Dogji të gjallë 26 myslimanë të Bosnjës përfshirë një dyvjeçar, dënohet ushtari serbe. Dëshmia rrëqethëse e një të mbijetuari

Oct 30, 2019 | 20:12
SHPËRNDAJE

Një gjykatë boshnjake në Sarajevë dënoi të mërkurën Radomir Susnjar, alias Lalco për përfshirje në krime të luftës në zonën e Visegrad në qershor 1992. Midis të tjerash, ai akuzohet për vrasjen e 26 civilëve, njëri prej të cilëve një fëmijë dyvjeçar, të cilët u mbyllën brenda një shtëpie dhe më pas u dogjën.

radomir-susnjar-640-1280x720

Gjykata konstatoi se Susnjar, i shoqëruar nga shokët e tij serbë gjatë luftës në  Bosnjë, Milano dhe Sredoje Lukic, sulmuan, trajtuan çnjerëzisht dhe vodhën civilë boshnjakë nga fshati Koritnik, të cilët më parë ishin sjellë në një shtëpi në rrugën Pionirska në Visegrad, më datë 14 qershor 1992 .

Susnjar, i cili ishte i armatosur me thikë ndërsa Milani dhe Sredoje Lukiç kishin pushkë automatike, kontrolluan civilët në mënyrë brutale dhe poshtëruese, duke i porositur që të hiqnin rrobat, thuhet në aktgjykim.

Gjykatësi kryesues Enida Hadziomerovic citoi një të mbijetuar të sulmit i cili dëshmoi: “Secili prej nesh duhej të zhvishej. Edhe një fëmijë i vogël duhej të zhvishej”.

Sipas aktgjykimit, pasi civilët ishin kontrolluar, atyre iu dha urdhër që të dilnin dhe të ecnin drejt një shtëpie tjetër në rrugën Pionirska rreth 30 metra larg.

Milan Lukic më pas hodhi një pajisje shpërthyese në shtëpi, duke shkaktuar një zjarr, dhe Susnjar hodhi një granatë. Gjatë kësaj kohe, të tre luftëtarët serbë ishin duke qëlluar njëkohësisht, duke parandaluar shpëtimin e civilëve.

Sulmi rezultoi në vdekjen e 26 civilëve, përfshirë një fëmijë dy-vjeçar. Pesë civilë arritën të iknin dhe të shpëtonin. Mbetjet e atyre që u vranë nuk janë gjetur ende.

Hadziomerovic tha se megjithëse Susnjar u bë anëtar i Ushtrisë serbe të Bosnjës në 20 korrik 1992, pasi shtëpia u dogj, nuk do të thotë se ai nuk mund të kishte kryer krimet.

“Nga dëshmitë e dëshmitarëve duket se Susnjar ishte i pranishëm në Visegrad në qershor, ai u pa i veshur me një uniformë dhe mbante një pushkë, ndërsa shoqërohej nga anëtarët e një grupi paramilitar … Susnjar e kreu këtë krim si bashkëkryerës,” tha Hadziomerovic.

Hadziomerovic tha se dënimi 20-vjeçar, maksimumi i disponueshëm, ishte në përpjesëtim me peshën e krimit dhe do të dërgonte një mesazh të qartë. Aktgjykimi mund të apelohet. Susnjar u arrestua në Paris në 2014 dhe u ekstradua në Bosnje dhe Hercegovinë vitin e kaluar.

Bashkëkryerësi i tij Milan Lukiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për krime në Visegrad, përfshirë vrasjet në rrugën Pionirska, ndërsa Sredoje Lukic u dënua me 27 vjet burg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura