Dokumentet sekrete të Sigurimit: “Vetëm Xhaviti e nëna e tij kanë qenë me luftën, kurse fisi Qesja, ishin me Abaz Kupin dhe ata…”/ Historia tragjike e komunistit disident, që vuajti 32 vite burg!

Nov 24, 2021 | 7:33
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Pjesa  e katërt

qesPublikohet dosja arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Biografia e Xhavit Qeses dhe familjes së tij, e përpiluar në vitin 1957 nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, nëntoger, Arif Gjeta

 Punëtori Operativ i K.P.                                               Elbasan, më 21/XII/57

N/Toger (Arif Gjeta)

                                                         B I O G R A F I J A

                                                                      E

                                                   (Xhevit Hajdar Qeses)

Xhevit Qesja, i biri Hajdarit dhe i Sabrijes, lindur në Krujë dhe sot banues në qytetin Elbasanit, me profesion N/Punës, me arsim të lartë, i martuar me fëmijë, rrjedh nga një shtresë e pasur tregtar, i pa dënuar ndonjë herë, me nënshtetësi e kombësi Shqiptare.

Gjatë regjimit anti popullor të Zogut, po që ka mbaruar shkollën fillore në Qytetin e Krujës, shkon në Tiranë dhe ka vazhduar shkollën e mesme dhe po në Tiranë, lidhet me grupet e lëvizjes Nac. Çl. Ku në vitin 1942, arratiset në mal me një grup shokësh dhe në vitin 1943, bahet Komisari i Batalionit Krujë-Ishëm. Me këtë detyrë si Komisar Batalioni, ka qëndruar deri në Shtator 1944 dhe në këtë kohë Formohen Brigadën 23 dhe ky emërohet Komisar i Brigadës 23. Mbas Çlirimit bëhet Komisari i Divizionit me gradën N/Kolonel dhe më vonë shkoj në Komitetin Qendror të P.P. Shqipërisë.

Qëndrimi i familjes dhe fare fisit:

Në kohën e Zogut, baba i tijë në Krujë, ka qenë tregtarë ma i madh në Krujë dhe njëri që ishte i lidhur me Abaz Kupin. Në kohën e fashizmit si familje ma e pasur si në qytet dhe në fshat që kanë pasur një të tretën e tokës dhe një sasi të madhe, Dhen e Dhi, Lopë, të cilat i kishte lëshuar nëpër fshatrat për gjysëm, i cili me anën e kësaj pasurie, dominonte mbi fshatarin.

Ardhjen e fashizmit Italian e Gjerman në vendin tonë kjo familje e ka pritur mirë dhe fakti tregoj se në përgjithësi familja e Xhavitit e kanë luftuar Lëvizjen Nac. Çl. Përveç Nanës së Xhavitit, që kjo e ka ndihmuar të birin e saj (Xhevitin) me sende ushqimore, qysh prej kohës që është arratisur, Xheviti nuk ka shkuar në shtëpinë e vet, por strehohej tek kuzhinieri i tija, Sabri Qesja, i cili ka qenë baza kryesore e lëvizjes Nac.Çl. në qytetin e Krujës. Por vlen të theksohet se Xheviti, dhe mbas çlirimit të vendit, ai nuk ka shkuar më në shtëpinë e tij, d.m.th. tek Baba dhe Xhaxhallarët e tij.

Xheviti për veç kushëririt tija, Sabri Qeses dhe vëllait të tij Xhaf Qeses, i cili është A.P. dhe me punë pranë Kom. Partisë Durrës, që kanë qëndrim të mirë, ndërsa të tjerët nuk kanë qëndrim të mirë dhe që një pjesë nga farefisi i tijë, përpunohen nga ana tonë për aktivitetet armiqësore kundra pushtetit tonë popullor.

Përsa i takon qëndrimit të Xhevitit, mbas çlirimit ai nuk ka banuar në këtë qytet, por ka qenë gjithmonë me punë në Tiranë dhe në rrethe të tjera, si në Berat e tjera, ku ishte Sekretari i I-rë Kom.Partisë.

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, me të dhënat e bashkëpunëtores së Sigurimit me pseudonimin “Vjollaca”, lidhur me ndjekjen dhe survejimin që i ka bërë Xhevit Qeses!

MARRË NGA P. OPERATIV                                                       DHËNË NGA B.P.

Kapiten (Avni Mehmeti)                                                              “Vjollca”

                                                                                                    Nr._____

                                                                                                   Elbasan më 4/1/58

                                                        R A P O R T

Burimi njofton se me datën 27/12/1957, ditën e premte në orën dhjetë para dite, u bë mbledhja për realizimin e planit dhe mbas mbarimit të mbledhjes, ai shkoj në Turizmi dhe aty ka takuar me Agron Frashërin, ku ishin prezentë Niko Adhami dhe Qamil Preçi, në muhabete e sipër ra fjala e kontrollit dhe e pyetjeve të bëra nga i deleguari i Ministrisë të Industrisë, në lidhje me shishet e alkoolit dhe sasitë e reçelit të tërhequra nga konservimi për kampion në zyrën e drejtorit, si dhe pyetjen e disa njerëzve për paradhënie në formë huaje nga nënpunësat e tjerë.

Lidhur me këtë, Agroni tha: Unë këto gjera i morra vesh në Tiranë dhe se qëllimi i mbledhjes nuk qe për realizimin e planit, por ishte puna tek unë, për të gjitha këto gjëra unë i kam marrë me dokumente të rregullta.

Mbasi u larguan dy të tjerët, mbetëm të dy me Agronin dhe vëllain e tij, Agroni tha në vazhdim, se: përsa i përket alkoolit dhe reçelit, jam urdhëruar nga ministri që të siguroj kampionët. Pastaj Agroni më tha që: ruhu se nuk të kanë me sy të mirë dhe qarkullojnë shumë fjalë për ty në lidhje me marrëdhëniet me femrat, prandaj ki parasysh këto gjëra që të thashë.

Më pyeti se çfarë të thanë për mua, unë i thashë se më pyetën për paratë që të kam dhënë hua, apo jo, dhe i thashë se këto janë çështje personale dhe u thashë se nuk kanë ç’u duhen juve, ndërsa për reçelrat, i thashë se i ka marrë për kampione dhe i ka në zyrë.

Këtë natë, më këshilloi që të jemi të matur mjaft, se nuk të shohin me sy të mirë, kjo vjen se ti shoqërohesh me mua. Më datën 29 apo 30 dhjetor 1957, në orën 4.30 pasdite, erdhi në Fabrikën e Marmelatës Xhavit Qesja dhe Angji Faber, në muhabet e sipër, ra fjala për mbledhjen që bani Jani Fullani, ndër të tjera, pyetjet që i banë të deleguarit të Ministrisë, këtij për Agronin.

Agroni i tha Xhavitit, se e kam këshillue që të ruhet nga fjalët dhe Xheviti më tha, që të ruhem nga fjalët, sepse e din se si ngrihet pastaj puna.

                                                                                        “Vjollca”

 Detyrat:

  1. Kur të kesh rastin që të bisedosh me Agronin, mbi ngjarjet e jashtme, pyete rreth qëndrimit jugosllav për çështjen e deklaratës të bërë në Moskë nga 12 partitë e vendeve të Demokracive Popullore, pse nuk i firmuan, ndërsa manifestin e paqes, e firmuan?!
  2. Mbasi t’i bësh këtë pyetje, thuaji se unë nuk e kuptoj këtë qëndrim të tyre, apo ata nuk e quajnë veten e tyre që janë në kampin socialist.

Punëtori Operativ

Kapiten Avni Mehmeti

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pëllumbi”, për ndjekjen dhe survejimin e Xhavit Qeses!

Marrë nga P.Op.                                                    Dhënë nga B.p. “Pëllumbi”

Kapiten Avni Mehmeti                                         Elbasan, më 10.1.1958

                                                 R A P O R T

Burimi njofton, se në muajin nëntor ai ishte takue me Xhavit Qesen, Nazim Batallin, e Maqo Lenën, të cilët vajtën tek Gaqo Ligori, i cili i thirri për drekë. Mbasi filluan të pinë disa gota, nga ana e Nazimit u ngritën dy tre herë shëndeti i Xhavitit, duke u shprehur me këto fjalë: “Ta pimë këtë gotë për shëndetin e shokut Xhavit, duke i uruar t’i plotësohen sa më shpejt qëllimet e tija”.

Këto fjalë ai i shprehu disa herë dhe kuptohej se e kishte fjalën për t’u plotësuar mendimet dhe shfaqjet e Xhavitit. Kur ngriheshin këto shëndete, Xhaviti falenderonte dhe pinte raki pa thënë asnjë fjalë.

Gjatë muajit dhjetor, ai kishte shkuar në katundin Shtermen të Cërrikut, bashkë me Xhavit Qesen dhe disa shokë të tjerë, që kur vajtëm në kooperativë, Xhaviti, filloj të tallej me llogaritarin e kooperativës, duke i thënë se ti do të zësh vendin e kryetarit, etj.

Kur Gaqo Ligori kërkonte që t’i jepnin tepricat e bereqetit, Xheviti ndërhynte, duke u shprehur me këto fjalë: “Aman, nga këto pret të marrësh teprica, këta nuk të japin, unë e di me siguri, se këtë nuk japin drithë”!

Një gjë e tillë inkurajonte në mënyrë negative fshatarët që të mos jepnin teprica dhe në fakt këto shprehje bënë efekt, mbasi atë ditë fshatarët nuk dhanë asnjë kilogram tepricë në kooperativë.

Në një bisedim që pati me kryetarin e kooperativës të katundit Gjocaj të rrethit të Peqinit, ky i fundit i kishte thënë, se atje kishte qenë Xhavit Qesja dhe kishte marrë pjesë në mbledhje, nuk kishte folur asnjë fjalë si njeri i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut, d. m .th., ashtu si vajti, ashtu dhe u kthye, duke mos lënë përshtypje të mirë.

Burimi njofton gjithashtu, se në çdo rast për punën e tij, X, t’i tregohet shumë indiferent dhe i ç’mobilizuar. Në një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut ku analizohet çështja e grumbullimit, morën vendime, Xheviti me të tallur, i shkruante Asllan Veliut në një copë letër, këtë fjalë: “Tani që u regjistrue në protokoll, çdo gjë bëhet”, si d.m.th., me tallje, çdo gjë do të realizohej.

                                                                                   “Pëllumbi”

 Detyrë:

  1. Mundohu që kur ka raste që Xhaviti shkon për punë, shko dhe ti dhe gjatë kohës do të qëndrosh me të, mundohu të gjesh shkaqet që bisedojnë rreth heqjes së tij nga Shkolla në Bashkimin Sovjetik dhe me punën në Elbasan. Në këto raste të mësosh se si e ka pritur ai masën për detyrën dhe masat e marra kundër tij.
  2. Mbasi të kesh folur dhe kur ai të ketë krijuar besimin te ty, duke treguar gabimet e tija dhe mendimet mbi masat e marra nga Partia, pyete rreth shprehjeve të Nazimit në shtëpinë e tij, duke ja bërë në mënyrë sikur ty nuk të pëlqen qëndrimi i Nazimit, pasi ashtu është formë provokuese.

                                    Punëtori Operativ

                            Kapiten Avni Memhemti

 

MARË NGA KAP. AVDYL VOGLI                    DHËNË NGA B.P.”SHPATA E DREJTËSISË”

           DATË 11/11/1958

                                                     RAPORT I DATËS 11/11/1958

Burimi para dy javëve është takuar me Hajdar Ferrën (daja i Xhavit Qeses), në bisedim e sipër burimi pyeti se ku ndodhet me punë Xhaviti, Hajdari tha se ndodhet në Elbasan, si Zv. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv K.P. Qarkut. Hajdari shtoi në mes të tjerave se Xhavit Qesja, ka pasë pozitë, por e pësoi nga mendjemadhësia dhe deshi të shesë mend në Moskë, duke e akuzuar udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit të ish Rep. Punëtore Hungareze. Xhavit thoshte, se për mendimin tim, përgjegjësi kryesore ka udhëheqja, e cila nuk ka qenë vigjilente dhe lejoi ndërhyrjen kundër revolucionare në Hungari. Hajdari tha, çfarë i duhesh kjo punë Xhavitit, mbasi ka të tjerë që e gjykojnë, por të shikonte shkollën, por kjo ka ardhur kryesisht pse Xhaviti është mendje madh dhe ishte konsekuent në pikëpamjet e tij, prandaj e pësoi.

 “SHPATA E DREJTËSISË”

Detyra:

  1. Ju dha si detyrë B.P. që kur të takohet në t’ardhmen me Hajdar Ferrën, të bisedojë me këtë, lidhur me ç’ka ai ngren për Xhavit Qesen, t’i thotë atij se nuk besoj që Xhaviti, të ketë bërë gabime të këtilla për çështjen Hungareze, duke i thanë se Xhaviti, nuk mund të bjerë në gabimet të tilla, sepse është i ngritur nga ana ideologjike.
  2. Nëse Xhavit Qesja, mund të vijë ndonjëherë në Durrës, në atë kohë, ki parasysh nëse mundtë marri kontakt me Peço Kagjinin.

              MASAT OP

Të shtypet në një kopje dhe të dërgohet Drejt P. Brendshme Qarkut Elbasan.

Kap. AVDYL VOGLI

                                               Dt.11/11/1958

 Marë nga P. Operativ                                          Dhënë nga bashkëpunëtori

N/Kolonel (Shim Kolli)                                                    “Skëndi”

                                                         RAPORT

Ai ndenji në një vend me Xhavit Qesen, në mbledhjen e aktivit bujqësor që u organizua në Elbasan, me rastin e dhënieve të dekoratave Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qarkut Elbasan, në të cilin asistoj sh. Mehmet Shehu.

Pas mbledhjes, Xhaviti i tha se nuk ishte dakord me shprehjet e sh. Mehmet Shehu, në lidhje me Jugosllavinë. Xhaviti i tha atij, se në një anë sh. Enver deklaron, se ne do të forcojmë marrëdhëniet me Jugosllavinë, në anën tjetër Mehmet Shehu, tha se vendi jonë po të kishte ndjekur politikën tjetër, do të pësonte si Kosova. Kjo nuk është e drejtë tha Xhaviti, se Jugosllavët janë në rregull dhe këtë e di gjithë bota, vetëm udhëheqja jonë e injoron, vetëm për arsyet personale, interesi i vendit tonë është që të jemi mirë me Jugosllavët.

                                                                                          “Skëndi”

Detyrë:

  1. Bisedë me Xhavitin, duke e pyetur se si u bë puna, me rastin e organizimit të ri dhe si e shpjegon ai vetë, këtë çështje që mbeti jashtë kuadrit.
  2. Shko në Durrës dhe takoje S. Sadedinin
  3. Me Agronin kur të rrish bëji ndonjë provokim të vogël, mbi pozitën e tij./Memorie.al

Elbasan më 15/XII/1958                                             N/Kolonel (shim Kolli)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura