DOKUMENTET SEKRETE/ Ambasadori i SHBA në 2009: Tom Doshi i lidhur me trafikun e drogës

Mar 3, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Raportimet që bënte ish ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhërs në Departamentin e Shtetit e paraqesin Tom Doshin një biznesmen që dyshohet se ka lidhje me trafikun e narkotikëve.

Ish deputeti i PS, Tom Doshi dhe ish ambasadori i SHBA ne Shqiperi, Xhon Uidhers

Dokumentet sekrete të bëra publike nga WIkileaks përmendin në të paktën 3 raste Tom Doshin.

Ish ambasadori Uidhërs flet gjithashtu edhe për presionet që Doshi i bënte Ramës që të mos jepte dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009 pasi ai kishte investuar 500 mijë euro në fushatë.

3 shtator 2011

Tom Doshi është deputet në Shkodër dhe është veçuar nga raporti i të Drejtave të Njeriut për një sulm fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton. Ai ishte një figurë kyçe në financimin e fushatës së PS. Ai njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh. Doshi ka shërbyer edhe në Parlamentin e mëparshëm si deputet me PD, përpara se të kalonte me PS-në në këto zgjedhje.

5 shtator 2011

Disa deputetë (të PS) janë banditë të thjeshtë. Këta deputetë e kanë bërë pasurinë e tyre përmes mjeteve të ndryshme dhe kanë tendencë për të ndryshuar parti, në qoftë se biznesi ua kërkon këtë. Ata mund të jenë shumë të pasur, kanë arsimim minimal dhe mund të jenë të dhunshëm. Shembulli klasik është Tom Doshi, i cili është deputeti më i pasur i deklaruar, me një pasuri të vlerësuar në 10 milionë euro, dhe që drejton biznese ndërtimi, farmaceutike dhe biznese të qumështit. Ai dyshohet gjithashtu edhe për drejtimin e disa ndërmarrjeve jo dhe aq ligjore.

6 shtator 2011

Duke folur më në përgjithësi, Blushi tha se zgjedhjet kanë mbaruar dhe PS-ja duhet të pranojë humbjen e saj dhe të lëvizë përpara. Ai mendonte se ankesat për Fierin, Beratin dhe rajonet e tjera nuk do të kishin pasur shumë ndikim; PS-ja thjesht humbi zgjedhjet.

Ai përmendi dy arsye kryesore për dështimin e PS-së: kandidatët dhe koalicionet. Sipas Blushit, shumë prej kandidatëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë zgjedhur personalisht nga Rama me pak konsultim ose aspak, nuk ishin të përshtatshëm për detyrën dhe kualifikimi i tyre i vetëm ishte besnikëria ndaj Ramës.

Ai u ankua për disa kandidatë, të ashtuquajtur “banditë” ose “truproja”, si Tom Doshi nga Shkodra dhe kandidatët e tjerë të diskutueshëm në Lezhë dhe zona të tjera. Blushi tha se PS-ja nuk mund të tolerojë individë të tillë brenda saj dhe duke vepruar kështu ai e ka kthyer partinë njëzet vjet mbrapa.

Ai tha se Doshi i ka thënë Ramës se nuk mund të japë dorëheqjen si kryetar, pasi Doshi kishte investuar 500 000 euro në zgjedhjet në Shkodër dhe se ai donte t’i ktheheshin këto para. Blushi tha se paratë e shpenzuara ishin pa dobi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura