Dokumentet e reja, katër ndryshimet për kompensimin e dritave

Apr 22, 2015 | 15:27
SHPËRNDAJE

Ndryshon udhëzimi për ndarjen e 648 lekëve/ muaj si kompensim për rritjen e çmimit të energjisë. Nga vendimi i ri i tre ministrave do të preken të 203 mijë përfituesit.

Gazeta zbardh të plotë katër ndryshimet, si dhe boton udhëzimin e ri, që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nga katër ndryshimet do të preken të tria kategoritë që përfitojnë kompensimin, pensionistët, ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë/muaj. Por duket se ndryshimi kryesor është ai që prek pensionistët. Rreth 83 mijë përfitues nga kjo skemë do të kenë më shumë kohë për aplikim dhe më pak dokumente për të dorëzuar. Burime nga qeveria theksojnë për gazetën se Veliaj, Gjiknuri e Cani e kanë firmosur ditët e fundit udhëzimin: “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 1, datë 02.02.2015 ‘Mbi zbatimin e vendimit nr. 8, datë 14.01.2015, të Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga heqja e fashës deri në 300 kwh për faturimin e çmimit të energjisë elektrike”.

ÇFARË NDRYSHON

Kategoria që preket më shumë nga ndryshimet është ajo e pensionistëve. “Në pikën 4 të kreut II, të udhëzimit nr. 01, datë 02.02.2015 ‘Mbi zbatimin e vendimit nr.8, datë 14.01.2015, të Këshillit të Ministrave, për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga heqja e fashës deri në 300 kwh për faturimin e çmimit të energjisë elektrike, data 27.04.2015 bëhet 25.06.2015.” Ky është ndryshimi i parë. Kjo do të thotë që të gjithë ata pensionistë që janë kryefamiljarë, pa të ardhura të tjera, do të kenë edhe dy muaj kohë, deri më 25 qershor, për të plotësuar dokumentet. Janë dy kategori. Kategoria e parë janë ata pensionistë, të cilët përfitonin kompensim të energjisë edhe para datës 1 janar 2015. Këta pensionistë duhet të rinovojnë dokumentet, ku vërtetojnë se janë pa të ardhura të tjera në familje dhe e kanë librezën e energjisë në emrin e tyre dhe pa borxhe.

Ndërsa kategoria e dytë janë ata që dalin në pension gjatë kësaj periudhe dhe që i plotësojnë kushtet për të marrë kompensimin. Për të dy këto kategori, koha e plotësimit të dokumenteve është shtyrë deri më 25 qershor. Nga ana tjetër, udhëzimi parashikon edhe “Germa c) e pikës 2 të kreut I , germa c) e pikës 1 të kreut II dhe germa c) e pikës 1 të kreut III shfuqizohen.” Të tria këto pika në udhëzimin e vjetër parashikonin plotësim dokumentacioni në Zyrat e Punës: “Për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë”. Heqja e këtij paragrafi lehtëson të tri kategoritë e atyre që përfitojnë shtesën 648 lekë/muaj. Kjo do të thotë që pensionistët nuk duhet të shkojnë në Zyrat e Punës për të marrë vërtetim që familjarët janë të papunë. E njëjta gjë edhe për ata që trajtohen me ndihmë ekonomike apo administrata me paga nën 35 mijë lekë/muaj.

SI DO KONTROLLOHET

Por, si do kontrollohet që pensionistët, administrata, ata që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk kanë asnjë të punësuar apo të ardhura të tjera në familje? Në udhëzimin e ri është shtuar një paragraf, i cili parashikon që “Marrëdhënia e punësimit apo vetëpunësimit të anëtarëve të familjes vërtetohet përmes deklarimit nga përfituesi dhe në vazhdimësi do të jetë objekt i verifikimit nga institucionet në bashkëpunim me njëri-tjetrin”. Pra, të gjitha kategoritë do të deklarojnë vetë nëse kanë apo jo të punësuar dhe të ardhura të tjera. Në rast se vërtetohet që kanë mashtruar, atëherë udhëzimi e parashikon qartë që përfitimet e padrejta do të kthehen.

DOKUMENTI I KEMP

Udhëzimi parashikon që përfitues të kompensimit 648 lekë/muaj të jenë edhe familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Kësaj kategorie me udhëzimin e ri i është shtuar edhe një dokument tjetër: fotokopje e vërtetimit të KMCAP.

Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura