Dokumenti/ Rama pezullon lejet e ndërtimit për një vit

Aug 10, 2015 | 18:02
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin që pezullon lejet e ndërtimit në të gjithë vendin. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit janë caktuar detyrat që duhet të zbatojë Ministria e Zhvillimit Urban, si dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit.

Faksimile e vendimit të KKT
Faksimile e vendimit të KKT
Po kështu, i njëjti vendim parashtron edhe kërkesën për të zgjedhurit e rinj vendorë, të cilët duhet të nisin nga puna për planet e reja vendore, një kërkesë që automatikisht hedh poshtë të gjithë ato plane të miratuara deri më tani.

PEZULLIMI
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit përcakton se deri në miratimin e planeve të reja vendore nuk mund të jepet asnjë leje e re ndërtimi. Kjo në fakt vlen për lejet për ndërtimin e pallateve, kurse vendimi ka të përfshirë edhe një listë të gjatë me përjashtime. Kështu, mund të jepen leje për punime në struktura publike, infrastrukturë, në ndërtime për banim/njëfamiljare, por sipas përcaktimeve të sipërfaqes që lejon KKT.

Po kështu, mund të bëhen ndërhyrje me karakter emergjent apo struktura me interes publik e kombëtar. Por, për të gjitha këto raste përjashtimi, ka edhe një procedurë specifike që duhet të ndiqet nga vendorët para se të japin miratimin.

“Autoritetet e zhvillimit të territorit duhet të vijojnë me miratimin e kërkesave për leje ndërtimi për rastet sipas pikës 2 të këtij vendimi, vetëm pas marrjes së njoftimit nga AKPT për konformitetin e zhvillimit të propozuar me rastet përjashtimore të përmendura më sipër, në rrugë elektronike nëpërmjet Regjistrit të Integruar të Territorit, si edhe informimin e Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me këtë konformitet”, përcaktohet në vendim.

Sakaq, të gjithë ata që japin leje pas këtij vendimi ato do të cilësohen nul. Ose të paktën kështu përcakton vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Territorit.

“Me përjashtim të rasteve dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, çdo leje ndërtimi e lëshuar pas datës së miratimit të këtij vendimi në zonat objekt i këtij vendimi konsiderohet nul dhe e pavlefshme. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për miratimin e procedurës që duhet ndjekur nga autoritetet e zhvillimit të territorit, në zbatim të pikës 5, si më sipër dhe monitorimin e zbatimit të këtij vendimi nga autoritetet përgjegjëse”, përcaktohet në pikat 8 dhe 9 të vendimit.

PLANET VENDORE
Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar që 61 bashkitë e reja që dolën nga reforma territoriale të angazhohen për plane të reja vendore. Deri më tani në KKT kanë kaluar ndër vite disa plane vendore, por të gjitha këto me zbatimin e reformës së re territoriale mbeten pa sens, pasi përfshijnë brenda tyre një hapësirë më të vogël nga ajo që kanë sot këto bashki.

Në këto kushte është kërkuar që të hartohen plane vendore nga e para dhe vetëm pasi këto plane të jenë dorëzuar dhe të kenë kaluar procedurat e tjera të miratimit, qeveria duket se do të lejojë vijimin normal të ndërtimit. Deri atëherë, të vetmet ndërtime që do të lejohen do të jenë ato të listës së përjashtimit të renditur në vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit.

VENDIMI I KKT

Vendim Nr. 1, datë 30.07.2015
Për Përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga autoritetet e zhvillimit të territorit për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi në miratim të planeve të përgjithshme vendore Në mbështetje të ligjit nr.1 107/2014, datë 31.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, neni 45, pika b), të VKM-së nr.408, datë 13, 05, 2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit” e ndryshuar, VKM-së nr. 877, datë 03.10.2013 “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Territorit” me propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit:

Vendosi
1. Të gjitha autoritetet vendore të fillojnë procedurat e planeve të përgjithshme vendore për territorin përkatës, në përputhje me legjislacionin e ri.
2. Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, në zonat sipas nenit 45, pika b), të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit të ndryshuar, autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi vetëm për këto raste përjashtimore:
a) punime të infrastrukturës;
b) struktura publike;
c) ndërhyrje me karakter emergjent
ç) objekte për interes publik, shtetëror dhe kombëtar
d) struktura me funksion prodhues industrial, përfshirë këtu ato me material porositës;
dh) struktura me funksion turistik
e) struktura në funksion të prodhimit, përpunimit dhe distribucionit të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
ë) banesa individuale/njëfamiljare kërkuar nga pronari i truallit për strehimin primar të tij, me sipërfaqe totale ndërtimi deri në 250m2;
f)shtesa në banesa individuale/njëfamiljare ekzistuese deri në masën 50 për qind të sipërfaqes së tyre totale të ndërtimit.
3. Autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi për rastet përjashtimore të pikës 2, vetëm brenda zonave të urbanizuara, të identifikuara sipas vendimit numër 5, datë 29.12.2014 të Këshillit Kombëtar të Territorit me përjashtim të strukturave sipas germës e)për të cilat zbatohet VKM nr.283, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në tokë bujqësore”, e ndryshuar.
4. Në bazë të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, kusht për lëshimin e lejeve të ndërtimit është botimi në Regjistrin e Integruar të Territorit të kërkesave për leje dhe akteve përkatëse të miratimit të tyre.
5. Autoritetet e zhvillimit të territorit duhet të vijojnë me miratimin e kërkesave për leje ndërtimi për rastet sipas pikës 2 të këtij vendimi, vetëm pas marrjes së njoftimit nga AKPT për konformitetin e zhvillimit të propozuar me rastet përjashtimore të përmendura më sipër, në rrugë elektronike nëpërmjet Regjistrit të Integruar të Territorit, si edhe informimin e Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me këtë konformitet.
6. Për lejet e ndërtimit dhe lejet zhvillimore të miratuara, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, të përcaktuara në formularin e lejes përkatëse përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës vetëm një herë për një periudhë jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit.
7. Me përjashtim të rasteve dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, çdo leje ndërtimi e lëshuar pas datës së miratimit të këtij vendimi në zonat objekt i këtij vendimi konsiderohet nul dhe e pavlefshme.
8. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për miratimin e procedurës që duhet ndjekur nga autoritetet e zhvillimit të territorit, në zbatim të pikës 5, si më sipër dhe monitorimin e zbatimit të këtij vendimi nga autoritetet përgjegjëse
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, si dhe të gjitha autoritetet e planifikimit, zhvillimit, dhe inspektimit në nivel vendor dhe kombëtar për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
10. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura