Dokumenti/ Komisioneri Publik ankimon vendimin për Xhezair Zaganjorin, dyshime për ligjshmërinë e pasurisë

Oct 12, 2018 | 15:37
SHPËRNDAJE

Komisioneri Publik ka paraqitur kërkesën për ankimimin e vendimit të Xhezair Zaganjorin, kryetarin e Gjykatës së Lartë.

Zaganjori e kaloi me sukses procesin e vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik dhe ONM kanë ngritur dyshimet për ligjshmërinë e burimeve financiare.

Në dokumentin e dërguar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, deklarohet se ka dyshime nga analiza financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve të subjektit të Zaganjorit, duke marrë në përllogaritje të ardhurat e ligjshme, ku  rezulton se subjekti nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet vjetore për vitet 2011, 2012 dhe 2014, konkretisht paraqitur në formë tabelare si vijon:

tabela-financimi-xhezair-zaganjorit

“Kërkimi i ankimit 26 Nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, nenit, C/2, Ç, D dhe F/7 të aneksit të Kushtetutës, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriterin e pasurisë, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, Komisioneri Publik nuk krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave të tij, me qëllim arritjen e një niveli të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, sipas nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016;

27 Duke ritheksuar se Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, me qëllim që të garantojë mbrojtjen e interesit publik në procesin e rivlerësimit, duke vlerësuar në qoftë se vendimmarrja e Komisionit për konfirmimin ose shkarkimin e subjektit ose ndërprerjen e procesit të rivlerësimit është marrë në përputhje me ligjin, në përfundim të një hetimi të plotë, mbështetur në faktet dhe provat e administruara për këtë qëllim;

28 Nisur nga fakti se Komisioneri Publik është i detyruar që kompetencën e tij për të ushtruar ankim ndaj vendimeve të Komisionit ta mbështesë vetëm në aktet dhe provat e administruara gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, pa pasur mundësinë ai vetë, Komisioneri Publik, që të akses në burimet e informacionit dhe të disponojë për marrjen e provave;

29 Bazuar në nenin D dhe F të aneksit të Kushtetutës, neneve 30-34 dhe pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016; 30 Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhe në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë: – Ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura