Dokumenti/ “Romani të bëhet karton”, si Ramiz Alia dhe Hysni Kapo zhdukën librin e Petro Markos. Historia e “Një emër në katër rrugë”, ku përshkruhej roli i Enverit

Oct 25, 2021 | 17:13
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOCI/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat u përkasin viteve 1972- ‘73, ku ndodhet një korrespodencë midis Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me romanin “Një emër në katër rrugë”, të shkrimtarit Petro Marko (ku trajtohej figura e Enver Hoxhës), i cili u botua pas recensionit të kritikut Dalan Shapllo dhe miratimit të drejtorit të Shtëpisë, Ali Abdihoxha, dhe redaktorit Llazar Siliqi.

hysni kapo ramizi

E gjithë korrespodenca midis dy sekretarëve të Komitetit Qendror, Ramiz Alia dhe Hysni Kapo, me Ministrinë e Arsimit dhe shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, lidhur me gjetjen e fajtorëve që kishin lejuar botimin e librit të shkrimtarit Petro Marko dhe masat që duheshin marrë ndaj tyre, duke filluar nga dëmshpërblimi i librit që me urdhër të tyre do të bëhej karton dhe asnjë kopje e vetme e tij të mos qarkullonte.

Trajtimi i figurës së Enver Hoxhës në një vepër letrare apo dhe në artet figurative nga ana e shkrimtarëve dhe artistëve gjatë periudhës së regjimit komunist të paraviteve ‘90-të, ishte një problem me mjaft zarar dhe paraqiste një risk të madh për autorët që merrnin përsipër trajtimin e “figurës së udhëheqësit kryesor”, sidomos kur ai ishte në epiqendër të veprës si personazh kryesor i saj.

Risku që mbartnin mbi vete krijuesit në rast të mosaprovimit të veprës, e cila trajtonte “figurën e udhëheqësit”, nuk dëmtonte vetëm autorin e veprës, por edhe redaktorët, recensentët apo drejtuesit e shtëpisë botuese dhe ata të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, që kishin dhënë aprovimin për botimin e saj.

Sidoqoftë kësaj, atë risk e patën marrë përsipër dhe provuar një numër jo i paktë shkrimtarësh e artistësh, por jo të gjithë arritën ta kalojnë me sukses “provën e zjarrit”, mbi të cilën endej e ravijëzohej “figura dhe roli i udhëheqësit kryesor” në fantazinë e tyre krijuese. Ndër të parët që e pësoi këtë gjë, ishte dhe shkrimtari i njohur Petro Marko, i cili që në vitet 1972-‘73, në romanin e tij me temë historike “Një emër në katër rrugë”, (i cili u konsiderua si roman autobiografik, merrte përsipër e trajtonte edhe figurën e Enver Hoxhës, kryesisht për periudhën e Monarkisë së Zogut.

Madje, duke e trajtuar atë gati-gati si personazh kryesor të veprës së tij, e cila jo vetëm që nuk u lejua të qarkullonte pas botimit të saj nga ana e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, por ajo shkaktoi një furtunë të vërtetë për të gjithë ata që lejuan botimin e saj.

Dhe e gjitha kjo, pasi në veprën e tij, Petro Marko “nuk kishte trajtuar drejt figurën dhe rolin e Enver Hoxhës”?! Siç duket, fati i keq vazhdonte ta ndiqte “këmba-këmbës” Petro Markon (në vitet e para të pas Luftës, vuajti disa vjet burg politik), pasi botimi i librit të tij koncidoi edhe me fillimin e pranverës së vitit 1973, kur Enver Hoxha ndërmori “furtunën” e madhe ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, ku autori me origjinë nga Bregu u ndodh papritur në qendër të atij “cikloni”, madje krejt i zbuluar.

petro-marko

Të gjitha këto duken dhe nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri, ku krerët më të lartë të udhëheqjes, duke filluar nga Ramiz Alia, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Mantho Bala etj., kanë bërë një sërë shënimesh mbi to, duke dhënë orientimet përkatëse për dënimin e autorit Petro Marko, si dhe atyre që kishin lejuar e dhënë viston për botimin e atij libri, si; Pipi Mitrojorgji, Ali Abdihoxha, Alqi Kristo, Dilaver Dilaveri, Dhurata Xoxe, Dalan Shapllo etj., etj.

Aq i madh ka qenë alarmi i shkaktuar nga ai roman, saqë Ramiz Alia, si rrallë ndonjëherë në të gjitha dokumentet që ai ka parë dhe nënshkruar, ka mbushur disa faqe të tëra me shkrimin e tij për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e tij (gjë e cila duket dhe nga faksimilet përkatëse që Memorie.al po i publikon ekskluzivisht në këtë shkrim), libër i cili u botua vetëm me shembjen e regjimit komunist pas viteve ‘90-të.

Dokumentet

Recension për romanin “Gjikë Bua”,

(“Një emër në katër rrugë”) të Petro Markos, nga kritiku Dalan Shapllo

Romani i ri i Petro Markos, që pasqyron ngjarje të periudhës së Zogut, në tërësinë e vet është një vepër pozitive. Vlera e romanit lidhet me pasurinë e fakteve që sjell autori, me vërtetësinë e ngjarjeve dhe me riprodhimin besnik të atmosferës së kohës.

Autori e ka pasur për qëllim të tregojë rrugën e formimit të katër fshatarëve (me emrin Gjikë), nën ndikimin e rrethanave shoqërore dhe si pasojë e karakterit të tyre. Në përgjithësi, Petro Marko ia arriti kësaj dhe tregoi formimin apo degjenerimin e këtyre tipave. Përmes faktit të tyre del tabloja e jetës asokohe, me gjithë të palarat e oborrit, të qarqeve të shthurura, me injorancën dhe brutalitetin.

Përveç kësaj, autori është munduar të japë edhe lëvizjen revolucionare të kohës, njerëz të thjeshtë të popullit me ëndrrat dhe aspiratat e tyre. Vepra është shkruar me një stil të formuar, me letërsi dhe thjesht. Në pjesët kryesore romani zgjon interes dhe besohet. Romani ka vlera edukative. Po vepra ka nevojë të ripunohet në disa drejtime dhe në disa pika të rëndësishme.

Ripunimi është i domosdoshëm që vepra të dalë më realiste, më bindëse dhe të jetë në nivelin e krijimeve të mira të autorit. Karakteret ecin në rrugën e vet, që ka si logjikë jetësore dhe artistike, por në këtë vështrim, vërehen dhe dobësitë dhe inkonsekuenca. Mirë është dhënë në përgjithësi degjenerimi i një tipi shoqëror si Argjiri. Karakteri i Mërtirit është dhënë mirë dhe ka kuptimin e vet shoqëror, por nuk është shpurë gjer në fund.

Kështu, Mërtiri, një njeri i ndershëm, po me luhatje dhe dashuriçka, i mprehtë, por jo i thellë, vështirë se mund të vriste veten më 7 prill. Ose duhet ndryshuar duke e lidhur me lëvizjen përparimtare, ndryshe, duhet përgatitur shumë që të bindemi për atë gjest. Po kështu nuk i përgjigjet edhe çmenduria e xha Fotit që bënte gjithmonë shaka.

Në marrëdhëniet me femrat, Mërtiri duhet të paraqitet i përmbajtur: Nuk ka sepse të takohet me Donikën, pasi ajo ka degjeneruar. Ndryshe bëhet antipatik dhe pa karakter. Po kështu duhet të zgjidhet edhe midis Qazimes dhe Marisë, sepse njëra është e tepërt.

faksimikle

Edhe degjenerimi i Donikës mund të tregohet më mirë, sepse kalimi tek italiani pas dashurisë me Zogun, vjen i shpejtuar dhe duket ca si meskine. Vërejtjet që bëra lidhen me formimin e realizmit të veprës. Po kështu, në këtë aspekt, autori mund të ketë parasysh edhe momente të tjera. Romani ecën në shtratin e letërsisë me drejtim social, duke u mbështetur te parimi i historizmit.

Ka edhe tendenca natyraliste, të grumbullimit dhe të futjes së materialit pa kriter, të ndodhive dhe anekdotave të shumta.

Romani mund të forcohet në realizmin e vet duke u pastruar nga anekdotizmi, nga ndodhitë e shkurtra dhe romuzet që tregohen në fshat. Disa prej tyre janë të këndshme dhe alternojnë ngjarjet e rënda, tragjike, flasin për humorin dhe vitalitetin e popullit. Por duhet ruajtur ndjenja e masës.

Veç kësaj është mirë të depërtojë, herë pas here, drama e jetës, vështirësitë dhe autori të mos mbetet vetëm me intermexo humoristike. Për të forcuar realizmin e veprës dhe të trajtimit të figurave, është e domosdoshme që mbreti Zog të mos nxirret vetëm me aventurat e tij ironike, po si një njeri politik, dinak, tiran dhe djallëzor në kurdisjen e planeve.

Në pjesën e parë (lidhja e Argjirit me vëllanë e Mbretit dhe Lejlanë), romani merr një udhë jo aq realiste, kalon deri diku në një lloj aventure dhe sentimental si në romanet e psherëtimave mesjetare, gjë që vërehet dhe në stil. Kjo pjesë mund të shkurtohet e të rregullohet, sepse në përgjithësi vepra është realiste.

Përshkrimi i lëvizjeve, i fillimeve të propagandës komuniste revolucionare bëhet mirë në roman dhe ndihmon në krijimin e atmosferës së veprës. Por, mendoj, se më shumë duhet të dalë fryma morale që është karakteristike për njerëzit e rinj.

Si bartës të një ideologjie të re, të normave të reja morale, ata ishin dashur të çiltër me njëri tjetrin dhe të ndershëm në dashuri. Nuk është fjala që të krijohen marrëdhënie asketike e pedante, por për një ideal të qartë e më njerëzor.

Është e nevojshme që autori të bëjë një punë të menduar mirë për të lehtësuar veprën nga erotizmi i tepërt, pa kriter, nga goditjet e Suzit ( e cila nuk e meriton aq vëmendje megjithëse mund të mbetet diçka si një e vërtetë e kohës), nga afeksimi seksual i të dy motrave për Mërtirin, nga sensualizmi edhe i Mari Shirokës (që jepet kalimthi) etj. Vepra duhet të përshkohet më mirë nga një moral i ri dhe nga një atmosferë më e virtytshme.

Figura e shokut Enver, në ato përmasa që e ka vënë autori, mendoj se del mirë, me disa tipare të theksuara revolucionare dhe njerëzore. Por përsëri duhet menduar që të konkretizohet më tepër në ndonjë rast e sidomos pas çlirimit në bisedën me personazhet kryesore.

1980s, Tirane, Albania --- Ramiz Alia, leader of the communist Workers' Party, gives a press conference. --- Image by © Michel Setboun/Corbis

Ky moment nuk duhet të jepet kalimthi. Në mënyrë të veçantë e quaj të nevojshme të them se vepra mund të shkurtohet mjaft: marrëdhëniet me Lejlanë dhe Xheladinin, anekdotat e fshatit për historitë jashtë atdheut etj. Vepra ka mundësi të ngjishet, të çlirohet nga materiali i tepërt, të përcaktohet më mirë rruga e disa karaktereve, komentet e rralla emfatike, agjitative të shihen (sidomos fillimi dhe fundi, kur i jepet rëndës Argjirit).

Me një punë të vëmendshme, romani do të bëhet i mirë dhe do të ndihmojë për njohjen e asaj kohe dhe për edukimin e të rinjve, të cilët, për të kuptuar më mirë të sotmen, duhet të njohin edhe të kaluarën.

Dalan Shapllo

Tiranë, 17 nëntor 1972

Shënimi i Ramiz Alisë mbi recensionin e Dalan Shapllos

Po si autobiografi, a nuk i bie në sy Dalanit? Këto të meta që thekson Dalani, a nuk janë ideologjike? A nuk i japin vulën romanit? E si atëherë, është një vepër pozitive?

Ramiz

Shënimet e Ramiz Alisë për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e romanit të Petro Markos

Shoku Pipi

1. Lidhur me romanin e Petro Markos, siç del nga propozimet tuaja e të Ministrisë, të veprohet menjëherë: Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë edhe shoku Dritëro Agolli dhe Thanas Leci e Ali Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumente ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave. Por Manthua të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi të kritikojë librin.

2. Të shtrohet në organizatën bazë të Ndërmarrjes dhe të diskutohet përgjegjësia e Ali Abdihoxhës, që lejoi botimin e librit. Përgjegjësia e tyre është akuza më e madhe, sepse recensentët, siç që shprehen pozitivisht, kanë bërë vërejtje që romani duhesh ndrequr. Dalani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u mor parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.

3. Po kështu, në organizatën bazë duhet të kritikohet Llazar Siliqi e Dalan Shapllo. Llazari si redaktor kish edhe vërejtjet e recensentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën t’i ndreqte, pa lëre që edhe ky pranoi romanin. Dalani megjithëqë bëri vërejtje, disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra, të botohet? Askush nuk tërheq vëmendjen që ky libër është autobiografik. Pse kështu?

4. Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse. Edhe pushimi i Ali Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: Që nga Petrua te Llazari, recensentët e redaktorët. Sipas rregullave duhet të caktohet si do veprohet.

5. Libri të kalojë në karton, të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.

6. E kam thënë edhe një herë tjetër, në mbledhjen që kishim me gjithë përgjegjësit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet që të dërgojmë dorëshkrime, por mund të dërgojmë kopje të librave, pasi dalin tek ne në qarkullim. Të merren masa për të tërhequr librin e Petro Markos nga Kosova. Sidoqoftë në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje.

7. Këto materiale që keni në këtë dosje, t’i lexojë edhe shoku Manush, sepse Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të jetë në dijeni dhe të ndjekë ç’bëhet në institucionet e Tiranës.

11.XII.1973 Ramiz Alia

Letra e Pipi Mitrojorgjit

Me porosi të shokëve Hysni dhe Ramiz, po ju dërgoj materialet që bëjnë fjalë mbi romanin e Petro Markos “Një emër në katër rrugë”. Pasi t’i lexoni, ju lutem që t’i ktheni.

12.XII.1973 Pipi Mitrojorgji

Letra e Hysni Kapos për Ramiz Alinë lidhur me romanin e Petro Markos

Shoku Ramiz

Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recensentë të librit që i ka ngarkuar Ndërmarrja e Botimeve. Recensionin e kanë bërë në nëndor 1972. Pra, kjo dëshmon se sa koncepte të gabuara kanë recensentët dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhën, Xoxen etj., që kur kanë parë recencën ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhesh ndrequr, kurse këta e shtypin. Unë mendoj se përveç masave shtetërore dhe materiale që duhet marrë ndaj tyre, të japin llogari edhe para organizatave bazë të partisë ku bëjnë pjesë. Gjithë këto materiale unë mendoj që t’i shohë edhe shoku Manush, mbasi të gjithë këto kuadro janë nën varësinë dhe si efektiv i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe Partia në rreth duhet të ketë dijeni të plotë dhe të ndjekë çështjet.

11.XII.1973 Hysni Kapo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura