Dokumentet/ Si e mbylli Ambasada skandalin e cigareve të nipit të Hysni Kapos

Sep 5, 2017 | 10:09
SHPËRNDAJE

Zbulohet dokumenti i ’87-s i ambasadorit shqiptar në Vjenë, Idriz Bardhi. “U kërkua të paguhej garancia prej 70.000 shilingash për lirimin e Vullnet Thanasit”.

DASHNOR KALOÇI

Plot 30 vjet më parë, në javën e fundit të gushtit të vitit 1987, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, me anë të një telegrami shifër me siglën “tepër sekret”, mbërriti një raport-informacion i pazakontë.

Ambasadori shqiptar në Vjenë, Idriz Bardhi, informonte eprorët e tij në Tiranë për një ngjarje tejet të rëndë, që kishte ndodhur më datën 21 gusht në kufirin midis Austrisë dhe Çekosllovakisë. Në raport-informacionin në fjalë prej shtatë faqesh, ai përshkruante me hollësira dhe detaje lidhur me arrestimin e diplomatit shqiptar Vullnet Thanasi nga ana e autoriteteve policore austriake, të cilët e akuzonin atë për “kontrabandë cigaresh”, pasi e kishin kapur në flagrancë me 300 steka cigaresh që ia kishin gjetur në makinën e tij me targa diplomatike.

Faksimile e raportit sekret për Vullnet Thanasin
Faksimile e raportit sekret për Vullnet Thanasin

Sipas ambasadorit Bardhi, lidhur me këtë ngjarje kishin shkruar dhe gazeta austriake, “KURIER”, kopjen e së cilës ai ia kishte bashkangjitur raport-informacionit në fjalë që kishte dërguar me urgjencë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Po kush ishte Vullnet Thanasi, cila ishte e kaluara e tij, si ishte rekrutuar ai në radhët e shërbimit diplomatik shqiptar dhe çfarë pasojash pati ai nga ajo ngjarje, kur edhe pasi u lirua nga arresti (pas pagesës së majme që u bë nga pala shqiptare në një marrëveshje “xhentëlmenësh” me autoritetet zyrtare austriake), ai u hodh nga makina, pasi kishte goditur me grusht kolegun e tij diplomat (Kujtim Myzyri) dhe u arratis në drejtim të kufirit çekosllovak?!

Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia
Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia

Lidhur me këto, si dhe ngjarja e arrestimit të tij të mëvonshëm nga shërbimet sekrete çekosllovake dhe sjellja “pako postale” në Tiranë nga ish-kolegët e tij të shërbimit sekret shqiptar (Sigurimi i Shtetit dhe ato të Forcave Speciale RENEA), janë gjëra krejt të panjohura, pasi nuk janë bërë kurrë publike pas viteve ’90 dhe për to nuk ka asnjë rresht të shkruar në asnjë media.

Kjo edhe për faktin se personalisht vetë Vullnet Thanasi, apo dhe “kolegët” e tij, nuk kanë pranuar kurrë ta bëjnë publike këtë gjë, duke e mbështjellë gjithnjë e më shumë me mister atë ngjarje të largët të plot 30 viteve të shkuara. (Ndoshta dhe për faktin se ai e “pagoi” atë gabim që bëri duke vuajtur burgun në Qafë-Bari.)

Ambasadori Bardhi me stafin në Vjenë
Ambasadori Bardhi me stafin në Vjenë

I vetmi që ka shkruar disa radhë lidhur me ngjarjen në fjalë të Vullnet Thanasit është Hil Lushaku (ishkomandant për vite me radhë i Forcave Speciale, reparti 326 i Ministrisë së Brendshme), i cili në librin e tij “SPECIALET, ELITA E POLICISE SHQIPTARE” (Botime Mirgeerealb, Tiranë 2015, fq. 354), midis të tjerash në portretin që i bën kolegut të tij, Labo Gani Çapo, shprehet:

“Duke kujtuar stërvitjen dhe shërbimet e asaj kohe ai (Labo Çapo), sjell në vëmendje një shërbim ‘të posaçëm’ të kryer me sukses nga një grup sambistësh të përzgjedhur (Muharrem Abazi në krye), të cilët shkuan në Pragë dhe shoqëruan në Shqipëri një diplomat shqiptar, i thirrur Vullnet Thanasi, i stërvitur shumë mirë fizikisht, gjë e cila diktoi nevojën për sambistë shumë të aftë në të gjitha drejtimet”.

Por gjithsesi edhe pas këtyre pak radhëve të z. Lushaku, ngjarja e “rrëmbimit” të Vullnet Thanasit në Çekosllovaki dhe sjellja e tij “pako postale” në Shqipëri, mbetet ende mister. Dhe ajo që dihet tashmë për të është vetëm ngjarja që u bë shkak për arrestimin e tij, e cila bëhet e ditur vetëm nga këto dokumente arkivore tashmë të deklasifikuara dhe që publikohen për herë të parë në faqet e gazetës “Panorama”.

(vijon nga numri i kaluar)

AMBASADA E REPUBLIKES POPULLORE SOCIALISTE TE SHQIPERISE NE AUSTRI Nr. 183 Prot.

Vjenë më 26.8.1987

MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME Tiranë

Bashkëngjitur po ju dërgojmë informacionin në lidhje me incidentin që ndodhi me Vullnet Thanasin, si dhe kopyrën e gazetës “Kurier” të datës 24 gusht 1987 për këtë ngjarje.

A M B A S A D O R I (Idriz Bardhi)

I N F O R M A C I O N …

Po kështu doganierët vetëm sa kanë konstatuar se në makinë ndodhej kjo sasi cigaresh dhe kjo nuk përbën ndonjë shkelje të ligjit për futjen e paligjshme të cigareve në Austri ose për shitjen e tyre personave të tretë për qëllime fitimi, sepse ne ende nuk e kemi sqaruar çështjen dhe nuk dimë se për kë dhe çfarë destinacioni kanë këto cigare.

Prandaj mendojmë se faktet nuk janë krejt të qarta dhe ne na duhet të pyesim si në ambasadën tonë, se mos janë për pritjet që organizojmë ne, ashtu dhe Vullnet Thanasi, i cili ndodhet këtu në praninë tonë, por me të cilin akoma nuk kemi biseduar dhe sqaruar çështjen, aq më tepër kur ai na thotë se nuk është marrë mirë vesh me doganierët në kufi. Inspektori Zips dhe një prokuror që ndodhej aty afër na thanë se Vullnet Thanasi akuzohet për kontrabandë cigaresh, sepse kur është pyetur nga doganieri nëse ka cigare të tjera përveç stekës së deklaruar, ka thënë se nuk ka.

Më pas iu gjet sasia prej 300 stekash dhe kjo përbën shkelje të ligjit austriak. Duke qenë e tillë ne kemi të drejtë ta mbajmë të arrestuar në burgun e doganës Vullnet Thanasin, derisa të paguhet garancia prej 70.000 shilingash për lirimin e tij.

Ndërkohë, Vullnet Thanasi u tha shokëve tanë se ishte shumë i shqetësuar për të shoqen dhe dy fëmijët, të cilët i kishte lënë në qytetin kufitar Znajm, që në orën 14:30 dhe nuk dinte gjë për fatin e tyre. Ai, gjithashtu, u tha shokëve tanë se ishte në gabim dhe faj të rëndë, por donte që të interesoheshim për gruan dhe fëmijët.

Shokët i thanë që të mos shqetësohej se do të merrnin masa që atyre të mos u ndodhte gjë. Pastaj shokët tanë u thanë nëpunëseve të Doganës me korrektësi se nuk ka ndodhur ndonjëherë që një diplomat shqiptar të mbahej i burgosur, aq më tepër në Austri, me të cilën ne kemi marrëdhënie të mira miqësore.

Gjithashtu kërkuan që ky rast i paqartë të zgjidhej me frymën e mirëkuptimit, aq më tepër kur kishte shkaqe humanitare, siç ishte për shembull gruaja dhe dy fëmijët e të arrestuarit ndodheshin në një qytet kufitar, duke pritur që ai të kthehej dhe duhej të ishin shumë të shqetësuar.

Me gjithë argumentet tona, nëpunësit ngulnin këmbë që të paguhej me parë garancia, ose përndryshe Vullnet Thanasi do të qëndronte në burg.

Pas këmbënguljes sonë për të gjetur një zgjidhje, inspektori Zips tha se lirimi mund të bëhej vetëm nëse sqarohej që cigaret të ishin për Ambasadën tonë në Vjenë dhe tërhiqeshin në rrugë të rregullt nëpërmjet një deklaracioni të konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Austrisë.

Pas kësaj, në telefon u këshilluam me ambasadorin dhe shokët e tjerë të Ambasadës që ndodheshin në Ambasadë dhe u vendos fillimisht që të bëhej një deklaratë me shkrim dhe me vulën e Ambasadës që sasia prej 300 stekash cigare “Marlboro”, ishte e destinuar për Ambasadën tonë. Këtë deklaratë e kërkonte patjetër dogana.

(Vijon)

 

Vjenë, 25.8.1987

A M B A S A D O R I (Idriz Bardhi)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura