Dokumentet në revistën “Letra”, Letrat e Koliqit: “Si futa arsimin shqip në Kosovë dhe mora në punë Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin”

Apr 29, 2013 | 8:38
SHPËRNDAJE
Ernest Koliqi

Botohet letërkëmbimi mes Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit.

“N’botën shqiptare, s’e kuptoj pse un njifem si intrigant, shpirt-keq, e shum kush m’urren pa pasë folë kurr me mue”

Atje ku ishte nuk i mungonte gjë. Jeta studimore e kërkimore i shkonte mbarë, jepte mësim, bënte hulumtime…, por për Ernest Koliqin ishte e papranueshme që të quhej tradhtar në vendin e tij. Ishin vitet ’50 dhe tashmë në Shqipëri ishte vendosur regjimi komunist. Shkrimtari Ernest Koliqi ishte shpallur “armik”. E duket se kjo ishte brenga e madhe e shkrimtarit. Këtë na e tregon një letërkëmbim mes tij dhe Karl Gurakuqit, mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, përgatitur nga Dhurata Shehri dhe Agron Gjekmarkaj, botuar në revistën kritike “Letra”, botim i Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë, Tiranë. Në këtë letërkëmbim, Koliqi na shfaqet zemërhapur, teksa i tregon mikut të tij çka e shqetëson. Si për të qetësuar veten, ai radhit në njërën syresh gjithçka ai kishte bërë në të mirë të arsimit në kohën kur ishte ministër gjatë periudhës së pushtimit italian…

Ernest Koliqi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi, Koço Tashko

Romë, 16 – 3 – 1951
I dashuni Karl
Më ka ra në dorë me kohë letra e jote. Petraqi (Petraq Vuçani – shënim i redaksisë) me gojë më vuni në dijeni për punët e atyshme. Ai Ty të don. Or e ças ia ban profesori tha këtë, shkoi aty, foli kështu. Më kallzoi qi kujdesesh për ta. Të falem nderit q’i don, i këshillon e i përkrahë. Thueju të mos merrem me politikë pa krye studimet. Kanë kohë se kur me e prishë gjakun vetes. Tashti t’ia venë menden mësimeve, bukuris së natyrës e t’artit, grave (me masë). Politika e mplakë njerin para kohe. Ata t’a ruajnë sa më gjatë atë thesar qi asht rinia. Mue e ty, mjerisht na shpëtoi doret. E po themi vetëm doret! Artikujt të tuj, jo vetëm pranohen, por kërkohen. E ke për ne asht botue ai i pari.
Ky i dyti, qi i çove Ismailit (Ismail Verlaci – shënim i redaksisë), do të botohet në numrin e ardhëshëm.
Për punën t’ande s’asht nevoja qi të më porositish m’u kujdesue. E kam përher para sysh. Shpresoj me vjetin e ri akademik diçka do të bahet. Mos shpreso përpara, veç më baftë Zoti mrekulli. Ndër këto dit do të këthehem në Relazioni Culturali ku tash prap asht emnue nji mik i em. Jam gzue shum për Spiron: njiherë për operacionin qi i shkoi mirë e mbandej për rregullimin (ashtu si mund u bante) të pozitës së tij shkollore. Për Pashkë po shkoj në Rapallo: mësimet do t’i rifilloj me 3 prill. Sivjet kam zhvillue kët argument: “La poesia di Naim Frashëri e gli influssi orientali nella letteratura albanese”. U detyrova të lexoj historinë e letersis persiane e vjershat (në nji anthologji frengjisht ba mirë) të Hafizit e të Rumiut….
I fola Ismailit dhe më premtoi qi për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukvet të gjuhës shqipe nepër radjo të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeh as të ftoftë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si Shqiptar i mirë në rrethanat më të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata qi më njofin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi më je gjetë pranë si bashkëpuntor në rasat më kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës s’eme këshilltarët italjan nuk pijshin uj. Pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, permirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip. Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (mos ta merrshim në sherbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene). Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë. Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë. Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë: Unë e solla Italinë, unë desha t’a çrrënjosi shqiptarizmin (tue botue tekste shqip), unë vetëm u pasunova, unë shtypa intelektualët. Unë e dërrmova arsimin tue ngranë si katallanjt nji profesor në çdo mëngjes, dy mësuese në drekë e nji drejtor konvikti ferlik të pjekun në hell në darkë. A jam i zoti, a s’jam? Unë i vetëm me ba të gjitha këto punë? Kur e mendoj, fryhem si bibani prej krenis (sidomos kur më kujtohet se kapa telefonin e i thashë Musolinit): urdhno e merre Shqipnin, pse po t’a shes me çmim të lir! Edhe Musolini mbas telefonatës s’eme erdh e e mori?! A jam i zoti!
Shëndet e të mira ty e zojës   
Ernest Koliqi

Ernest Koliqi, Asdreni, Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci me orkestrën “Rozafat”, 1938

Romë, 9 korrik 1955
Karl shum i dashun,
Tash sa dit kam këtu në tryezë para syve letrën t’ande më 19. VI. Jo pritesa, por mungesa e lajmeve të mira më kanë shterngue t’a vonoj përgjigjen. Por t’i kapim punët për s’mbarit! Si mos me më ra ndër mend për Ty, lum Karli? Ti m’njef e din, se jam i prirun kah miqsia e marrëdhënia e përzemërt: kurrë s’kam dhanë shkak qi kush të prishet me mue: kur mujta, nuk u kurseva me ba ndera të njoftunit dhe të panjoftunit. Mirpo, n’botën shqiptare, nuk e kuptoj pse un njifem si njifarë berberi, si intrigant, shpirt-keq, mizuer, e shum kush m’urren pa pasë folë kurr me mue. Ata qi dikur m’ishin afër e sot janë largue dhe qi gja s’lanë pa trillue kundra meje në katër anët, më morën në mëni kot, pa asnji arsye konkrete. Pyet: shka u bani Ernesti?? S’kanë me ditun të përgjegjen me arsyen konkrete. E përditë shtohen ata qi më sulmojnë. Zyrat, italjane, amerikane, inglize etj janë plot (kush para) me raportue sidomos kundra meje: mason, aventurier, agjent zyrash sekrete çarlatan etj. etj. Nji amerikan, tash nja dy muej më tha: “e dini pse shumica e Shqiptarvet ju lufton: pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa merr vesh vetë më i oksidentalizuemi ndër shqiptarë”. Kjo cilsi s’asht vetëm e imja po e të gjithë shkodranve. Ai amerikani më njifte vetëm mue. Po sikur të njifte D. Lazrin, P. Bernardinin, Ty etj do të kishte dhënë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndryshe prej tjervet, Karl i dashun, e ata burrnin t’onë e kanë mëni si mizat farën e kuqe. “Vetëm me Lahutën e Malcis s’bahet Shqipnia”, paska thanun nji intelektual tash së fundi. Po shka kanë me Padër Gjergjin e shkretë?! Ai n‘vorr, Lahuta e Malcis e dbueme nga rradhoi i veprave letrare të Shqipnisë! Duen qi as emni mos t’i përmendet. Kemi vojt mbrapa lum miku e s’di si do të përfundojë kjo punë por ti tashma se 35 qi njifemi, gjithmonë më ke kuptue, më ke përkrahë, më ke dashtë! E si mos me t’kujtue? Ndër të paktët qi mendoj fjalë kuptimi e çmimi, më nxisin më trimnojnë mos me lëshu udhën fort marrëzisë të letërsis shqipe, je Ti e t’falem nderit për fjalë ngushlluese, të cilat më kanë ra si balçem në zemër të mbushun me idhni prej ngjarjeve të fundit. Petraqi ndoj send do të ket kallzue, duket se tue drashtun hovin e marrzis prej Blokut mbasi që u fal me përdhunë në Komitet, tue prekë me dorë edhe simpatinë e amerikanve e të italijanve për këtë grup politik serios e faktiv, janë akordue element partish të ndryshme dhe qysh në nesër e kaluene prej Ameriket në Turki, ç’prej Francet e n’Egjipt e ca kanë nis nji fushatë shpifjesh e shkarkimesh kundra eksponentavet të B.l (Bllokut Kombëtar Indipendent- shënim i redaksisë) e sidomos kundra meje. Motive kryesore të propogandës së tyne: – Populli Shqiptar, Gjomarkajt, Verlacin, Kolbibën, Koliqin i njeh tradhtarë e kurrë s’ka me lanë të kthehen në Shqipni. Pra kush i mbështet si parti humb kohë e mih n’uj. Ernesti është vu si kulçedër te dera e Ministris së Jashtme italjane dhe nuk len askend m’u avitun. Favoret, mbështetjet, nderat, ndihmat, e asaj ministrije derdhen në familje ndër vllazën e ndër ilaka të tijn. Qe për shembull, tash nji vjet monopolizuen bursat për ilaka t’vet e për kunatin Vuçani e për nji frat, Çeskun e Gilbertin. Studenta tjerë presin tue vuejtë  ndër kampe nëse këta të laureumit me kohë, në pafundsi e ndenjën tue u argtue me bursë qi kurrkush nuk guxon të lypi pse Ernesti këcen mbi ta me furi, tue mendue me ia lanë ilakave t’vet deri sa të plaken.
-Po t’u hiqte Ernesti me Gjonmarkun e Verlacin nga dera e Min. së Jashtme, të gjithë patriotët shqiptarë bahen miq të Italis. (Sa fort, lum Karli, asht shtue dashunia për Itali në këto kohnat e fundit, edhe ti çuditesh! Parashutistat qi Bloku thotë (e thonë amerikajt, jo Bloku) se kryen punë të shkelqyeshme tue qindrue 18 muej në terren, kurse grupet e partive t’jera nuk mujtën me punue klandestin as dhetë dit rresht, mbetën, po, do ndër male të Verit, por aty vranë, prenë, plaçkitën, dhunuen, dogjën e poqën. (Gjon Gjinaj ka pushkatue nja 5 spiuj komunista e Ndue Pjetër Gjomarkaj vrau kushurinin, Bardhok Bibën, shtyllë e komunizmit ndër male të Veriut, e këta këtu, qi ma fort simbolizojnë komunistat se ne shfrejnë në asi lloj akuzash!).
-Kush del në Jugosllavi si emigrant asht individ i turbullt qi kërkon aventura politike: natyrisht ata qi dalin në Greqi (e qi gjysma sa dalin prej Shqipnije, shkojnë të nënshkruhen ndër organizata vorioepirjote janë patriota antikomunista. (Dom Lazri, i shkretë thonte në Vjenë: “Shkon Klisura (Këlcyra – shënim i redaksisë) tu ministri Jugoslav e Shqiptarët thonë se shkoi me ba politikë; shkoj unë, e ata thonë se shkoj me ba spijunazhe! Atëherë, për me ba politikë u dashka me kenë toskë e mysylman; pse gegët e katolikët kenkan të gjithë spijuna!? Kjo Fushatë, bje sot, bje nesër, filloi me dhanë frytet e veta. Italjant patën përshtypjen se, tue ndihmue tepër Blokun po t’hujn e turisin tepër tjerët. Kështu shpjegohet kriza e jonë në fillim të vjetit, shkurtimi i subvencjoneve, fillue prej italjanvet me zanë miq të rij të cilët, tue ruejtë ata qi zgjodhen deri tash, e duen Italin e politikën e saj mesa dreqi njerin e bekuem. ..
Nderime e t’fala Hannit edhe prej mbarë familjes
s’ime, e cila ju kujton të gjithve me mall. Gilbertit
të fala e urime! Ty dashamirësisht të përqafoj
Ernest.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura