Dokumenti/ Britanikët: Komunistët burgosën 1.200 shqiptarë para Çlirimit

Feb 22, 2015 | 15:43
SHPËRNDAJE

Komunistët shqiptarë kishin nisur një përgatitje të egër për ardhjen e tyre zyrtarisht në pushtet, duke mos u lënë asgjë në dorë rastësive. Dokumentacioni britanik hedh dritë mbi disa masa tepër shtrënguese të komunistëve, duke paralajmëruar kështu për diktaturën e egër që priste të kaplonte vendin për gati gjysmëshekulli.

Faksimile e raportimit të majorit Thornton më 27 nëntor 1944, nje ditë para parakalimit në Tiranë

Ndonëse data 28 Nëntor 1944 shënon edhe ditën zyrtare të ardhjes në pushtet të komunistëve, që nis me parakalimin në Tiranë, në fakt qeveria e përkohshme e Enver Hoxhës kishte nisur më herët nga puna. E ndodhur në Berat, ajo jepte urdhra edhe për likuidim dhe burgosje njerëzish. Në nëntor 1944, në Shqipëri ndodheshin një numër i madh oficerësh aleatë britanikë, të cilët raportonin për situatën në prag të ardhjes në Tiranë të komunistëve. Në dosjen me numër H55/74, që i përket arkivit të SOE në Arkivin Britanik, ndodhen telegramet sekrete të disa prej oficerëve nga nëntori deri në janar 1945. Këto telegrame që i niseshin komandës britanike në Itali, përmbajnë një informacion të rrallë në lidhje me lëvizjet në prag të pushtetit të trupave komuniste partizane.

Kështu, ndonëse zyrtarisht ende nuk kishin ardhur në pushtet, komunistët shqiptarë kishin burgosur afërisht 1200 shqiptarë para se të parakalonin në Tiranë më 28 Nëntor. Në një nga këto telegrame, majori Thornton raporton se në datën 27 nëntor, pra një ditë para parakalimit, Dali Ndreu i kishte konfirmuar se shumë prej shqiptarëve janë arrestuar me qëllim që komunistët të hynin sa më qetë në Tiranë. “Arrestimet vazhdojnë. Burgjet janë plot me një numër që mund të jetë më i madh se 1200 veta. Trajtohen në mënyrë të papërshtatshme në shumë raste. Ndreu pranoi se shumë prej tyre janë burgosur për shkak të ditës së Pavarësisë 28 Nëntor dhe do të lirohen më vonë. Kjo lloj politike do të bëjë që elementët demokratikë, që janë ende në liri, nuk do të jenë liderë dhe do të jenë të parëndë- sishëm. Raportohen sjellje antibritanike. Lëvizjet e brigadës së 12 në Jug janë me rëndësi”, raportoi majori britanik. Ishte e qartë për ta se komunistët po ushtronin dhunë mbi mjaft prej elementëve të spikatur të shoqërisë shqiptare të atyre viteve, të cilët njiheshin për shpirt të pavarur dhe nuk ishin angazhuar aspak në luftë.

Por, dukej që Tirana ishte më e goditura. Në një raportim të datës 22 nëntor nga Tirana e çliruar tashmë, majori britanik shprehet se kishte më shumë se 800 të arrestuar në burgjet e komunistëve. “Metodat e partizaneve shpalosen njësoj. Janë bërë 800 arrestime kryesisht politike, duke përfshirë edhe shtetas të njohur me një karakter individual. Sigurisht që nuk janë të gjithë bashkëpunëtorë. Shkohet shtëpi në shtëpi dhe në mënyra drakoniane u kërkohet banorëve të marrin pjesë në takimet e partisë. Pëshpëritet fushatë pro Rusisë dhe kundër aleatëve perëndimorë. Ka një kontroll të egër ushtarak me shtetrrethim dhe sekuestrime pronash, me përjashtim të atyre që kanë letra të partizanëve. Kështu mund të jetë çdo kryeqytet një javë pas largimit të gjermanëve”, raportoi më 22 nëntor majori britanik.

“KOLONA E 5-të”

Këto raportime ditore japin edhe informacion tepër interesant në lidhje edhe me mënyrën e veprimit në terren të komunistëve shqiptarë. Mjaft persona prej administratës së vjetër të qeverive që kishin punuar nën pushtim gjerman, ishin tashmë mbështetës të komunistëve, e madje po punonin sërish për ta në qeverisjen dhe administratën e tyre duke lënë përshtypjen e një kolone të 5-të brenda radhëve të administratës së vjetër që mesa dukej kishin kuptuar me kohë lëvizjen e balancës së pushtetit në vend. “Inxhinieri Treska, i cili ka punuar më parë në Ministrinë e Ekonomisë, tani është shef i ekonomisë dhe punëve civile në Prefekturën e Tiranës. Është përgatitur mirë për të raportuar te ne apo te qeveria e FNÇ. Sistemi i qeverisjes lokale është tërësisht i njëjtë, por këshillat e tyre imponohen nga lidershipi dhe entuziazmi i Partisë së re”, raportonte majori britanik.

Është i njohur fakti që në muajin tetor 1944 që ish-kryeministri Biçakçiu i kishte çuar fjalë Enver Hoxhës që pushtetin mund ta merrte në çdo kohë. Nga ana tjetër, ndonëse që në datën 1 nëntor 1944 qeveria provizore e Enver Hoxhës kishte lëshuar një urdhër që nuk njihte administratën e vjetër, por u bë fakt që shumë prej punonjësve të administratës së kaluar u vunë në shërbim të komunistëve.

VEPRIMET NË VERI

Një mision britanik prej 3 oficerësh, të udhëhequr nga kapiteni Dunkan qëndroi në Shkodër deri në datën 31 janar 1945, ku pati mundësi të dokumentojë mjaft krime të komunistëve shqiptarë. Ai personalisht mblodhi mjaft informacione nga qytetarët e Shkodrës, të cilat i nisi drejt qendrës në Itali. “Partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi pa asnjë dallim dhe kërkojnë para, ushqim, radio, rroba, makina shkrimi, makina, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qeta”, shkruan në mes të janarit kapiteni britanik. “Atmosfera është elektrizuese. Ka fjalë në qytet. Ka pasur edhe 200 arrestime dhe janë parë shtëpitë plot me civilë që i ruajnë ato. Mareshi po lufton në zonën e Koplikut. Hasan Isufi dhe Jup Kazazi kanë një numër të madh njerëzisht edhe në zonën problematike të Pukës. Në Mirditë ata kërkojnë nga një burrë për shtëpi”, raportoi ai më 26 janar. Britanikët mbikëqyrën edhe lëvizjet ushtarake, si dhe faktin që Mehmet Shehu u nis për në Veri pas datës 20 dhjetor, për të shtypur çdo lëvizje antikomuniste.

DOKUMENTI NR. 1

Sekret/ Majori Thornton, 22 nëntor 1944

1-Situata në Tiranë. Ka një imponim të plotë të qeverisë ushtarake. Komandant i garnizonit është Paskal Lena. Ka një sjellje strikte ndaluese për oficerët aleatë në lidhje me ardhjen e qeverisë në Tiranë. Ka një bërthamë njerëzisht të administratës së vjetër, të cilët janë emëruar në mënyrë të fshehtë nga FNÇ. Departamentet qeveritare ende nuk u përgjigjen punëve si duhet, sepse presin ardhjen e qeverisë së FNÇ. Inxhinieri Treska, i cili ka punuar më parë në Ministrinë e Ekonomisë, tani është shef i ekonomisë dhe punëve civile në prefekturën e Tiranës. Është përgatitur mirë për të raportuar te ne apo te qeveria e Frontit Nacionalçlirimtar. Sistemi i qeverisjes lokale është tërësisht i njëjtë, por këshillat e tyre imponohen nga lidershipi dhe entuziazmi i partisë së re. Metodat e partizaneve shpalosen njësoj. Janë bërë 800 arrestime kryesisht politike, duke përfshirë edhe shtetas të njohur me një karakter individual. Sigurisht që nuk janë të gjithë bashkëpunëtorë. Shkohet shtëpi në shtëpi dhe në mënyra drakoniane u kërkohet banorëve të marrin pjesë në takimet e Partisë. Pëshpëritet fushatë pro Rusisë dhe kundër aleatëve perëndimorë. Ka një kontroll të egër ushtarak me shtetrrethim dhe sekuestrime pronash, me përjashtim të atyre që kanë letra të partizanëve. Kështu mund të jetë çdo kryeqytet një javë pas largimit të gjermanëve.

2- Reagimi lokal. Ka pasur manifestime opozitare në disa takime të mbajtura nga një parti e vogël demokratike, ku përfshin edhe partizanë të cilët shprehen tepër në ankth me situatën politike që po ndodh. Dhe në mungesë të reagimit qytetar në takimet e para të Partisë ka duartrokitje për paradat partizane. Sjellja në përgjithësi ndaj këtyre elementëve është të mos bëhet asgjë deri në ardhjen e qeverisë në Tiranë. Duket që shumica e popullsisë sërish pret mënyra drejtimi që mund të vijnë nga qendra religjoni si Roma, Athina apo Ankaraja.

DOKUMENTI NR. 2

Sekret/ Majori Thornton, 27 nëntor 1944

Arrestimet vazhdojnë. Burgjet janë plot me një numër që mund të jetë më i madh se 1200 veta. Trajtohen në mënyrë të papërshtatshme në shumë raste. Ndreu pranoi se shumë prej tyre janë burgosur për shkak të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntorit dhe do të lirohen më vonë. Kjo lloj politike do ë krijojë që elementët demokratikë, të cilët janë ende në liri, nuk do të kenë liderë dhe do të jenë të parëndësishëm. Raportohen sjellje antibritanike. Lëvizjet e brigadës së 12-të në Jug janë me rëndësi. DOKUMENTI NR. 3 Sekret/ Kapiteni Durkan, 16 dhjetor 1944 Ka zëra në qytet (Shkodër). Nacionalistët janë mbledhur në Mirditë. Ka problem edhe në zonën e Gjirokastrës. Partizanët po luftojnë nacionalistët që drejtohen nga Halil Alija, Alush Marashi, si dhe djali i Markagjonit. Janë gjetur postera anti-komuniste në qytet. Të gjithë kundërshtarët politikë, por edhe britanikët do të largohen shpejt nga kjo zonë.

DOKUMENTI NR. 4

Sekret/ Kapiteni Uilkinson, 21 dhjetor 1944

Në lidhje me çështjen, Radocicka shprehet se Mehmet Shehu u nis në datën 20 dhjetor. Nuk e shprehu destinacionin, por la të nënkuptuar për në Veri. Nuk tha asgjë në lidhje me vizitën e gjeneralit Kadare. Nga informacione të besueshme, thuhet se u nisën të dy në datën 20, por ende nuk kemi informacion se ku konkretisht.

DOKUMENTI NR. 5

Sekret/ Kapiteni Durkan, 11 janar 1945 (Shkodër)

Partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi pa asnjë dallim dhe kërkojnë para, ushqime, radio, rroba, makina shkrimi, makina, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qeta. Fola në qytet me një piktor, me një shitës dyqani, murgeshë, punëtor, mjek, drejtor shkolle, hotelier, punonjës librarie dhe një rrobaqepës. Më thanë :”Ne smund të vazhdojmë më kështu. Pse britanikët nuk vijnë. Ne nuk mund të jetojmë kështu”.

DOKUMENTI NR. 6

Sekret/ Kapiteni Harlou, 11 janar 1945

Në lidhje me informacionin e oficeri Jimmy dhe i konfirmuar nga partizanë të pakënaqur.

1-Ka një numër të madh dezertimesh në radhët e partizanëve.

2-Ka një pakënaqësi në rritje në radhët e partizanëve në lidhje me numrin e shumtë të ish-ballistëve që kanë marrë pozicione të tilla si komandant kompanish në radhët e Ushtrisë partizane.

DOKUMENTI NR. 7

Sekret/ Kapiteni Durkan, 17 janar 1945 (Shkodër)

Kam marrë këtë informacion nga Ndoc Gora. Ai kishte qenë agjent në Shkodër për Mareshin. Ka foto me Mareshin dhe Zef Shepalin. Mareshi ndodhet aktualisht në zonën e Podgoricës me 500 burra. Mareshi ka kërkuar të kontaktojë britanikët në zonën e Podgoricës. Nuk më dha asnjë detaj për planet. Liderët katolikë kanë ndërmend të luftojnë. Të gjitha grupet po punojnë në mënyrë të kombinuar me Mareshin në Veri, Markagjonin në Mirditë dhe Jup Kazazin në zonat e Nënshkodrës. Njerëzit në male janë gati për të luftuar dhe bashkë me ta edhe njerëzit nga Shkodra, por nuk duket se ka shumë përgatitje për aksione. Mjaft njerëz janë kapur nga partizanët dhe dezertojnë. Por, edhe shumë partizanë po dezertojnë. Në zonën e Shkodrës nacionalistët mendojnë se do gjejnë arme dhe ushqime. Por, u duhet më shumë armë dhe ushqime.

DOKUMENTI NR. 8

Sekret/ Kapiteni Durkan, 26 janar 1945 (Shkodër)

Atmosfera është elektrizuese. Ka fjalë në qytet. Ka pasur edhe 200 arrestime dhe janë parë shtëpitë plot me civilë që i ruajnë ato. Mareshi po lufton në zonën e Koplikut. Hasan Isufi dhe Jup Kazazi kanë një numër të madh njerëzish edhe në zonën problematike të Pukës. Në Mirditë ata kërkojnë nga një burrë për shtëpi.

Erald Kapri 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura