Doda: PDIU dhe LSI nuk janë dy gra me një burrë që duhet të zihen

Feb 6, 2017 | 20:29
SHPËRNDAJE

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda në një intervistë për “Top Channel” se partia ku ajo bën pjesë nuk e ka marrë ende një ftesë për të dalë në koalicion me PS në zgjedhjet e 18 qershorit. Megjithatë ish-deputetja e PD, e cila për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare është në krah të Shpëtim Idrizit, thotë se kontaktet nuk mungojnë.Mesila Doda. “Është diçka që po progredon dhe po flitet. Nuk kemi folur për terma reale se kush janë kushtet për një koalicion të ardhshëm. Ka patur shumë zëra që thonë se duhet të jetë thjesht e majta e bashkuar. Disa të tjerë thonë që duhet të jetë më e zgjeruar. Kjo është çështje e filozofisë me të cilën personat e konceptojnë politikën. Sigurisht që ne jemi forcë e qendrës, por mbi të gjitha çështja Çame është ajo që nuk ka progreduar gjatë 70 viteve aq sa ç’kanë ecur çështjet e tjera të zgjidhura tashmë”, deklaron Doda.

Çështja “Çame” duket se edhe këtë herë do të jetë guri i themelit për të qëndruar të bashkuar me PS. Sekretarja e përgjithshme e PDIU-së nuk beson se koalicionet duhet t’i bëjë bashkë projeksioni numerik, por çështjet. E tillë për të është çështja “Çame”, e cila tashmë duhet parë si çështje kombëtare.

“Nuk është më çështja thjesht e numrave por e asaj çka duhet të sjellin në politikë. Kjo është krejtësisht e ndryshme duke e krahasuar me atë politikën e çartur që ka filluar të marrë ngjyrime kaq të forta këto ditë. Tendenca për të bërë çdo gjë si çështje numrash nuk është pjesë e PDIU. Kemi çështje shumë më të mëdha dhe çështjet kombëtare s’mund të jenë çështje numrash”, thotë Doda.

Mesila Doda e ka një përgjigje edhe për kritikët, që koalicionin qeverisës e shohin vetëm me parti të majta.

“Historia që tentohet të paraqitet sikur PDIU dhe LSI janë dy shemra që duhet të zihen me njëra-tjetrën është jo etike, jo politike dhe nuk ndihmon askënd. Ky është një qiell i madh, ka vend për të gjithë”, nënvizon Doda.

Cilat janë pritshmëritë e PDIU-së për 18 qershorin? “Sigurisht që do kemi rritje dhe ju do ta shihni vetë rritjen që do të ketë PDIU-ja”, shton Doda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura