DOKUMENTARI/ Princi Filip i Anglisë, të gjitha historitë e tradhëtisë me femrat

May 30, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

Prej 40 vjetësh nuk flitej më mbi këtë çështje. Qëkur në prag të të gjashtëdhjetave, mendohet se seksi nuk është gjithçka, se epshi është shuar dhe shqisat janë ngopur, të nisura drejt muzgut të tyre erotik.

f

Duhej një dokumentar i guximshëm, po aq sa një homazh i pazakontë për 90-vjetorin e mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elizabet, dhe 95-vjetorin e bashkëshortit Filip, për të rindezur dritën e komodinës ngjitur, duke ripropozuar kronikat e arrative, mbrëmjeve alkoolike e për t’i hequr pluhurin e akulumuar fotove në bardh e zi që u jepet shumë hapësirë nga tabloidët e kohës.

“Brenda Bakingham Palas”, është titulli i dokumentarit të transmetuar në ” Channel 5”, që hulumton aspekte të ndryshme të prapaskenave në familjen mbretërore. Dhe s’mund të shmanget rikthimi tek vitet e turbullta, që shënuan dekadën e parë të martesës së princeshës së atëhershme trashëgimtare të fronit, një martesë sigurisht e koracuar dhe e përshkuar nga një dashuri e ndërsjelltë, por jo e imunizuar nga tundimet, flirtet apo raporte fizike, edhe pse këtë nuk mund ta thotë askush në mungesë të provave.

Dhe nga të dy, e panevojshme të theksohet, më shumë i prirur për t’u joshur qe simpatiku Filip, shumë më sharmant se gruaja e tij, i gjatë, biond dhe me sytë blu. Një bukuri e padiskutueshme e ushqyer edhe nga sjelljet e shquara– Filipi është nip i mbretit të Greqisë Jorgo I – si një pushtues zemrash. Dhe lista e të dashurave të supozuara të Dukës së Edinburgut, është në fakt mjaft e gjatë.

Dokumentari aludon, ofron të dhëna, por jo emra. Ti rizbulosh ato nuk është gjithësesi një mision i vështirë, faqet e zverdhura të gazetave dhe periodikëve, i kanë raportuar ato pa ndonjë rezervë.

Mbi të gjitha, Princesha Aleksandra, e bija e Dukës së Kentit dhe Marinës së Greqisë, kushërira e parë e Elizabetës dhe në shkallën e dytë edhe e Filipit, është më e përfolura, pavarësisht përgënjeshtrimeve.

Një raport që u bë aq i dukshëm sa që e shtyu xhaxhain e Princit, të kudondodhurin Diki Mauntbatën, që ishte edhe Kupidi mes nipit dhe vajzës së Xhorxhit VI, t’i shkruante:”Shpresoj që ju jeni më të matur në marrëdhënien tuaj me Aleksandrën. Duhet të reflektoni mbi pasojat që do binin mbi familjen juaj, sidomos për Lilibet, nëse lajmet mbi këtë histori do të bëhen të njohura për publikun e gjerë”.

Ishte periudha midis viteve ‘50 dhe ‘60, dhe fjalët e Mauntbatën, me shqetësimin e tij kryesor që kjo marrëdhënie mund të përfundonte në faqet e para të gazetave, duket se nënkuptonte që Lilibet/Elizabeta dinte çdo gjë. Ka të ngjarë prej kohësh.

Pa iu dhënë tundimit për të besuar, sikurse pretendojnë disa biografë mbretërore, sipas të cilëve Elizabet dhe bashkëshorti i saj nuk patën më raporte seksuale që pas ditës së kurorëzimit (përveçse për qëllime riprodhuese), ekziston një mendim i përbashkët mes tyre se martesa lundroi në ujëra të turbullta në mesin e viteve ’50.

Për me tepër edhe për shkak të integrimit të vështirë të Filipit në jetën e oborrit nberetëror, dhe e detyrimit që iu bë për të hequr dorë nga roli e kryefamiljarit. Një sakrificë e dhimbshme për Dukën, e filluar në vitin 1948, kur në lindjen e djalit të parë Çarlsit, u detyrua të heqë dorë nga e drejta për t’i kaluar mbiemrin e tij fëmijëve pas një konflikti të lodhshëm me bashkëshorten e tij, vjehrrin dhe zyrtarët e pallatit.

Një vartësi që nga 6 shkurti 1952 u institucionalizua, pavarësisht një dekreti që Elizabet kishte publikuar në Gazetën e Londrës: ”Madhëria e tij mbretëresha, urdhëron me bujari Lartësinë e tij Mbretërore Filip, Dukën e Edinburgut, që në të gjitha rastet, me përjashtim të akteve të specifikuara parlamentare, të gëzojë vendin, rëndësinë dhe prioritetin që ka dhe ajo”.

Pra ishte frustrimi, ndjesia e thellë e padobishmërisë dhe përjashtimit nga pjesa më e madhe e jetës së gruas së tij, shkaku kryesor që çoi e Filipin të kërkojë mirëkuptim dhe dashuri tek gratë e tjera. Tek Pat Kirkud, aktorja e teatrit që nga takimi i parë në dhomën e zhveshjes pas fundit të shfaqjes u dëshmua jashtëzakonisht e sjellshme (deri në vdekjen e saj në vitin 2007, ajo do ta mohonte gjithmonë).

Tek diva e Hollivudit Merl Oberon, së cilës Filipi i shkroi letra të gjata, që më pas u zhdukën. Te aktorja franceze Helen Korde, për të cilën u tha se qe shtatzënë me të. Një karuzel rozë, të cilit iu shtuan edhe shëtitjet garibaldeske dhe të mbrëmjeve e shfrenuara me Dejvid Niven dhe Peter Ustinov, të cilat princi zakonisht i mbyllte në apartamentin që fotografi Stirling Henri Nahum vinte në dispozicion të tij, për të shkuar në shtrat me këtë apo atë balerinë që kishte njohur në klubet e striptizës.

Në vitin 1956 situata kishte dalë aq shumë jashtë kontrollit, sa që çifti mbretëror qe pranë divorcit. Pikërisht në atë kohë, ndoshta sipas këshillës së Uinston Çërçill, me arsyetimin për të përfaqësuar Madhërinë e saj në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së Melburnit, u vendos që Filipi të niset me jahtin mbretëror “Britannia” për një udhëtim 4- mujor.

Gjatë asaj kohe princi, i shoqëruar nga stallieri i tij besnik Majk Parker, u përfshi në shumë skandale që gazetarët nxituan t’i nxjerrin në faqet e para ta gazetave, sa Bakingham Palas u detyrua të dilte me një deklaratë zyrtare: ”Është plotësisht i rremë lajmi se ka çfarëdolloj mosmarrëveshje mes mbretëreshës dhe dukës”.

Fakti është se pasi u kthye në Londër, Parker u pushua nga puna me urdhër të mbreterëshës. Të njëjtin fat pati në vitin 1977 edhe Ledi Liza Egerton, ndihmëse e Elizabetës, fajtore se i raportoi mbreterëshës, e bindur se po bënte diçka të mirë, disa thashetheme në lidhje me lidhjet me të fundit të Filipit.

Ose thënë ndryshe ato lidhje të princit, të krijuara pas të pesëdhjetave me zonja të ndryshme, qenë të rrezikshme në një pikë të caktuar, pasi pas lindjes në vitin 1960 të Andreas, biri i paqes pas luftës së madhe, ndërmjet Elizabetës dhe Filipit u vendos një balancë e qëndrueshme martesore me moton e “syri nuk sheh, zemra nuk brengoset” (edhe vetë Elizabet filloi të ketë një marrëdhënie shumë të ngushtë me kryestallierin e saj, Lordin Porçester, dhe me fisnikun Patrik Planket, për të cilin disa pretendojnë se është babai i vërtetë i Eduardit).

Qenë shumë pranë Filipit prezantuesja Keti Bojl, e njohur si Kethrin Irene Maria Elena Imperiali nga Francavilla e Firences, Suzan e njohur si Suzi, nëna e Sarah Ferguson, kuqalashe si e bija por shumë më tërheqëse, si dhe dukesha Sasha Aberkorn.

Pikërisht ajo do të jetë e dashura e fundit e denjë për vëmendjen e Filipit, një miqësi e lindur duke folur mbi psikologun Karl Jung dhe e zhvilluar deri në atë pike sa për të ecur dorë për dore në plazhin e Eleuterës, në ishujt e Bahamasit, një foto shumë e diskutueshme, të cilat sot nuk gjenden më.

“Unë nuk ka shkuar kurrë me të”- u mbrojt vite më vonë Aleksandra që thërritej shkurt Sasha. “E jona qe një miqësi pasionante, por pasioni qëndronte tek idetë”.

Përfundimisht më e besueshme që deklarata e sinqertë që vetë Filipi bëri publikisht në vitin 1997, gjatë kremtimit të 50- vjetorit të martesës në Guildhall të Londrës, një lloj bashkie. “Toleranca është një nga përbërësit thelbësorë në çdo martesë të lumtur”- u shpreh princi.

“Është absolutisht jetike kur gjërat bëhen të vështira. Unë mund të them se gruaja ime e ka më bollëk cilësinë e tolerancës”. Një qëndrim i mençur… /

Airone – Në shqip nga www.bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura