Dokrrat mediatike për Lazaratin dhe zgjidhja reale

Jun 27, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

    Ngjarja e rëndë e Lazaratit ka nxitur shumë hamendje mediatike, ashtu si dhe politike. Media në përpjekje për të kaluar në telenovelën e re, që prodhon më shumë vëmendje sesa ajo e zgjedhjeve vendore, u përpoq të gjente lidhje midis saj dhe ngjarjeve globale të terrorizmit. Dikush tjetër e lidhi me përfundimin e zgjedhjeve në favor të qeverisë dhe nevojën për të larguar vëmendjen nga rezultati në dëm të opozitës tradicionalisht mbështetëse e fshatit. Dihet se ky binom Lazarat-opozitë ka ekzistuar në të gjitha versionet: si depozitë votash e së djathtës që mund të trazojë ekuilibrat e qytetit të Gjirokastrës; si financuese e korrupsionit jo thjesht të organeve policore, por dhe politikës etj, etj. Reagimi me ambiguitet i opozitës qoftë nëpërmjet Bashës, qoftë nëpërmjet Berishës, që megjithatë e dënuan rëndë aktin, nxiti nga ana tjetër kreun e qeverisë që në kulmin e kënaqësisë për rezultatin konfirmues të qeverisjes së tij të lëshonte një mallkim plakash që i ngjan se funksionon mediatikisht në kurriz të opozitës.
E gjitha kjo zhurmë politiko-mediatike nuk ka lidhje me thelbin e çështjes dhe i bën dëm zgjidhjes së problemit kryesor të Lazaratit. Për shembull është tërësisht e shpërpjesëtuar dhe vetëdëmtuese ndërlidhja e asaj që ndodhi me ISIS-in. Edhe sikur të jetë e vërtetë se dikush prej të ashtuquajturit “grup i zjarrit” mund të ketë qenë në Siri (në fakt s’është dhënë asnjë provë konkrete për këtë), kjo nuk do të thotë se i gjithë grupi i adoleshentëve që ka humbur prej shkuljes së çibanit të hashashit luksin dhe shumë përmasa të tjera të jetës së vet, ka lidhje me ISIS.

Për ta ilustruar këtë po sjell një shembull të vogël të asaj se si simpatia për ISIS është thjesht një devijancë e vogël në Facebook i këtij grupi adoleshentësh që si korrierë droge, me gjasë kalojnë edhe sot një kohë të gjatë nën tymin e saj, duke harxhuar rezervat e mbetura. Në valën e simpatisë fejsbukiane të njërit prej të supozuarve si autor i vrasjes për armët dhe ISIS-in, gjendej dhe pëlqimi me shkrim i një vajze me emër dhe mbiemër grek : “Bravo, kjo është gjëja e duhur!”. Ndërkohë është naive dhe banale nëse nëpërmjet kësaj lidhjeje tentohet të vendoset ndonjë element propagandistik që asocion opozitën me ISIS. E gjithë kjo propagandë mediatike thjesht dhe vetëm do ta përfshinte Shqipërinë në hartën e vendeve ku ISIS jo vetëm rekruton ushtarë, por do të prodhojë dhe ngjarje terroriste të dirigjuara diku nga Mosuli. E shumëfishuar prej mediave të tjera ndërkombëtare, kryesisht fqinje, apo të artilerisë së rëndë të Al Xhazirës, që ka tashmë dhe redaksi ballkanike në Beograd, ky shtërzim antiprofesional portalesh do të kishte efekte shkatërrimtare në imazhin e vendit. Për më shumë ajo mund të prodhonte efekte fotokopjo në grupe të vogla besimtarësh të ekstremizuar pranë xhamish të ndryshme nëpër territor. 

Nuk fitojmë asgjë në pikëpamje të zgjidhjes së problemit të Lazaratit as me vendosjen e paraleles me ngjarjet në revistën satirike franceze ku një terrorist vrau një polic me origjinë arabe, besimtar mysliman. Edhe supozimet e pambështetura asgjëkund për planifikime të hershme të atentatit, të skemës së sofistikuar për të futur në grackë RENEA-n, apo skenari i hakmarrjes për një vrasje të 2007-s nga ana e kësaj trupe të elitës policore, nuk shërbejnë kurrqysh-thonë kosovarët, sepse as nuk lehtësojnë dhimbjen dhe krijojnë dyshime që policia s’paskësh pasur mundësi ta parandalonte atentatin.
E gjithë vëmendja policore dhe mediatike mbi Lazarat e mbajtur online nëpërmjet reporterësh të vegjël, mjerisht bën që fshati dinjitoz në rebelimin e tij në shumë faza të historisë të largohet dhe më shumë nga shteti. Kjo po që do prodhonte efekte të tjera akoma më të dëmshme për atë që është problemi real i Lazaratit: mungesa e një alternative jete dinjitoze pas boshllëkut të tmerrshëm të krijuar nga shkulja tërësore e hashashit dhe mungesa e vëmendjes globale për fshatin e famshëm.  Dhe për këtë do duhet menduar seriozisht. Janë disa drejtime.

Është krejt e qartë se operacioni i shkatërrimit të vatrës së hashashit në Lazarat ishte konceptuar kryesisht si operacion rendi dhe jo si operacion drejtësie, operacion social, apo ekonomik. Por s’është vonë që shteti të mobilizohet për këtë nëpërmjet amnistisë të shoqëruar me programe të ndryshme zhvillimore, posaçërisht për Lazaratin. Në ndihmë të shtetit do duhet të vendoset urgjentisht dhe bashkësia e donatorëve të ndryshëm perëndimorë, kryesisht nga vendet fqinjë që e vuanin të parin efektet e lumit hashashor, që buronte nga Lazarati. Njëjtë sikur Bashkimi Europian financon projekte për regjistrimin e armëve, kontrollin e tyre etj. në Ballkan, duke llogaritur efektet e trafiqeve të armëve në territorin e vet, do duhet vepruar për të mbështetur ekonomikisht me projekte fshatin e famshëm në botë. Modeli i Lazaratit sipas një skenari pozitiv mund të shërbente dhe për raste të tjera në pjesë të ndryshme të globit.

Brenda kësaj qasjeje konstruktive, jo shtypëse, jo policore, do duhet përfshirë dhe opozita. Opozita e Bashës do duhet të bëhet pjesë e një platforme zgjidhjeje për Lazaratin, sepse paqësimi i fshatit rebel sot, do i duhet dhe PD nesër kur të vijë në pushtet. Kështu, paqësimi i fshatit rebel do marrë më pak kohë dhe do ketë më pak kosto në jetë njerëzore si ishte incidenti i përgjakshëm ku humbi jetën ushtaraku model Ibrahim Basha. Para policit hero Ibrahim Basha në Lazarat do duhej të kishin hyrë projekte ekonomike, rimëkëmbjeje, pajtimi politik. Sot, pas sakrificës së tij që nuk glorifikohet nëse vrasësit lidhen me ISIS, do duhet kapur koha e humbur! Kështu, Lazarati nuk do mbetet vrimë e zezë globale madje e paqeverishmërisë, e pse jo dhe ISIS-it që mbase përgjon te porta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura