Dokumenti i Tatimeve, çfarë do t’i kërkohet biznesit

Sep 3, 2015 | 7:30
SHPËRNDAJE

Kontrollet që Tatimet do të zhvillojnë në biznese do të fokusohen në gjashtë pika kryesore. Më herët, gjatë periudhës së gushtit, janë kryer disa kontrolle të ngjashme për të mundësuar që edhe inspektorët e rinj të krijonin idenë e asaj çka do të kërkohet në operacionin kundër informalitetit.

Akti i verifikimit që do të shërbejë si bazë për kontrollet
Akti i verifikimit që do të shërbejë si bazë për kontrollet
Gazeta “Panorama” disponon një akt verifikimi të ditëve të fundit, i cili përcakton edhe kërkesat që do të bëjë grupi i inspektorëve pranë çdo biznesi ku do të paraqitet.

KËRKESAT
Së pari do të kërkohet NIPT-i dhe pasja e tij, automatikisht e bën biznesin të ligjshëm dhe të regjistruar konform rregullave.

Pas kësaj, pika e dytë që kërkohet është instalimi i pajisjes fiskale. Së treti është lëshimi i kuponit tatimor. Pika e katërt lidhet me kontrollin për punonjës të paregjistruar. Pika e pestë është ajo e afishimit të listës së çmimeve, kurse e gjashta lidhet me tregtimin e mallrave pa pullë fiskalë. Për të gjitha këto pika dhe specifikisht për pullat fiskale administrata tatimore ka zhvilluar pak javë më parë edhe trajnime të veçanta për inspektorët.

Akti i verifikimi do të përfshijë emrat e dy inspektorëve që do të bëjnë kontrollin, si dhe emrin e pronarit legjitim të biznesit ose thënë ndryshe, tatimpaguesit. Mbajtja e këtyre kontrolleve do të bëhet për të gjitha bizneset dhe do të specifikojë në akt edhe adresat.

Për çdo rast kur do të konstatohen shkelje nga ana e Tatimeve, është përcaktuar përmes një udhëzimi edhe mënyra se si do të veprohet. Ky udhëzim u nënshkrua në muajin korrik nga drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj.

MASAT
Në rastet kur bizneset do të konstatohen se nuk kanë vepruar konform ligjit në ushtrimin e aktivitetit të tyre, do të ketë edhe masa që nisin nga gjobat te sekuestrimi i plotë i mallit. Për çdo rast që do të ketë kundërshtim apo rëndim të situatës nga ana e biznesit, inspektorët do të mbështeten nga Policia.

Kjo mbështetje duket se është dashur që në ditën e parë të aksionit, që ishte data 1 shtator. Referuar komunikatës së djeshme të Policisë së Shtetit konstatohet se ka filluar procedimi penal për shtatë shtetas.

“Më datë 01.09.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit F.Sh., R.K., A.O., A.Z., F.G., E.T. e G.K., vjeç 29, 23, 22, 30, 24, 24 e 30, banues në Tiranë, pasi dyshohet se te ’Medreseja’, për shkak të detyrës, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë së Rendit Publik. Neni 242 i Kodit Penal”, thuhet në komunikatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura