DokuFest/ Mes 238 filmash nga gjithë bota, Shqipëria në garën me 5 filma

Jul 20, 2016 | 17:29
SHPËRNDAJE

Problemi i korrupsionit është fija lidhëse e rreth 240 filmave që do të shfaqen në skenën e Prizrenit. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, ka publikuar tashmë programin e edicionit të 15-të, i cili do të mbahet nga 5 deri më 13 gusht në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.

Mes një numri rekord aplikimesh, plot 4500, festivali do të prezantojë 238 filma nga 57 shtete, në 6 programe garuese dhe në disa speciale.

dokufest

Sipas organizatorëve “korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social, lokal e global, si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë: panele, diskutime me kineastë dhe ekspertë, të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë”.

Drejtori artistik, Veton Nurkollari, shpreson që ky edicion jubilar të jetë befasues për publikun, ashtu si ka qenë edhe për grupin organizativ dhe selektorët e filmave.

“Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga kineastë të rinj dhe mjeshtrit e kinemasë në këtë edicion jubilar”, është shprehur ai për mediat kosovare, teksa nuk e fsheh entuziazmin për pjesëmarrjen e lartë të aplikuesve, që iu përgjigjën thirrjes së hapur për aplikim më 24 nëntor të vitit të kaluar.

Gjeografia e vendeve pjesëmarrëse është shumë e gjerë, që nga fqinjët ballkanas te Franca, Gjermania, Portugalia, Holanda, Suedia, Belgjika, Britania e Madhe, Italia, Norvegjia, Spanja, Rusia, deri në SHBA, Kinë e Vietnam.

Festivali është konceptuar në 6 kategori konkurruese dhe një program special shumë të pasur. Në garë do të jenë “Balkan Dox”, “International Dox”, “Human Rights Dox”, “Green Dox”, “International Shorts”, “National”. Shqipëria është e pranishme në garë në kategoritë “Balkan Dox” me filmat dokumentarë “Selita” me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit, si dhe “Pritja” me regji të Roland Sejkos, kushtuar vizitës së Papa Françeskut dy vjet më parë.

Po ashtu, në kategorinë “National” me filmat “Drande” me regji të Blerta Berishës dhe Felix Hergert, “Mimi” nga Eneos Çarka dhe “My Grandmother” nga Jurgen Agushi.

PROGRAMI SPECIAL I nisur si një aktivitet i ndrojtur 15 vjet më parë, tashmë DokuFest mbledh rreth vetes prodhime të suksesshme kinematografike, fitues në festivale të ndryshme që zhvillohen në mbarë botën.

Kështu, “View From The World”, programi jogarues i festivalit do të sjellë disa nga filmat më të rëndësishëm të këtij viti në Prizren, përfshirë fituesit e Sundance, Berlinale dhe SXSW. Pjesë e festivalit do të jenë filma të kandidatëve dhe fitues të çmimit “Oscar” (“Ave Maria”, “Day One”, Everything will be okay”, “Shok”, “Sttuterer”, fituesi i çmimit “Oscar” në kategorinë e filmit të shkurtër, në shkurt të këtij viti); filma me tema nga më të larmishme, që rrokin probleme të mprehta, që nga sulmet masive me armë në SHBA deri te drama e emigrantëve sirianë, të cilët synojnë portat e Europës.

Nuk do të mungojnë edhe homazhet për figura të shquara të kinematografisë botërore. Një projeksionhomazh kushtuar mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe asaj botërore, Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, është parashikuar ditëve të festivalit.

Me këtë rast do të shfaqet një nga filmat e tij më të njohur “Taste of Cherry”. Chantal Akerman, një tjetër mjeshtre e kinemasë, ndarë nga jeta një vit më parë, në moshën 65-vjeçare, do të jetë gjithashtu e pranishme gjatë ditëve të festivalit përmes shfaqjes së filmit të saj të fundit “No Home Movie”, si dhe shfaqjes së versionit të restauruar të kryeveprës “Jeanne Dielman, 23 Commerce Quay, 1080 Brussels”.

Shfaqja e këtyre filmave do të shoqërohet edhe nga një intervistë e Akerman dhënë disa muaj para vdekjes së saj për artistin boshnjak Ibro Hasanoviç, me rastin e vizitës së saj në Kosovë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura