DOKUMENTI/ Përplasja e policisë me djalin e biznesmenit, Prokuroria: Nuk kemi kompetencë për…

Oct 10, 2018 | 9:40
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimet e Rënda shpall moskompetencë për hetimin e përplasjes së Policisë me djalin e biznesmenit të njohur, Petrit Çela. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit të kaluar, ku të përfshirë përveç djalit të biznesmenit, Marjus Lulaj (Suel Çela), ishin Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri.

perplasja

Vendimi për shpallje moskompetence mban datën 26 shtator 2018. Është firmosur nga zv.drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gentian Osmani, me delegim të drejtueses së këtij organi të akuzës, Donika Prela.

 
gentian osmani

Në shkresën zyrtare thuhet se shpallet moskompetencë për “procedimin penal, nr. 289 i vitit 2017, ndaj të hetuarve Marjus Lulaj, alias Suel Çela, Enea Bekteshi e Klemend Xhaferri”. Në shkresën drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Prokuroria për Krimet e Rënda njofton se nuk ka kompetencë për të hetuar tre të akuzuarit për përplasjen me Policinë dhe për këtë arsye, çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Elbasanit.

Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri po hetoheshin me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi akuzohen se, në shtator të vitit 2017, kanë tentuar të vrasin punonjës policie, në një ngjarje të ndodhur në hyrje të Tregut Ushqimor të Elbasanit. Ngjarja erdhi pas një plani operacioni për qëllim verifikimin e mjeteve luksoze apo të dyshuara të trafikuara, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin luksoz me një vlerë rreth 100.000 euro, personit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit.

Në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një patrullë policie, një mjet tip “Audi”, i blinduar, erdhi me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe godet mjetin e Policisë ku ndodhej zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi. Më pas, mjeti që goditi mjetin e Policisë u fut në Tregun Ushqimor. Mjeti tip “Audi” dyshohet se është i blinduar.

Gjatë incidentit, një efektiv policie qëlloi në ajër dhe më pas nuk pati asnjë veprim dhe Policia u tërhoq. Policia ndërhyri disa ditë më pas, duke arrestuar Enea Bekteshin si drejtues të makinës “Audi” si dhe disa persona të tjerë si dhe sekuestroi 7 automjete, ndër to 3 të blinduara. Gjithashtu pas ngjarjes pati lëvizje në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku u delegua drejtues, zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato.

dokument

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura