DOKUMENTI I PLOTE/ Vrasja në Belgjikë, viktima kishte lënë takim me prostitutën L.S, kur ra në grackë dhe u vra nga Mark Frroku

Mar 30, 2015 | 9:50
SHPËRNDAJE

Zbardhet shkresa e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me të cilën i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë arrestimi i deputetit Mark Frroku me akuzën e vrasjes.

Mark Frroku me pranga i shoqeruar nga policia

Në një relacion të detajuar, kryeprokurori Llalla shpjegon se Mark Frroku akuzohet nga Prokuroria belge për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, krim ky i ndodhur më 5 mars 1999.

Në shkresën e Prokurorisë thuhet se Mark Frroku gjatë qëndrimit në Belgjikë në kohën kur ka ndodhur vrasja, njihej me disa emra, konkretisht identitetet e përdorura prej tij sipas akuzës kanë qenë edhe: Besnik Morina, Dritan Frroku, Dritan Sofrani dhe Piro Sofrani.

KËRKESA E PROKURORISË PËR KUVENDIN
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tirana më datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë më datë 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr.2, të vitit 2015, për kryerjen e veprës penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur më 06.10.1972 në Pukë dhe banues në Tiranë, i njohur ndryshe si:Besnik Morina, Mark Frroku, i lindur në Gjakovë (Kosovë) më datë 6 tetor 1972, Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë (Kosovë) më datë 6 tetor 1972, Dritan Alias Piro Sofrani, i lindur në Kon;e (Shqipëri) më datë 2 korrik 1969, me kombësi serbe, pa vendbanim apo rezidencë fikse në Belgjikë.

Ngjarja
Më datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sfrani (Sofrani).

Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve.

Vajza me iniciale L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të.

Kristian Kristian, i njohur si Arjan Bytyci, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes. Një nga autorët e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, të viktimës Aleksandër Kurti më datë 05.03.1999, në Bruksel, është shtetasi Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik MORINA, Besnik VUKA, Arjan BYTYCI dhe Bib Lek DJAFA, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.

Duke qenë se nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit, me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë.

Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 janar 2014 për në datën 23 shkurt 2015.

Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Lidhur me sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme e Mbretërisë Federale të Belgjikës ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Mark Frroku.

Gjithashtu, për sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë ka regjistruar procedimin penal nr. 2, të vitit 2015, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura