“Dokumenti, komunistët e pushtuesit vranë njësoj nacionalistët gjatë LANÇ”

Feb 3, 2016 | 7:31
SHPËRNDAJE

U përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar kolana e botimeve të Institutit të Krimeve të komunizmit, ndërmjet tyre edhe libri në dy vëllime, “Lufta Civile 1943- 1945”, i historianit Uran Butka, që paraqet interes të madh historik për trajtimin ndryshe, por dhe plotësisht të dokumentuar të Luftës së Dytë Botërore, e veçanërisht të Luftës Civile në Shqipëri gjatë viteve 1943-1945.

Në të vërtetë, ky është një botim i plotësuar i botimit dhjetë vite më parë, por i pasuruar me fakte, interpretime dhe këndvështrime të reja, si dhe me dokumente të shumta, të papublikuara më parë, të arkivave britanike, amerikane, jugosllave, italiane dhe gjermane për Luftën Civile në Shqipëri.

Uran Butka
Uran Butka

Autori qysh në krye bën përkufizimin e Luftës Civile si një fenomen shoqëror dhe argumenton pse lufta vëllavrasëse në vitet 1943-1945 ishte një Luftë Civile, qëllimet, shkaqet historike, shtysat e brendshme e të jashtme, komponentët, forcat lëvizëse, përballja ushtarake dhe pasojat tragjike të kësaj lufte. Po japim për lexuesit e gazetës sonë prologun dhe epilogun e kësaj lufte, nxjerrë nga libri “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945”:

LUFTA ANTIFASHISTE DHE LUFTA CIVILE

Lufta Civile në Shqipëri, 1943-1945, ishte një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore, që i mbështesnin ato, një luftë e përgjakshme me pasoja tragjike e shkatërrimtare, jo vetëm për atë kohë.

Konfrontimi i brendshëm i organizuar dhe i armatosur për motive politike, ideologjike, pushtetore e nacionale midis grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, konflikti ushtarak ndërmjet të djathtës e së majtës, rezistenca kundërkomuniste me armë dhe shtypja e përgjakshme e saj, janë komponentët kryesorë të Luftës Civile në Shqipëri (1943-1945).

Lufta Civile nisi pas prishjes së Marrëveshjes kombëtare të Mukjes, pra, ishte pjellë e pasojë e mosmarrëveshjes dhe intolerancës në politikën shqiptare në atë kohë kritike, por edhe e nxitur nga shtetet apo qarqet politike që kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri. Ajo i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë armiqësore dhe ndërluftuese.

Theksojmë se duhet bërë i qartë dallimi midis Luftës Antifashiste të popullit shqiptar (1939-1944) dhe Luftës Civile (1943-1945), që është objekt i këtij studimi. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë i shërbeu çlirimit të vendit dhe kauzës së përbashkët kundërfashiste e liridashëse të popujve përgjatë Luftës II Botërore.

Hyrja e partizanëve në Shkodër, 1944
Hyrja e partizanëve në Shkodër, 1944

Në këtë luftë kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët antifashistë: Fronti Nacionalçlirimtar, Balli Kombëtar, Legaliteti, lëvizjet e Gani Kryeziut, Muharrem Bajraktarit, Ramë Mujës, Mehmet Ali Bajraktarit dhe të aktorëve të tjerë, ndaj edhe duhet të quhet saktësisht “Lufta Antifashiste e Popullit Shqiptar” dhe jo siç është emërtuar e trajtuar deri më sot, qëllimisht apo për mosnjohje: “Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar”.

Lufta Antifashiste e popullit shqiptar 1939-1944 është një kontribut i shquar i shqiptarëve në luftën për çlirim kundër pushtuesve nazifashistë. Ndërsa Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është një pjesë e luftës antifashiste, siç është pjesë e Luftës Antifashiste edhe lufta e faktorëve të tjerë antifashistë.

Nuk duhet ngatërruar e tëra me pjesët. Çmoj luftën e partizanëve kundër pushtuesve dhe dëshmorët e rënë, ashtu siç vlerësoj edhe luftën e Ballit Kombëtar, Legalitetit, lëvizjeve të pavarura dhe dëshmorët e tyre. Por, përpjekja për ta mitizuar dhe paraqitur Luftën NÇ si luftën e vetme të shqiptarëve kundër nazifashizmit, është një mosnjohje e historisë, një tendencë politike, një spekulim apo një reminishencë e së shkuarës.

Madje, rezistencën antifashiste e nisën së pari intelektualët atdhetarë dhe studentët shqiptarë, që demonstruan kundër pushtimit italian. Pjesa më aktive e tyre, si Llazar Fundo, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Abaz Ermenji, Hasan Reçi etj., u burgos dhe u internua në Ventotene dhe e vazhdoi atje qëndresën antifashiste, si edhe projektin për një Shqipëri europiane.

Enver Hoxha gjatë viteve të luftës
Enver Hoxha gjatë viteve të luftës

Luftën e armatosur e filluan atdhetarët jokomunistë, si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Nazif Mero etj., që i pritën pushtuesit italianë me armë në Durrës, Shëngjin, Sarandë etj., dhe e vazhduan nacionalistët Myslim Peza, Ismail Agë Petrela, Shyqyri Peza, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Hysni Lepenica, Mustafa Gjinishi, Mestan Ujaniku e të tjerë antifashistë, përpara se të niste Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, dhe përpara se të krijoheshin çetat e Ballit Kombëtar.

S’mund të mohohet lufta e të gjithë këtyre faktorëve historikë kundër pushtuesve nazifashistë, veçanërisht e partizanëve, por s’mund të mohohet dhe anashkalohet as lufta e brendshme ndërmjet këtyre forcave politike e ushtarake, që degjeneroi në një luftë civile. Kjo luftë është evidentuar dhe dokumentuar gjerësisht në këtë libër me akte, dokumente e prova shkresore nga arkivat shqiptare e të huaja: italiane, gjermane, britanike, amerikane, jugosllave etj., në mbi 1318 referenca arkivore.

Pjesa dërrmuese e dokumenteve janë urdhra, qarkore, komunikata, raporte, fjalime, kronika, urdhër-operacione, letra, trakte, radiograme, telegrame, ditarë etj., të vetë drejtuesve kryesorë të Luftës NÇ (komandantë e komisarë), si edhe raportime të shtabeve të korparmatave, divizioneve, brigadave e batalioneve të Ushtrisë NÇ, të shkruara me dorën e tyre dhe drejtpërdrejt në zjarrin e Luftës Civile, që ruhen në Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin e Forcave të Armatosura, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe në muzeumet qendrore e lokale, të cilat përbëjnë lëndën e parë të këtij botimi dhe që nuk mund të rrëzohen apo të tjetërsohen.

Luftën Civile në Shqipëri e kanë pohuar dhe raportuar thuajse të gjithë oficerët britanikë, që kanë vepruar në atë kohë në Shqipëri: B.Maklin, gjenerali Dejvis, F.Lik, D.Smajl, P.Kemp, J.Emer, R.Hibbert, A.Kuejl, Palmer, Seymur, Hill, Simkoks, Smith, Llajën e të tjerë, si edhe komandanti i Forcave Aleate të Mesdheut, gjenerali Uilson. Historiani amerikan B.Fisher ka theksuar: “Di që kjo është një çështje me rëndësi në Shqipëri. Sinqerisht nuk e di pse duhet të jetë e tillë. Sigurisht që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve. Këtë ne mund ta quajmë luftë civile ose mund ta quajmë thjesht përleshje a betejë, por fakti është që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve”. Lufta Civile është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rrezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi nga pengjet e tabutë e së shkuarës, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes.

TË DHËNA PËR NUMRIN E DËSHMORËVE TË LUFTËS ANTIFASHISTE DHE TË VIKTIMAVE TË LUFTËS CIVILE

Pasojat e Luftës Civile në Shqipëri qëndrojnë jo vetëm në vendosjen e pashmangshme të një regjimi ushtarak komunist, por edhe në faktin se pakësoi ndjeshëm numrin e shqiptarëve, një popull i vogël, që kryesisht ishte mpakur nga pushtuesit e huaj. Humbjet njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ende nuk janë nxjerrë dhe klasifikuar saktësisht. Gjatë regjimit komunist janë evidentuar dhe trajtuar vetëm dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare, ndërsa dëshmorët nacionalistë dhe viktimat e Luftës Civile janë anashkaluar apo mohuar si të tillë.

Nga të rënët gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë vrarë në luftë kundër okupatorëve nazifashistë, pra, janë dëshmorë të Luftës Antifashiste, të tjerët janë vrarë gjatë Luftës Civile mes shqiptarëve ose janë viktima të Luftës së Dytë Botërore. Numri i të vrarëve të Luftës Civile 1943-1945, sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe Arkivit të Ushtrisë NÇ, rezulton shumë herë më i madh se numri i dëshmorëve partizanë dhe nacionalistë të rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë.

Siç dihet, partia dhe pushteti komunist kanë publikuar me bujë brenda dhe jashtë Shqipërisë për 28.000 dëshmorë të Luftës NÇ. Kjo shifër, e prodhuar nga politika e asaj kohe për qëllime politike dhe propagandistike, e konfirmuar dhe e rrënjosur edhe nga historiografia konformiste komuniste për gjysmë shekulli, nuk i përgjigjet fare të vërtetës historike. Përpjekja ime studimore, edhe me këtë libër, është që shqiptarët të mos përjetojnë ende një histori të gënjeshtërt, por të dinë të vërtetën.

Popujt që ngrihen e mbijetojnë mbi gënjeshtrën janë të traumatizuar dhe të destinuar të vuajnë apo të zhduken. Populli shqiptar është një popull historik e vital, që duhet të dalë nga ky mashtrim absurd. Gjatë përgatitjes së botimit të parë të këtij libri, kur punoja në Parlament si kryetar i Komisionit të Kulturës, iu drejtova gjithë muzeumeve të rretheve të vendit që të dërgonin numrin e dëshmorëve të Luftës Antifashiste.

I krahasova dhe i plotësova ato informacione me të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, me listat e dëshmorëve që merrnin pension lufte dhe me botimet e deriatëhershme për dëshmorët, sidomos me vëllimet “Yje të pashuar”, si edhe me dokumentet arkivore të Arkivit të Shtetit e të Forcave të Armatosura, dhe më doli afërsisht shuma e dëshmorëve të Luftës NÇ, jo më shumë se 4000 veta, edhe pse një pjesë e tyre ishin viktima të luftës civile, pra nuk mund të quheshin dëshmorë.

Megjithatë, nuk e publikova këtë shifër, për ta konsultuar dhe verifikuar më tej, sepse hulumtimi nuk më dukej shterues. Këto konstatime të mia u konfirmuan më pas edhe nga dokumente arkivore, që dolën në shesh, por edhe nga studiues të tjerë seriozë. Sipas një dokumenti të Këshillit të Ministrave të vitit 1945, firmosur nga kryeministri E.Hoxha, ku përmblidheshin dëshmorët e Luftës NÇ për çdo fshat, qytet dhe prefekturë, rezultonte numri i përgjithshëm prej 2519 dëshmorë.

Kjo shifër nuk u zu më në gojë. E. Hoxha, në fjalën që mbajti në Kongresin e parë të PKSH në vitin 1948, deklaroi 28.000 dëshmorë civilë e ushtarakë të rënë në Luftën NÇ. Po ashtu, në të gjithë fjalimet e botimet e tij për Luftën NÇ, ai fiksoi përfundimisht shifrën e 28.000 dëshmorëve. Vetëm nga fundi i regjimit, kur u diktua nevoja e zgjerimit të përkufizimit “Dëshmor i Atdheut”, u diskutua dhe u miratua në mbledhjen e Byronë Politike te KQ të PPSH-së, më 4 nëntor 1980, relacioni i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, datë 16 shkurt 1980 (dokument i zbuluar kohët e fundit në Arkivin e PPSH), me titull “Relacion për zgjerimin e përkufizimit Dëshmor i Atdheut”, ku thuhet shprehimisht: “Sipas të dhënave, në mbështetje të dispozitave në fuqi, si Republikë janë shpallur rreth 6.000 dëshmorë, kurse zyrtarisht në dokumente të ndryshme është thënë se gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, populli shqiptar ka dhënë 28.000 dëshmorë”.

KRYESIA E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TIRANË, MË 16 02.1980

Po në këtë relacion, shkruhet: “Në udhëzimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, dëshmorë mund të quhen vetëm ata që kanë qenë organizuar në Partinë Komuniste, në Ushtrinë NÇ, në Frontin NÇ, në organizatën e Rinisë, të Gruas etj., dhe janë vrarë nga armiku duke luftuar me armë në dorë kundër tij në krye të detyrës, ose janë kapur me forcë apo tradhtisht nga armiku dhe janë vrarë prej tij, ose kanë vdekur prej torturave të armikut”.

Në këtë përcaktim të Presidiumit të Kuvendit Popullor për dëshmorët konsiderohen “Dëshmorë të Atdheut” ata që janë vrarë në luftë kundër pushtuesve, ose kanë vdekur prej torturave të tyre dhe që rezultojnë sipas Relacionit të Këshillit të Ministrave rreth 6.000 dëshmorë.

Nga ky relacion marrim vesh qartësisht politizimin e skajshëm dhe tjetërsimin e së vërtetës historike nga ana e pushtetit komunist për gjysmëshekulli, duke quajtur dëshmorë të atdheut vetëm ata të vrarë, që kishin qenë anëtarë të Partisë Komuniste, të Frontit NÇ dhe të organizatave derivate të PKSH, duke e rritur zyrtarisht numrin e tyre në 28.000 dhe duke përjashtuar gjithë ata dëshmorë të rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, pjesëtarë të faktorëve të tjerë të luftës për çlirim.

Edhe historiografia komuniste, në gjithë botimet e saj, ka përdorur në mënyrë taksative shifrën tabu prej 28.000 dëshmorësh të fantazuar nga Enver Hoxha, për të glorifikuar dhe propaganduar Luftën NÇ: një dëshmor për kilometër katror, ndërkohë, duke mohuar e përbaltur dëshmorët e formacioneve të tjera jokomuniste. Bie fjala, komandanti Hysni Lepenica me 36 luftëtarë të Ballit Kombëtar u vranë në Grehot nga italianët; Skënder Muço bashkë më Zako Mezinin dhe Yzeir Ismailin, u pushkatuan nga gjermanët e të tjerë të rënë nacionalistë, që u quajtën tradhtarë e bashkëpunëtorë të pushtuesit!

E habitshme është që edhe gjatë këtyre 25 vjetëve të tranzicionit demokratik, kur kanë dalë në dritë mjaft të vërteta për Luftën, historianë të indoktrinuar, vijojnë të mbahen me dërllëk mbas mitit të rremë të Luftës NÇ dhe të 28.000 dëshmorëve partizanë të rënë në këtë luftë. Nuk kemi asnjë dëshirë dhe asnjë interes që ta zvogëlojmë numrin e dëshmorëve, sepse respekti e nderimi për ata që luftuan dhe dhanë jetën në luftën antifashiste, është e do të jetë i patjetërsueshëm, pavarësisht nga numri. Ata janë e do të jenë në themel të lirisë. Por e vërteta i nderon edhe të rënët, edhe të gjallët.

Kohët e fundit, në konferencën shkencore të Institutit të Historisë kushtuar 70-vjetorit të Çlirimit, nëntor 2014, u publikua një kumtesë nga studiuesi dr.Teodor Kareco “E dhëna mbi numrin e të rënëve gjatë Luftës II Botërore në Shqipëri”, në të cilën, pas një pune të gjatë hulumtuese nëpër arkiva, ai jep këto shifra për dëshmorët e Luftës NÇ: Numri i dëshmorëve partizanë të vrarë nga gjermanët 1514 veta, nga gjermano-ballistët 275, nga italianët 207, nga ballistë e nacionalistë në luftën civile 1067, nga kosovarët 34, aksidentalisht 34 dhe të vdekur 310.

Gjithsej, dëshmorë partizanë: 3442. Nga këto statistika, që gjithsesi nuk janë shteruese, nxjerrim disa përfundime:

1. Numri i dëshmorëve partizanë, nuk është absolutisht 28.000 dëshmorë, siç është manipuluar zyrtarisht deri tani, por është një shifër modeste, e përafërt me numrin që kam nxjerrë nga hulumtimet e mia.

2. Numri i partizanëve të vrarë nga pushtuesit italianë e gjermanë, rreth 1 996 dëshmorë, sipas këtij studimi, është gati i përafërt me numrin e partizanëve të vrarë në luftën vëllavrasëse, pra një fakt dhe një argument më shumë për ekzistencën e Luftës civile në Shqipëri.

Sipas hulumtimeve të mia, numri i nacionalistëve të vrarë prej forcave partizane gjatë Luftës civile 1943-1945 është shumë herë më i madh se numri i partizanëve të vrarë prej nacionalistëve, ashtu siç e kam provuar edhe me fakte e dokumente në faqet e këtij libri, duke shënuar edhe numrin e të vrarëve për çdo krahinë, për çdo përpjekje e për çdo betejë, si edhe emrat e të rënëve.

3. Numri i mirëfilltë i dëshmorëve partizanë të rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, sipas studimit të dr.Karecos, është rreth 2.000 veta, po të zbresim nga shifra e përgjithshme viktimat partizane të Luftës civile. Kjo shifër është e përafërt me atë që shënon Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ribotimi i vitit 2009, për 2.397 dëshmorë gjithsej, sipas statusit të “Dëshmorit të Atdheut”.

Për numrin e përgjithshëm të viktimave të Luftës Civile, ende nuk është bërë ndonjë studim i plotë, por, nga sa parashtrova, numri i tyre është disa herë më i madh sesa ai i dëshmorëve të rënë në luftën antifashiste. Mjafton të përmendim luftën civile në Kelmend, nga 13.01.1945 e deri më 16 shkurt 1945, pra, për më se një muaj e gjysmë pa pushim, ndërmjet divizioneve dhe brigadave të Korparmatës I, nga njëra anë dhe nacionalistëve e malësorëve të Kelmendit, nga ana tjetër, një luftë frontale civile, që shkaktoi me qindra viktima nga të dy anët ndërluftuese.

Sipas raportit të shtabit të Divizionit II Nacionalçlirimtar, në këtë luftë u vranë 39 partizanë dhe u plagosën 48 partizanë të tjerë; ndërsa nga ana e nacionalistëve luftëtarëve malësorë ranë 44 veta dhe u plagosën 21 të tjerë. Ndërsa në gjithë Malësinë e Madhe, përgjatë Luftës civile atje, humbën jetën 137 malësorë, u burgosën 345 burra dhe u internuan 41 familje.

Vetëm në një komunë, në Kelmend, u vranë gjatë luftës civile 83 shqiptarë, partizanë e nacionalistë dhe u plagosën 69 të tjerë, përveç të pushkatuarve pas luftës, burgimeve, djegieve masive të shtëpive (34 shtëpi), konfiskimit të pasurive etj.. Ndërsa, përgjatë Luftës Antifashiste nuk u vra në Kelmend asnjë partizan apo nacionalist, pra, nuk ra asnjë dëshmor.

Kështu, raporti ndërmjet dëshmorëve të atdheut dhe viktimave të luftës civile në Kelmend, por edhe në gjithë trevat e tjera, është tejet i manipuluar dhe i shpërpjesëtuar. “Ndonëse humbjet për frymë të Shqipërisë ishin më të vogla, krahasuar edhe me Jugosllavinë, shumica e të vrarëve u shkaktuan nga vetë shqiptarët në luftë më njëri-tjetrin” konstaton historiani B.Fisher, ashtu siç dëshmojnë edhe dokumentet e paraqitura e të analizuara në këtë libër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura