“Doktrina Biden”, kthesë historike e politikës amerikane

Sep 27, 2021 | 8:39
SHPËRNDAJE

samirepishtiSAMI REPISHTI, PHD

Ridgefield, CT.-shteti i njohun si Afganistan, ashtë nji vend i rrethuem pa dalje në det. Pozita gjeografike e ban atë nji nyje të randësishme të transportit dhe tregtisë për Azinë Qendrore dhe Jugore. Nga L. dhe nga J. kufizohet me Pakistanin, nga P. me Iranin  nga V. me Turkmenistanin dhe Uzbekistanin; ne V-L. me Republikën Kineze. Këto vende (përveç Kinës), ashtu si Afganistani, janë me shumicë dërmuese të banueme nga popullsi të besimit islam. Sipërfaqja tokësore prej 652.000 km2 ashtë e mbushun me male të nalta -Hindokushi-; në V. e V-L. me fusha. Popullsia numëron 41.4 milionë banorë (2020) e përbame nga grupet etnike PASHTUN, TAXHIK, HAZARA dhe UZBEK. Kryeqyteti ashtë Kabul. Nji grupim fisesh artificial…

I okupuem nga ushtri kalimtare dhe jo fitimtare, Afganistani njihet si “vorreza e perandorive”. Mbas luftës anglo-afgane të vitit 1919, vendi u çlirue nga dominimi i huej dhe u themelue Mbretnia e Afganistanit. Në korrik, 1973, mbretnia u rrëzue dhe lindi Republika e Afganistanit, që zgjati vetëm pesë vjet dhe vendi u ba nji shtet socialist që provokoi luftën afgano-sovjetike (1980) kundër “muxhahedinëve” të rebeluem nga motivet fetare. Në vitin 1996, Afganistani ra nën sundimin brutal të “talibanëve” (fundamentalistë islamikë), dhe u ba qendër e terrorizmit. Në vitin 2001, akti terrorist i 11 shtatorit (i njohun si 9/ 11) kundër Amerikës që shkatërroi dy kulla 110-katëshe dhe kushtoi jetën e 3.000 plus viktimave të pafajshme (tre shqiptarë: Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj), qeveria amerikane vendosi të shkatërrojë çerdhen e terrorizmit me sulme ajrore në fillim dhe me invadimin e Afganistanit ma vonë. Për fat të keq, ndërmarrja amerikane zgjati 20 vjet aksionesh luftarake me nji kosto të randë: 2,461 viktima amerikane 65.000 plus viktima afgane dhe nji shpenzim afërsisht 300 milionë dollarësh çdo ditë.

Në vitin 2021, amerikanët vendosën tërheqjen nga Afganistani. Procesi normal i tërheqjes u përkeqsue nga nji sulm i papritun dhe i përgjithshëm i forcave talibane, nji aksion të papritun për shumicën e autoriteteve amerikane. Me gjithë organizimin e suksesshëm të tërheqjes së 5,500 ushtarëve dhe diplomatëve amerikanë e aleatë, u tërhoqën edhe ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne, elementë që shërbyen si përkthyes dhe këshilltarë gjatë invazionit amerikan. Operacioni i tërheqjes ashtë sot subjekt i interpretimeve ma të ndryshme dhe ka marrë ngjyra partizanie.

Në këtë moment situata politike dhe qëndrimi amerikan për të ardhmen u sqarue me fjalimin e mbajtun më 1 shtator nga Presidenti Joseph R. Biden, Jr. Ai përcaktoi vijat e përgjithshme të qëndrimit amerikan për dekadat e ardhme. Unë jam i mendimit se fjalimi i Presidentit Biden do të vlerësohet si nji kthesë historike në politikën amerikane dhe raportet me botën e jashtme.

Në nji koment për ndigjuesët e saj, “Zëri i Amerikës” në janarin e kaluem (mbas skandalit të 6 janarit kundër Kapitolit) tërhiqte vërejtjen: “Ashtë nji moment shumë i ngjashëm me periudhën e Luftës Civile (1860-63)…Tani duhet të fillojmë të provojmë zbatimin e nji programi rreth nji demokracie shumë racore… ose të vazhdojmë thjesht të justifikohemi dhe të bajmë ndryshime sipërfaqësore për faktin që ekziston pabarazi e thellë dhe padrejtësi në këtë vend…”

Nji koment i këtillë na duhet edhe për rastin tonë, sot. Ç’na mëson Afganistani?

Para së gjithash na duhet nji sistemim i njohunive që kemi e që i konsiderojmë me qenë të vërteta. Nga kjo “pasuni” njoftimesh duhet të fillojmë interpretimin e fakteve, të caktojmë orientimin e ri dhe të angazhohemi me drejtue aksionin. Nji organizim i këtillë zakonisht vjen nga nji “doktrinë”. Paraqitja nga Presidenti Biden e fakteve, interpretimi i tyne, orientimi i sugjerimeve dhe mobilizimi për aksion përmban elementët e nji “doktrine” të re në marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-së. Interesat e vendit tonë janë të nji randësie vendimtare. Çdo problem tjetër zen vendin e dytë.

Pjesa e madhe e kritikave ka të bajë me mosmarrjen e masave të duhuna për nji tërheqje ma të organizueme. Ofensiva talibane në Afganistan ka ardh e paparashikueme nga amerikanët dhe aleatët e tyne. Matthew Atkins i “The N.Y.Times”.

Më 2 shtator dërgoi këtë telegram për redaksinë e gazetës: “Jemi në dhomën e shefit të ‘inteligjencës’ (zbulimit) të Qeverisë afgane që ra, me nji submashine automatike Berretta në gjunj; Mawlavi Habib Tavakol po tregonte se ai dhe luftëtarët e tij u gjetën plotësisht të papërgatitun; shpejt erdhi urdhni me hy në Kabul më 15 gusht, ndërsa talibanët po avanconin me shpejtësi në të gjitha drejtimet në Afganistan…

Në mbasdreke, udhëheqja jonë urdhnoi me hy në qytet me qellim që të evitohet grabitja”, tregon ai. Shefi i Zbulimit taleban, Haxhi Nexhibullah, i tha atij të vrapojë menjëherë në qendrën e Agjencisë së Zbulimit Afgan, Drejtoria Kombëtare e Sigurimit, me marrë në dorëzim teknikën e dokumentet. Burgjet, zyrat, postet e sigurimit- të gjitha ishin të zbrazuna”.

Bota u gjend para nji kaosi masiv të papritun…! Dhe SHBA u gjend në pozitën e kërkuesit për nji risistemim imediat të interesave amerikane. “Zëri i Amerikës” komentonte: “Presidenti (Biden) përballet ende me sfidën e fortë të lindun nga përfundimi i nxituar, mes tyre si duhen ndihmuar për të dalë nga Afganistani rreth 200 amerikanë e mijëra afganë që kanë mbetur ende atje, strehimin e dhjetëra mijëra refugjatëve që ia dolën të largoheshin, si dhe nji proces shqyrtimi nga ana e Kongresit i problemit si u kap e papërgatitur Administrata nga rënia e shpejtë e qeverisë afgane, pavarësisht nga paralajmërimet e shumta. Nji përgjigje e plotë e këtyne pyetjeve u dha nga Presidenti Biden në fjalën e tij të 1 shtatorit.

Mbasi pohon se lufta e Afganistanit ashtë ma e gjata në historinë e SHBA-së, Presidenti Biden konfirmon se ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne janë tërheqë nga Afganistani. “Nji sukses i jashtëzakonshëm!… nji aksion jo për përfitim, por në shërbim të tjerëve, nji mision mëshire që kushtoi jetën e 13 ushtarakëve amerikanë dhe 22 tjerë të plagosun”.

Që në muejin prill, Presidenti Biden vendosi me përfundue luftën në Afganistan më 31 gusht 2021, tue mendue se ky gjykim ishte i drejtë. 300.000 ushtarakë afganë u lanë të pajisun me të gjitha mjetet ushtarake për mbrojtje nga talebanët. Ky gjykim u provue se nuk ishte i saktë! “Megjithatë, unë instruktova personelin tonë të sigurimit kombëtar të pergatitej për çdo eventualitet, edhe për këtë që shohim sot..”. Fatkeqësisht, forcat afgane nuk rezistuan as edhe nji ditë; udhëheqja iku nga vendi… megjithëse Presidenti Ghani premtoi se ‘…do të luftojë deri në vdekje’. “Prandaj, unë autorizova dërgimin e 6.000 ushtarëve në Kabul për ndihmë të forcave në aeroport”, shpjegoi Presidenti.

Ai konfirmoi se që në mars 2021, janë ba 19 tentativa me informue qytetarët amerikanë në Afganistan dhe u sigurohej largimi nga vendi. Rreth 5,000 amerikanë që nuk lëvizën ma parë, vendosën mos me u largue për arsye familjare”. …Për ata që mbeten në Afganistan, nuk ka afat për largim. Na angazhohemi me i marrë ata, kurdoherë që dëshirojnë”, tuerespektue kështu nji traditë amerikane: asnji amerikan i abandonuem. Besohet se afër 100 amerikanë janë akoma në Afganistan. Më 31 gusht, UNO kaloi nji Rezolutë, e cila cilëson se talebanët janë të detyruem me respektue të drejtën e udhëtimit, dhe atë me u largue nga vendi. Afganistani hapi aeroportin e Kabulit si portë dalje.

****

“Dëshiroj me qenë i qartë”, tha Presidenti Biden.”Largimi më 31 gusht nuk ishte nji datë arbritrare. Ashtu u vendos me shpëtue jetët e ushtarëve amerikanë. Paraardhësi im (Trump) nënshkroi nji marrëveshje me talebanët me tërheq trupat amerikane më 31 maj 2021. Por ai autorizoi lirimin nga burgu të 5,000 talebanëve të burgosun për terrorizëm vitin e kaluem, tue përfshi edhe talibanë udhëheqës ushtarakë, në mes të tyne edhe disa që morën kontrollin e Afganistanit. Nuk kemi gjet nji plan tërheqje”, tha ai.

“Kështu, na mbetëm para nji vendimi të thjeshtë: me vazhdue angazhimin e marrun nga Trump, ose mos me u largue dhe … me angazhue dhjetëra mijëra trupa të reja për luftime. Në mes të evakuimit dhe vazhdimit të luftimeve, unë vendosa mos me vazhdue këtë luftë pa mbarim. Dhe unë nuk do të vazhdoja pa mbarim daljen nga konflikti.

Vendimi për largimin ajror nga aeroporti i Kabulit ashtë marrë nga rekomandimet e shumta të këshilltarëve civilë dhe ushtarakë……

Unë pranoj përgjegjësinë për nji vendim të këtillë. A ka pasë mundësi që tërheqja të bahej në mënyrë ma të rregullt? Me respekt për mendimet tjera, unë nuk jam dakord. Erdha në detyrë dhe u gjeta përballë nji afati, 1 maj (2021).

Para rrezikut të nji sulmi nga talebanët: Cili ishte interesi vital i SHBA-së?.

Në mendimin tim, na erdhëm këtu vetëm: me sigurue që Afganistani nuk do të jetë kurrë përsëri i aftë me organizue sulme e me sulmue vendin tonë. Këtu kemi pas sukses në kryemjen e objektivit tonë nji dekadë ma parë. Mandej, ne mbetëm aty edhe për nji dekadë tjetër. Kishte ardhë koha me përfundue këte luftë.

Sot gjindemi para nji bote të re. Detyrimi themeltar i nji Presidenti, në mendimin tim, ashtë me mbrojt dhe me ruejt Amerikën nga rreziku. Jo ma nga kërcënimet e vitit 2001, por nga kërcënimet e vitit 2021 dhe ato të së nesërmes. Kërcënimi nga terrorizmi…ka ndryshue i përhapun në shumë vende tjera, strategjia jonë duhet të ndryshojë gjithashtu! Na duhet të përpiqemi me përballue terrorizmin dhe vendqëndrimet e tij pa qenë nevoja me dërgue kambësorinë tonë.

Jam i bindun plotësisht se rruga ma e mirë me ruejtë sigurimin tonë dhe mirëqenien tonë qëndron në strategji të fortë, pa mëdyshje, të përqendrueme, dhe precize, që ndjek terroristët kudo që janë.

Bota po ndryshon. Na jemi riangazhue në nji garë serioze me Kinën. Na jemi në nji situatë ku duhet te përballojmë sfidat e shumta që vijnë nga Rusia. Kemi nevojë për ndihmën tuej…Na duhet të rrisim aftësitë e garës amerikane në përballimin e sfidave dhe garën simbas nevojave të shekulli 21. Dhe na kemi mundësi me i plotësue të dyja: me luftue kundër terrorizmit dhe me përballue kërcënimet e reja që përjetojmë sot, e do të vazhdojnë edhe në të ardhmen… Na duhet të mësojmë nga gabimet tona.

Për mendimin tim, ekzistojnë dy rrugë që kanë karakter permanent:e para, na duhet të përcaktojmë misionin tonë me objektiva të qarta dhe që arrihen, jo diçka që nuk mund të arrijmë kurrë; dhe,e dyta, na duhet të përqendrohemi vazhdimisht në mbrojtjen e interesave kombëtare themelore të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Vendimi ynë për Afganistanin nuk ashtë vetëm për Afganistanin. Ai vendim deklaron fundin e nji epoke operacionesh ushtarake me rindërtue vendet tjera”(Nation-building).

“Më lejoni të sqarohem: na do të vazhdojmë me përkrahë Afganistanin nëpërmjet diplomacisë, influencës ndërkombëtare dhe ndihmën humanitare.

Na do të vazhdojmë me preferue angazhimin diplomatik për pengimin e dhunës dhe destabilizimin. Na do të vazhdojmë me folë për të drejtat e njeriut të popullit afgan… Dhe unë kam qenë i qartë se të drejtat e njeriut janë në qendër të politikës sonë të jashtëme…jo me anë të përdorimit të ndërmarrjeve ushtarake, por me diplomaci,ekonomi dhe inkurajimin e botës për përkrahje të pikësynimeve tona.

Populli amerikan duhet të ndigjojë edhe këtë: 300 milionë dollarë çdo ditë për dy dekada… ma shumë se 2 trilionë janë shpenzue në Afganistan… Unë refuzoj me vazhduenji luftë, që nuk ashtë edhe ma gjatë në interesin jetësor kombëtar, në interesin e popullit tonë, dhe sidomos mbasi që 800.000 amerikanë kanë shërbye në Afganistan; sidomos mbasi 20,744 ushtarakë amerikanë burra e gra u sakatuen, dhe mbas humbjes se 2,461 jetëve të personelit amerikan …Unë refuzoj me hapë edhe nji tjetër dekadë luftash në Afganistan. Na kemi qenë nji komb në luftë për nji kohë të gjatë; shumë nga veteranët tonë me familjet kanë përjetue jetën në ferr…

Luftë jo e nxehtë dhe me rrezik të ulët ose me çmim të ulët nuk ekziston. Ka ardhë koha me përfundue luftën tonë në Afganistan. Ka ardhë koha me shikue drejt së ardhmes, jo mbrapa në të kaluemen. Me shikue për nji të ardhme ma të qetë, për nji të ardhme që ashtë ma e sigurt.

“Unë ju premtoj nga zemra ime që unë besoj se vendimi (i tërheqjes) ashtë vendim i drejtë, i peshuem mirë dhe vendimi ma i favorshëm për Amerikën.

Faleminderit!”

Shënim: Në komentin e tij analitik, autori dhe gazetari i shquem Peter Baker shkruen: “Tue deklarue fundin e ndërmarrjes së deshtueme amerikane në (“Nation-building”), nji gjysmë bote larg nga ne, Z. Biden luente me fatin, i mbështetun në premisën se ai do të kujtohet nga mbasardhësit si personi që, ma në fund, e nxori Amerikën nga pellgu ku kishte ra e jo për punën e tij si President. Megjithëse aprovimi i popullsisë amerikane ka ra në nivelin ma të ulët që nga dita kur erdhi në fuqi, sondazhet tregojnë se shumica e popullit amerikan aprovon tërheqjen nga Afganistani dhe se Shtëpia e Bardhë ashtë e prirun me mendue se (administrata) do të kalojë menjëherë në përqendrimin e saj në probleme tjera të vendit, siç janë pandemia (COVID 19) dhe mbarëvajtja e ekonomisë…”. (“The NYTimes”, 1 shtator 2021).

Ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar për shumë vite të kufizohet pushteti i Presidentit për të hyrë në luftë; ky pushtet u përdor me autorizimet e vitit 2001 e 2002 për invadimin e Afganistanit dhe Irakut. Sipas Kushtetutës amerikane, vetëm Kongresi ka të drejtën ligjore me shpall luftë, jo Presidenti. (VoA 1.9.2021)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/