Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi, miku i Qemal Stafës

Jan 31, 2012 | 15:08
SHPËRNDAJE

Lef Nosi kur ishte kryetar i kuvendit

Dokumente e fakte të panjohura nga jeta e atdhetarit të shquar

Rrethanat misterioze si u pushkatua miku i Qemal Stafës që ruajti kopjen e dokumentit të pavarësisë.

Dokumentin e Pavarësisë, pavarësisht mungesës së origjinalit, e kemi dhuratë nga Lef Nosi, studiuesi, intelektuali, politikani dhe atdhetari i shquar, që diktatura e vrau barbarisht fill pas mbarimit të luftës. Teksa kujton këtë konsideratë të studiuesit të njohur nga Kosova, Skënder Kosturi, njëri nga nipërit e Lef Nosit, zbardh historinë e panjohur për mënyrën si është ruajtur kopja e dokumentit të  Pavarësisë së Shqipërisë. “Ka qenë 25-vjetori i Pavarësisë, kur dajë Lefi, për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e dokumentit, e fotografoi dhe e shtypi në qindra kopje, duke ua dhuruar së pari familjarëve të nënshkrueseve.
Falë këtij kontributi, jo vetëm u bë e mundur ruajtja e tij, i vetmi që kemi nga akti i Pavarësisë, por u shmangën e dështuan përpjekjet e sundimtarëve të ndryshëm për të shtuar si nënshkrues të afërm të tyre”. Në dorëshkrimet e nipit tjetër, të ndjerit dhe të mirënjohurit Stiliano Nosi, zbulohet se kur Lef Nosi ishte në Tiranë si regjent, i ka kërkuar t’i çojë me shoqëruesin e tij dokumentin e Pavarësisë që e ruante në shtëpinë e tij në Elbasan. Sakaq, sipas kujtimeve të mbesës, Adelinës (e cila ka ndërruar jetë) dhe nipit, Vasilit, Lef Nosi gjërat më të vyera  i depozitoi në Bankën e Shqipërisë dhe çelësin ia besoi mikut të ngushtë, Aleksandër Xhuvanit. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, duke përkujtuar faktin që ai ka qenë ministri i parë i Postë-Telegrafëve në qeverinë e Ismail Qemalit, saktësojnë rolin e tij si themeluesi i Filetelisë së shtetit shqiptar. Sipas tyre, në drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”. (Pulla me vlerë 50 piastër, nga e cila janë emetuar vetëm 16 copë, është shitur në ankandin Chrystone të pullave të rralla 26 000 euro në vitin 2008.) Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar British Muzeumit 65 ekzemplarë të këtyre pullave, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre. Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz.
Pak radhë për jetëshkrimin
Kontributet e para të Lef Nosit në veprimtarinë atdhetare, politike dhe shoqërore datojnë në fundin e shekullit të XIX. Në vitin 1909 ai themeloi shoqërinë “Afërdita”. Në 1910 botoi të parën gazetë të qytetit të Elbasanit, “Tomorri “. Kontribuoi energjikisht për mbarëvajtjen  e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e Shkollës Normale. Pikërisht në këtë kohë u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi europian bëhen shkak që turqit e rinj

Skënder Kosturi dhe Marko Vashem në Izrael

ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Ndërhyrjet e patriotëve dhe opinionit ndërkombëtar bënë që dënimi të kthehej me internim në Bursë të Turqisë. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë dhe emërohet ministër i Postë-Telegrafave. Bën pjesë në delegacionet e qeverisë së Vlorës në Konferencën e Paqes për kufijtë e Shqipërisë, si dhe në delegacionet e pritjes së Princ Vidit. Më 1919 merr pjesë në Kongresin e Durrësit. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës. Si mik i Fan Nolit tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë.
Vitet e luftës
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes anti-komuniste Balli Kombëtar. Në vitin 1943 u bë kryetar i Kuvendit shqiptar dhe anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë  pushtimit nazist. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mid’hat bej Frashërit (1880-1949), një figure tjetër e qëndresës anti-komuniste. Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Asamblenë Kushtetuese që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur. Aty u zgjodh Anëtar i Regjencës. Në ditët e para të çlirimit, regjimi komunist kërkoi ta vërë në pranga. Në përpjekje për t’i shpëtuar goditjes barbare kaloi në jetë ilegale në Veri të vendit, e më vonë në Elbasan e Tiranë. Më 8 gusht 1945 u arrestua dhe u dënua me vdekje në gjyqin e zhvilluar në shkurt 1946. U pushkatua më 20 shkurt 1946 së bashku me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. “Të afërm dhe miq, thotë Skënderi, kanë pyetur veten se çfarë e shtyu Lef Nosin te rimerrej me politikë në moshën 70-vjeçare, dhe aq më tepër kur fati i Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur. Përgjigjen e jep biseda që kishte bërë me Lefin miku i tij, Afëz Musa Basha. Lefi i kishte dhënë këtë përgjigje: “Çunat janë të rinj, serbi jua ka me hile…”. Siç duket, një nga arsyet më madhore është fati i Kosovës.
Letërkëmbimi me Qemal Stafën
Familjarët e të njohurit e Lef Nosit kujtojnë një fakt të panjohur: Letërkëmbimin e tij me Qemal Stafën. Nga ky letërkëmbim ata ruajnë vetëm një letër që Qemal Stafa, student në Firence, i drejton Lef Nosit në kohën kur ky i fundit ishte i internuar në Itali. Letra, e cila ruhet nga Skënderi, datohet më 15 mars 1941. Letra fillon: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet… Letra përfundon: “Pëherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai.
Arkitekti i bibliotekës “Qemal Baholli”
Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan mban vulën personale të Lef Nosit. Myrvet Dhono, specialiste e fushës së albanologjisë, thotë se: “Lef Nosi ka dhënë një kontribut shumë të madh në bibliotekën “Qemal Baholli” të qytetit, që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor

Margaret Hasluck, mikja e Lef Nosit

të bibliotekës së asaj kohe. Si njohës mjaft i mirë i disa gjuhëve të huaja dhe studiues i vlerave dhe historisë së Shqipërisë, ai blinte rregullisht libra të shkruara për vendin tonë dhe ia dhuronte bibliotekës. Një ndër to është libri në gjuhën frënge me titull “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”. Sipas Dhonos, “ky libër i dhuruar nga Lef Nosi ka për autor Hyacinthe Hecquard, asokohe konsull në Shkodër, kavalier i legjionit të nderi, etj. Në të ka 516 faqe të shoqëruara me hartë, ku ekzistojnë katër vilajete. Kryesisht bëhet përshkrimi i vilajetit të Shkodrës e Tivarit. Në këtë libër flitet gjatë edhe për Elbasanin. Pasionin e Nosit për librat e përshkruan me hollësi Dora  D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”. Në fondin e Nosit në bibliotekën “Qemal Baholli” gjendet edhe libri me titull “Banka Kombëtare e Shqipnis”, çfarë dëshmon faktin që Lef Nosi ishte një studiues i mjaft fushave”. Në morinë e librave me vulën e tij mund të përmenden veprat me tituj, “Albania the master Key to the Near East”, shkruar nga Christo A. Dako, president dhe drejtues i Partisë Nacionale Shqiptare, me vit botimi 1919, libri “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915, e shumë të tjerë. Sipas studiueses Dhono, një vlerë të madhe të këtij personaliteti paraqet sistemi i dokumenteve historike përmbledhur në një vëllim të madh, ku trajtohen probleme të historisë sonë kombëtare, botim i vitit  1924. Në të ka dokumente që i përkasin harkut kohor 1912- 1918, si telegrame, letërkëmbime, fonograme, shkresa, kujtime etj. Aty  pasqyrohen shpallja e pavarësisë kombëtare, krijimi i qeverisë së  Ismail Qemalit, luftërat ballkanike, periudha e Princ Vidit etj.
I kryqëzuar nga tri regjime
Kështu ka ndodhur me të. Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund është pushkatuar nga komunistët. Shkak i prangosjes nga osmanët, sipas familjarëve dhe të afërmve, ka qenë përkthimi i dy artikujve nga shtypi i Parisit. Ndërhyrjet e patriotëve bënë të mundur që dënimi kapital I “turqve të rinj” të kthehej në internim në Brusë të Turqisë.  Falë ndërhyrjeve të miqve do shpëtonte edhe nga dënimi i italianëve që e degdisën në kampet e internimit. Po nuk do të ndodhte kështu me regjimin e Tiranës, së instaluar menjëherë pas Luftës. Duke iu kthyer kësaj të fundit, i nipi, Skënderi, rrëfen:  “Lefi kur kërkohej nga komunistët, u arratis, ndërkohë shtëpinë ia sekuestruan. Veç shumë dokumenteve, i rrëmbyen edhe veshje popullore, monedha të ndryshme, pulla, libra shumë të vyer, si dhe revista të ndryshme”.  Në dorëshkrimet e saj, e mbesa, Adelina, pohonte se Lefi po përpiqej të vërtetonte se gjuha shqipe është shkruar para Buzukut. Të gjitha këto burime sipas saj, i kishte nga zona e Shpatit, e luftonte për këtë punë”. Sakaq, Adelina kujtonte se në biografinë e Lef Nosit nuk është përmendur fakti që  ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kur në fakt ai ka qenë i pranishëm si delegat pa të drejtë vote. Duke pohuar këtë fakt, historiani Kujtim Bevapi shton se Lefi ka qenë partizan i Mjedës, At Gjergj Fishtës, në variantin shkodran të hartimit të alfabetit gjuhës shqipe. Si kryetar i shoqërisë “Afërdita” në Elbasan, Lef Nosi kërkoi që Kongresi i Manastirit të bëhej në Elbasan, por delegatët nuk pranuan dhe ai shkoi në kongres, por pa të drejtë vote. Nosi u pushkatua te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Jo rastësisht plumbat e asaj dite i morën jetën një katoliku, një ortodoksi dhe një myslimani. Ende sot nuk dihet vendvarrimi i tyre…
Letra për Enverin: Shpëtoni Nosin
Nga të rrallët bashkëkohës që ka kontribuar sadopak për t’i shpëtuar jetën Lef Nosit, kujtojnë të afërmit, ka qenë një e huaj: Margaret Hasluck, etnografia dhe sociologia skoceze që qëndroi një kohë të gjatë në Elbasan dhe njihej si mikja e tij. E ardhur në vitin 1923 në Elbasan, ku bleu tokë e ndërtoi një shtëpi, Margaret Hasluck qëndroi aty deri më 1939. Gjatë kësaj periudhe eksploroi  të gjitha viset shqiptare, veçanërisht zonat malore të Veriut. Për 13 vjet rendi nëpër zonat e skajshme të vendit e pasionuar pas folklorit dhe traditave të veçanta. Personalitetet e kohës, sikundër dhe miku i saj më i afërt, Lef Nosi, e kanë cilësuar si gjeografe, gjuhëtare, epigrafe, arkeologe, dijetare, etnologe e kulturës shqiptare. Margaret Hasluck në vitin 1932 botoi librin  “Albanian – English Reader”. Në të përmblidheshin 16 histori folklori të përkthyera me dy gramatika dhe fjalorë. Në kujtimet e Margaret nënvizohet se “pa përkrahjen e Lef Nosit nuk do të mund të kishte nxjerrë në dritë shkrimet e saj”. Miqësia e tyre mbeti deri në fund e sinqertë dhe fisnike. Në vitin 1946, kur Nosi ishte në burg, i kryqëzuar si “Kolaboracionist”, skocezja Margaret Hasluck mori guximin dhe e i shkroi një letër gjeneral kolonel Enver Hoxhës për t’i falur jetën Lef Nosit. Në të, ndër të tjera, në letër thuhet:  “Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë. Me nderime të nalta, shkëlqes  Margaret Hasluck d.v
Miku nga Izraeli
Familja Nosi ende ruan emër të nderuar në Elbasan, madje edhe më gjerë. Shërbimet që Lef Nosi i ka bërë kombit janë të gdhendura në kujtesën historike dhe atë njerëzore. Nipi i Nosit, Stilianua, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje, është i njohur si mjek i talentuar me karakter të spikatur human. Gjatë Luftës II Botërore familja e Nosëve strehoi shumë hebrenj nga terrori nazist. Mbas viteve ’90, ato u larguan drejt Izraelit, por njëri ndër ta nuk i shkëputi kurrë lidhjet me të. Hebreu Marko Menahemi, në vitet e komunizmit u dënua me katër vite burg, pasi ndihmoi familjen Nosi. Mbesa e Lef Nosit, Adelina Kosturi e djali i saj, Skënderi, mes shënimeve dhe librave të Lef dhe Stiliano Nosit ruajnë edhe disa nga letërkëmbimet mes izraelitit dhe familjes së tyre. Njëra ndër to i drejtohet fëmijëve të doktor Nosit dhe motrës së tij, Adelinës, duke rrëfyer historinë si e arrestuan për mbështetjen që i ka dhënë familjes Nosi gjatë regjimit komunist. Ja çfarë shkruhet në të: “Ishte muaji i nxehtë i qershorit të vitit 1944, kur ushtria gjermane më ndiqnte pasi kishte marrë informacione të sakta se unë isha izraelit. Mes shumë rekomandimesh të marra u drejtova në familjen Nosi në lagje “Kala”, ku jetonte dr. Stiliano Nosi bashkë me gruan e tij, Eleonora dhe djalin Vasil me nusen. Në këtë shtëpi u njoha edhe me motrën e doktorit, Adelinën, e cila ishte e martuar në Tiranë. Në të njëjtin oborr banonte edhe Lef Nosi, një nga tre regjentët e Shqipërisë në ato vite. Kur nisën kontrollet e gjermanëve në banesat e lagjes “Kala”, me ndihmën e doktor Nosit unë u dërgova në një dhomë në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi, e cila ndodhej në periferi të qytetit. Çdo ditë fëmijët e doktorit më sillnin ushqime. “Qëndrimi im, vijon Marko Menahemi, në këtë dhomë nuk do të ishte i gjatë, pasi u zbulova nga Gestapo dhe u arrestova. Familja Nosi bëri ç’ishte e mundur që unë të lirohesha nga qelitë e burgut. Mes shumë telasheve unë u lirova. Ato më strehuan në spitalin e tyre në Llixha të Elbasanit. Pas ardhjes së komunizmit, familja Nosi më kërkoi që të qëndroja në Shqipëri dhe të punoj në fabrikën e tyre, duke ditur se unë isha inxhinier e specialist në disa fusha. Vendosa të qëndroj me ta… Duke rikujtuar momentet e arrestimit të Lef Nosit, miku nga Izraeli, shkruan në letër: “Mbaj mend se një ditë (pas Luftës) më vjen Vasili, djali i Stilianos ( doktor), dhe më kërkon ndihmë që të fshihnim xhaxhain e tij, Lef Nosin, pasi e kërkonin komunistët. Unë, Vasili dhe babai i tij Stiliano shkuam në Tiranë te një mësuese, emri i së cilës ishte Fahrie Averiqi, në Rrugën e Kavajës. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim te Nako Spiro, (sekretar organizativ i Rinisë Komuniste pas vrasjes së Qemal Stafës) që Lef Nosi të dorëzohej vullnetarisht, sepse, duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje. Edhe pse nuk isha dakord, kërkuam Nako Spiron por ai nuk ishte, kishte shkuar me shërbim në Moskë. Në këtë situatë, Lef Nosi kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit se nuk e besoja këtë njeri, por panarësisht, rreth mbrëmjes e çuam Lefin tek ky njeri. Vasili shkoi dhe kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. E përcolla unë Marko Menahemi. Personi në fjalë, duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha “mos u bëj merak tani Vasil”. “Po atë natë Lef Nosin e arrestuan, dhe siç na tregon vetë në burg ku shkuam dhe e vizituam, vetëm pak minuta pasi e kishte futur në shtëpi, ky person i kish thënë “Lefi, të kërkojnë te porta”, ai sa hapi portën, e arrestuan”. Po atë natë do të arrestohesha edhe unë, bashkë me Vasilin dhe Stilianon, të cilët do të më përcillnin për në vapor, për të shkuar në Izrael”, vijon letrën Marko. Marko Menahemi u dënua me 4 vjet burg, vetëm pse ndihmoi familjen Nosi, dhe mundi të bëjë vetëm një vit e gjysëm. Ai qëndroi më pas në Elbasan, duke punuar në profesionin e tij si inxhinier, deri në vitin 1990. Sapo erdhi demokracia, ai u nis drejt Izraelit.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura