Dokumentet autentike të hapura për herë të parë/Statistikat për vitet e diktaturës, 13.600 të arratisur

Feb 21, 2020 | 10:12
SHPËRNDAJE

Konferenca ndërkombëtare shkencore “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”, e mbajtur ditën e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shoqërua nga një ekspozitë dokumentare mbi emigracionin.

Gentiana Sulaj, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve
Gentiana Sulaj, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve

Publiku, krahas referimeve për çështjen, pati mundësinë të shfletonte materiale dokumentare autentike, të deklasifikuara e të hapura për herë të parë për publikun e interesuar. Për konferencën mbi emigracionin politik, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës ekspozuan dokumente të shumta arkivore, si pasqyra statistikore për të arratisurit, dosje drejtimi dhe kërkimi për të arratisur e të deklasuar, regjistra për personat në tentativë arratisjeje dhe albume fotografike të të arratisurve, që u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit.

Materialet arkivore janë pjesë e një fondi të pasur mbi emigracionin politik, që u është vënë në dispozicion studiuesve, mes të cilave, ngjarjet e ambasadave, organizatat politike, historia e familjes Popa dhe dosje mbi të arratisurit. Kryetarja e Autoritetit, gjatë fjalës së saj bëri një përmbledhje të situatës, bazuar në raporte e dokumente, duke nënvizuar faktin se kjo çështje përbën një problematikë komplekse që ka nevojë për diskutim të mëtejshëm.

“Pikërisht në vitin 1959 u kalua një dekret në formë amnistie, nga i cili u përjashtuan në atë kohë rreth 208 persona, që u cilësuan “kriminelë lufte”. Në fakt, u riatdhesuan gjatë gjithë periudhës vetëm 60 persona, dhe iu hoq stigma “i arratisur” vetëm rreth 190 vetëve. Për të tjerët dhe familjet e tyre, Sigurimi i Shtetit vendosi një regjim të rreptë mbikëqyrjeje dhe represioni. Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave.

Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948. Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit të zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë. Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”, u shpreh Sula.

SHIFRAT, EMIGRACIONI MË I LARTË NGA VENDLINDJA E DIKTATORIT

Nga të dhënat e ekspozuara ditën e djeshme, për sa i përket emigracionit politik në vitet ’44-’90, rezulton se numri më i madh i të larguarve shënohet në vitet ’45-’48. Kulmi shënohet në Gjirokastër, me rreth 1399 persona të larguar. Më pas, vjen Shkodra me 924 emigrantë, Saranda (859), Korça (729), Kukësi (777), Vlora (436), Dibra (520), Tropoja (402) e më pas Tirana me 333, Erseka (214), Pogradeci (178), Puka (184) dhe Durrësi me 161 persona. Kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula theksoi se afro 4785 njerëz janë larguar nga ambasadat, me valën e parë të 2 korrikut 1990.

“Më tej, shteti filloi të emetonte pasaporta dhe të lejonte daljen nga Shqipëria, përmes ikjeve masive, që në fakt janë dhe imazhet më të fuqishme të denoncimit të një sistemi jonjerëzor. Kjo histori, për shumë nga ne mund të duket e largët, nëse nuk e lidhim drejtpërdrejt me histori njerëzore. Fakti është që sot ka shumë prej tyre që jetojnë dhe kanë shumë pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje për fatet përkatëse, për stigmën “i arratisur”, apo për “futjen në një thes”,si të implikuar me pushtuesit, ndonëse rreth 200 prej tyre ishin kategorizuar si të tillë”, u shpreh ajo.

Borchardt: Përballja me krimet sa ka filluar

Bernd-Borchardt

Në 30-vjetorin e ndryshimeve demokratike në vend, konferenca mbi emigracionin politik hedh dritë në një Shqipëri të survejuar, shumë të përfolur e të keqinterpretuar për vite me radhë. Z. Bernd Borchardt, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shpreh se: “Duke parë Shqipërinë e sotme, unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën.

Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve. E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe ‘përballja me të kaluarën’, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar”. Ambasadori i OSBE-së, vuri theksin te roli thelbësor i ‘komisioneve të së vërtetës’ lidhur me terrorin që ka shkaktuar diktatura. “Kultura e kujtesës e lidhur me viktimat dhe me vuajtjet përforcon ndryshimin e rrëfimit që është i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri liberale pas shpërbërjes së një diktature. Siç e ka përkufizuar presidenti i ndjerë i Çekisë, Václav Havel, ndryshimi vjen nga zgjedhja nëse ‘të jetosh brenda gënjeshtrës apo brenda të vërtetës’”, shtoi më tej

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura