lufte, janë elementë konjuktural të cilat nuk kanë ndryshuar dhe nuk do ndryshojnë aspak qëllimet shoviniste dhe pretendimet territoriale e aneksioniste të shtetit grek, kundër vendit tonë. Çështja e Greqisë për partinë tonë, mbetet kurdoherë një çështje e rrezikshme jo vetëm sepse ajo është një shtet aktiv anëtar i NATO-s, dhe një bazë e rëndësishme e Flotës së 6 të SHBA-ës, por sepse klikat udhëheqëse të Greqisë në qëllimet e tyre ndaj Shqipërisë, janë udhëhequr dhe udhëhiqen kurdoherë nga ideja e copëtimit të saj. Në rast agresioni kundër vendit tonë, në gjirin e NATO-s ndërmjet Italisë dhe Greqisë, do lindin kontradikta për ndarjen dhe copëtimin e zonave të Shqipërisë. Pra dhe ndaj qëllimeve të klikave shoviniste greke, kërkohet vigjilencë dhe gatishmëri luftarake.

Në veri të Shqipërisë, ndodhet Jugosllavia e cila, me tradhtinë e klikës titiste ka përbërë dhe përbën një rrezik serioz për vendin tonë. Partia jonë, që kur filloi luftën kundër titizmit parashikoi mbrojtjen e atdheut tonë socialist dhe lëvizjen komuniste punëtore ndërkombëtare. Partia jonë, demaskoi hapur rreziqet e titizmit e të hrushovizmit dhe tani këto të dyja, janë demaskuar plotësisht. Dhe të gjitha sa janë thënë nga partia jonë ndaj këtyre dy klikave i ka vërtetuar dhe po i vërteton çdo ditë, jeta. Aktualisht në Jugosllavinë titiste, është restauruar kapitalizmi. Dihet se shteti jugosllav ka adoptuar të ashtuquajturën politikën e mos-angazhimit. Por realisht Jugosllavia, është e angazhuar si me NATO-n ashtu edhe me Traktatin e Varshavës. Të gjitha vënë pyetjen e madhe, se çdo të ndodhë pas vdekjes së Titos në Jugosllavi?! Kësaj pyetjeje shpesh, i është përgjigjur vetë Tito. Ai, ka deklaruar se federata do të ekzistojë, por kuptohet që këto janë fjalë boshe dhe pa vlerë. Sot në Jugosllavi, si pasojë e tradhtisë titiste, po zhvillohet një proces i brendshëm politik, dekompozues i federatës e cila, reflektohet në luftën në mes të grupimeve të serbëve nga njëra anë, si dhe të kroatëve dhe sllovenëve nga ana tjetër.

Më vdekjen e Titos në Jugosllavi, do të ketë luftë për hegjemoni serbo-kroate. Këto dy grupe rivale, kuptohet se do të kenë mbështetjen e jashtme përkatësisht, serbët të rusëve dhe kroato-sllovenët të amerikanëve. Dy superfuqitë në përshtatje me gjendjen e nderë politike të Jugosllavisë, si dhe me kaosin ekonomik të saj, nëpërmjet qëndrimeve të tyre politike dhe kredive që i japin forcojnë akoma dhe më tepër pozitat dhe influencën e tyre për të sotmen dhe veçanërisht për të nesërmen. Dihet se Republika e Serbisë, është republika më e fortë, më shoviniste, dhe me pozita e tradita dominuese mbi të gjitha republikat e tjera. Pra serbët, aspirojnë për hegjemoni dhe në këtë konflikt ata, do të kenë ndihmën e rusëve, bullgarëve, çekëve, etj. Ndërsa rryma kroato-sllovene, do të ndihmohet nga SHBA-ja, Gjermania, Italia, Austria, etj. Rryma serbomadhe, duke aspiruar për hegjemoni, është për federatën kapitaliste, sepse dihet se këtë federatë 50 vjet më pare, e krijuan krajlët e Serbisë. Këtë gjë, kërkojnë dhe shovinistët e sotëm serbë. Në këtë konflikt për hegjemoni, ka pak gjasa që të fitojë rryma kroato-sllovene.

Në këtë shthurje e dekompozim të federatës kroato-sllovenët, nuk do të pranojnë që të futen në një federatë, ku do të dominojnë serbët. Këtë gjë ata e kanë shprehur, dhe po e shprehin me vetë administrimin dhe tendencat për pavarësi, që është dhe tradita e vjetër ustashe. Pra pas vdekjes së Titos ne, parashikojmë ashpërsimin e mëtejshëm të konflikteve të sotme politike, madje deri në goditjen ndërmjet dy grupimeve të cilët në rrugën e tyre, do të përkrahen nga dy superfuqitë. Në këtë luftë në rast se fiton grupi shovinist serb, ne mund të parashikojmë se federata do të pësojë ndarje në mes së Republikës Serbe nga njëra anë, dhe Republikës Kroato-Sllovene nga ana tjetër. Kjo gjë, është jashtë dëshirës së rusëve dhe serbëve por nga halli, kjo gjë mund të bëhet. Në këtë kaos politik, ekziston dhe një variant tjetër, që në pamundësi të vendosjes së hegjemonisë serbe, të bëhet shkëputja e të gjithë nacionalistëve.

Në këtë kontekst, krahina autonome e Kosovës ku banojnë afro 2 milionë shqiptarë të cilët, kanë vuajtur gjithë jetën nga shtypja e serbëve, të mos pranojnë që të futen në Republikën Serbe, por t’a shpallin vetë veten Republikë Autonome. Kuptohet se një veprim i tillë, mund të bëhet me dëshirën e vetë kosovarëve, pa pasur gisht neve në këtë çështje. Një gjë e tillë mund të ndodhi dhe me Malin e Zi, Slloveninë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, etj. Të gjitha sa u thanë më sipër, mund të ngjajnë me ashpërsimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të situatave politike, por edhe me goditje. Në rast të realizimit të secilës formë që përmenda më lart, rreziku për vendin tonë është i madh sepse me lidhjet dhe aleancat e reja neve, na vijnë në kufijtë veriorë forcat e të dy superfuqive. Në këto kushte kundër Shqipërisë, situatat acarohen dhe do të bëhen provokime dhe serbët do të na akuzojnë neve, se në çështjen e shkëputjes së krahinës së Kosovës, është dora jonë, që në fakt nuk do të jetë.

Pra në këtë prizëm, partia jonë pa nënvleftësuar Italinë dhe Greqinë që janë anëtarë të NATO-s, shikon rreziqe eminente të zhvillimit të gjendjes në Jugosllavi, që vjen si rezultat i tradhtisë së klikës titiste. Është e tepërt që të nënvizoj shkallën e rrezikshmërisë dhe vëmendjen që kërkon krahu verior i Shqipërisë. Këtij zinxhiri bazash aero-detare të NATO-s në pellgun e Mesdheut, i duhet shtuar edhe prezenca e Flotës Ushtarake Detare Sovjetike në brigjet e Afrikës e cila, disponon fuqi të madhe zjarri dhe aftësi zbarkuese ajrore dhe detare. Bazat ushtarake të Paktit të Varshavës në Bashkimin Sovjetik (Ukrainë), Hungari, dhe Bullgari, ku ndodhen të përqendruara trupa të mëdha aerodesante, me gjithë ndërprerjen e kontaktit tokësor e ajror të këtyre bazave me vendin tone, për shkak të pozicionit gjeografik të shtetit jugosllav, ato prapë së prapë përbëjnë një rrezik real për agresion të sovjetikëve ndaj vendit tonë.

Sovjetikët dhe aleatët e tyre në një rast sulmi eventual ndaj vendit tonë, për të ndërmarrë një sulm aerodesant me një grupim prej 6-7 divizionesh, do të nevojitet vetëm një urë e gjerë ajrore prej 200 km. në trasenë Bullgari-Maqedoni-Shqipëri. Këtë urë ajrore ata në rastin më të mirë do ta siguronin në saj të pazareve me klikën e sotme titiste. Në rast të kundërt kjo urë ajrore mund të sigurohet, duke dhunuar hapësirën ajrore jugosllave me dhunë dhe force, për aq kohë sa do t’i duhet arritjes së konvojeve të desantimit ajror në objekt. Kuptohet se operacioni areodesant i nisur nga territori i Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë, do të lidhet dhe do të bashkërendojë edhe me veprimet e njëkohësishme të operacioneve të desantëve detarë, që do të kryhen nga flota luftarake detare sovjetike e stacionuar në brigjet e Afrikës. Siç dihet në Europë, të molepsur nga degjenerimi revizionist, vetëm Shqipëria është shtet socialist, të cilën për këtë arsye si dhe për qëllime të tjera agresive, NATO dhe Traktati i Varshavës, si dhe partnerët e tyre rreth kufijve tona, e kanë halë në sy Shqipërinë.

Në momente të volitshme konjekturale, ata do të realizojnë qëllimet e tyre agresive ndaj nesh, jo në kuadrin e një konfiguracioni botëror, por edhe të një sulmi lokal në zonën e Mesdheut. Të gjitha sa u thanë veç e veç, dhe më në fund të marra së bashku, nxjerrin me forcë në pah para Partisë sonë dhe Forcave tona të armatosura detyrën e ngritjes së vazhdueshme të vigjilencës dhe të fuqisë mbrojtëse të vendit. Në çështjen e vlerësimit të situatave politike dhe ushtarake që zhvillohen rreth vendit tone, ne jemi, e do të jemi kurdoherë gjakftohtë. Por me zhvillimin dhe tendencat e saj ne duhet t’i vlerësojmë seriozisht, sepse Partia jonë e Punës është përgjegjëse për fatin e popullit dhe socializmit në Shqipëri. Këto probleme ne, jua shtrojmë juve si shokë dhe aleatë të shtrenjtë.

Dua edhe njëherë të ritheksoj se PPSH-ja, për të ngritur nivelin e duhur të gatishmërisë luftarake, për të përballuar rrezikun e një agresioni të mundshëm, çështjen e mbrojtjes së vendit e ka kthyer në një çështje të rëndësishme të popullit. Ne, jemi të bindur se përgatitja e mirë në këtë drejtim, afron të gjitha mundësitë e thyerjes së agresionit me sukses. Kjo është metoda e parë themelore e veprimtarisë sonë luftarake. Vetëm në luftën me front dhe prapavijë, që është forma e parë themelore e mbrojtjes tonë, nuk do të jetë e mund që të realizohet detyra me vendim të udhëheqjes politiko-ushtarake të vendit, do të kalojmë në formën e dytë të luftës pa front dhe prapavijë të armikut. Edhe këtë variant ne e përgatisim me llogari e detyra operative të përcaktuara. Në tërë kuadrin e punës për forcimin dhe konsolidimin tonë ushtarak, të përgatitjes politike dhe ushtarake, të punimeve xheniere, ne kemi sukses por krahas tyre ne kemi dhe probleme. Këto të meta ne hap pas hapi, duhet t’i zbulojmë dhe t’i eliminojmë.

E konsideroj detyrën time, dhe të shokëve të delegacionit, që të nënvizojë edhe një herë se në çështjen e konsolidimit të forcimit të mbrojtjes sonë, një rol me rëndësi të madhe ka luajtur dhe luan ndihma vëllazërore e R.P. të Kinës, e cila me gjithë vështirësitë dhe angazhimet që ka, e ka parë dhe e ka trajtuar problemin tonë në specifikën e tij. Dhe kjo pasi dy vendet tona, janë larg njëri tjetrit dhe nevojat për pajisje të Forcave tona të Armatosura, mund të plotësohen vetëm në kushtet e qetësisë relative. Kuptohet se në rast konflagracioni botëror ose rajonal, rrugët detare që lidhin dy vendet tona, mbyllen. Duke nënvizuar dhe duke falenderuar për ndihmën e madhe që na ka dhënë e po na jep R.P. e Kinës, ne shokë, dëshirojmë e shtrojmë me porosi të K.Q. të PPSH-së, dhe të Këshillit të Ministrave, disa kërkesa materiale për mbushjen e disa boshllëqeve të rëndësishme të sistemit të mbrojtjes sonë. Ne kemi parasysh shokë, vështirësitë e R.P. të Kinës në këto drejtime, por neve, i’a shtrojmë këto kërkesa me zemër të hapur P.K. të Kinës dhe shokut Mao Ce Dun, Këshillit të Ministrave dhe shokut Çu En Lai, ushtrisë motër kineze, të cilat kurdoherë dhe tani këto çështje do t’i shikojnë si problemet e tyre. Tani më lejoni të kaloj në disa probleme konkrete të kërkesave tona. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura