Doda mungon në mbledhjen e Grupit të PD: S’më ftuan

Jul 2, 2015 | 8:12
SHPËRNDAJE

Qëndrimet e mbajtura vetëm një ditë pas zgjedhjeve vendore kanë lënë jashtë mbledhjes së grupit deputeten demokrate, Mesila Doda. Deputetja nuk ishte pjesë e mbledhjes së grupit, në të cilën kryetari i PD, Lulzim Basha, foli për arsyet e humbjes dhe ndau përgjegjësitë për të analizuar atë që ndodhi në 21 qershor.

Mesila Doda

E pyetur nga “Panorama” për shkaqet e mungesës së saj në mbledhjen e grupit, deputetja demokrate e qarkut të Fierit ka sqaruar se nuk ka qenë e ftuar. “Nuk kam qenë e pranishme në mbledhjen e grupit se nuk më kanë ftuar të jem pjesë e saj”, është shprehur Doda. Deputetja demokrate njihet si mbështetëse e ish-deputetit Sokol Olldashi, emrin dhe këshillat e të cilit lakoi një ditë pas humbjes së PD në zgjedhje.

“Të paktën sot biem dakord të gjithë që ti kishe të drejtë. Të paktën sot mund të rikujtojmë se ti ia kishe thënë. Politika nuk është as matematikë, as ekonomi e as llogari meskine numrash… është filozofi dhe inspirim”, shkruante Doda, më 22 qershor në “Facebook”, shoqëruar me një foto të sajën dhe ishdeputetit, Sokol Olldashi.

Deputetja demokrate u përjashtua nga kreu i PD-së, Basha, si e deleguar në njësinë numër një në kryeqytet, menjëherë pasi mori pjesë në votimin për heqjen e imunitetit ndaj dy deputetëve të maxhorancës Tom Doshi dhe Mark Frroku, votim në të cilin pjesëtarët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura