DOKUMENTET/ Punësimi i mësuesve, një javë afat për të aplikuar! Skema e re, si do rekrutohen arsimtarët e papunë

Jun 17, 2021 | 15:28
SHPËRNDAJE

mesues-1

BESARTA BASHA/ Mësuesit që duan të vihen në radhë për një vend pune gjatë vitit të ardhshëm shkollor duhet të bëjnë gati dokumentet për të aplikuar në portalin ndërmjetësues të punësimeve.

“Mësues për Shqipërinë” është hapur më në fund dhe ka një datë limit për pranimin e dosjeve, data 25 qershor. Është Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ajo që jep njoftimin, vetëm pak ditë pas reformimit të mënyrës se si do të rekrutohen mësuesit.

Në pak vite, udhëzimi për punësimin e arsimtarëve u është nënshtruar tri herë modifikimeve, fillimisht duke futur testimin në vlerësimin final e më pas duke ndryshuar e rindryshuar tabelën e pikëzimit të dosjes profesionale. Deri dje ishin mësuesit me përvojë që ankoheshin si të lënë pas dore e tanimë janë të rinjtë.

APLIKIMI NË PORTAL

Një paketë me plot 13 dokumente duhet të bëjë gati deri në fund të javës tjetër çdo mësues i papunë, me qëllim që të futet në rankimin ku fiton më i miri. “Kandidati që dëshiron të ushtrojë profesionin e mësuesit dhe të marrë pjesë në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’ 2021 duhet të regjistrohet online në portal deri në datën 25.06.2021.

Kandidati do të ngarkojë në platformën e aplikimit online dokumentet për konkurrim dhe një kopje të dokumentacionit të ngarkuar online e dërgon nëpërmjet shërbimit postar në DRAP-in ku ka qendrën e banimit”, nënvizohet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit, postuar në rrjete sociale dhe jo në faqen e saj apo portalin e mësuesit, faqet zyrtare ku pritej informacioni.

Procedura e radhës, administrimi dhe vlerësimi i dosjeve, sipas DPAP-së, duhet të përmbyllet brenda gjysmës së parë të muajit korrik, duke nënkuptuar kështu se pas datës 15 do të realizohet testimi i informatizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Kjo e fundit do të hartojë një kalendar datash me mësuesit në rrethe që japin provimet. Vlen të theksohet se aplikimin në portal duhet ta bëjë çdo mësues që kërkon të zërë vend. Gjatë procedurës së regjistrimit do të zgjedhë nëse vendos të ruajë pikët që ka nga viti i kaluar apo t’i nënshtrohet testimit për të fituar me tepër. Pikët e dosjes mblidhen me atë të testimit për të përcaktuar renditjen finale për çdo profil në zonat arsimore.

EMËRIMET E REJA

Në 10 qershor ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka firmosur udhëzimin e ri për procedurat e pranimit dhe emërimit të mësuesve në institucionet arsimore publike. Në vija të përgjithshme nuk ndryshon shumëgjë në dokument, i cili i qëndron thuajse pikë për pikë procedurës së rekrutimeve sipas udhëzimit nr. 13, datë 22.06.2019.

Thelbi qëndron te tabela, kriteret dhe skema e vlerësimit të dosjes së kandidatëve. Së pari, është përgjysmuar numri i peshës së notës mesatare në skemën e vlerësimit të dosjeve, ndërsa kualifikimi i mësuesve vlerësohet deri në dhjetë pikë, nga katër të tilla. Njohja e gjuhëve të huaja, mangësi e shumicës së mësuesve me eksperiencë shumëvjeçare, zbehet nga 4 pikë në vetëm 2. Krediteve iu jepet pakgjë më shumë peshë, ndërsa ajo që vë vulën dhe është futur rishtazi në tabelën e vlerësimit është eksperienca e punës.

Nga 0.5 pikë për çdo vit pune. Dukshëm, një mësues që sapo ka marrë licencën e humb garën në raport me një mësues me përvojë 20-vjeçare, që merr automatikisht dhjetë pikë vetëm në këtë tregues. Sipas udhëzimit të shkuar, pikët më të mëdha vinin nga testimi, i cili mbante 80% të peshës në provim, ndërsa vetëm 20% vijnë nga dosja ose përgatitja profesionale.

dokumentet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura