Docu TIFF u jep zë kineastëve të censuruar në diktaturë

May 31, 2016 | 14:53
SHPËRNDAJE

Zërat e censuruar gjatë diktaturës dhe një Shqipëri e parë me sytë e të huajve do të zbulohet gjatë edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Dokumentar Docu TIFF 2016.

“Motive nga dita e diel” nga Dhimitër Anagnosti
“Motive nga dita e diel” nga Dhimitër Anagnosti

Nga data 1-8 qershor, në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, Open Air tek ambienti Atrium, Teatri i Metropolit, COD dhe TULLA Culture Center, do të shfaqen plot 180 filma në konkurrim apo në programet speciale. Sipas drejtorit të festivalit, Agron Domi, Docu TIFFF lindi si domosdoshmëri, për shkak të numrit të madh të kërkesave për pjesëmarrje në Festivalin tradicional tashmë, TIFF.

Këtë fakt e ka dëshmuar edhe numri i lartë i aplikimeve për këtë edicion. Nga më shumë se 2000 aplikime prej 102 vendeve të botës, janë përzgjedhur për publikun shqiptar dhe mysafirët e huaj 180 filma, nga të cilët 100 në konkurrim dhe 80 të tjerë në programet dhe projeksionet speciale.

Publiku do të ketë mundësi të shohë edhe filma dokumentarë të vlerësuar e seleksionuar në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Sundance, Cannes, Berlinale, Venezia apo të nominuar e me çmime në Oscar, Golden Globe etj. Përveç konkurrimit ndërkombëtar në kategoritë e filmit me metrazh të gjatë, të mesëm dhe të shkurtër, një hapësirë e veçantë do t’i lihet edhe filmit në shqip, që vjen me autorë nga Shqipëria, Kosova etj.

Nga filmi i Viktor Stratobërdhës “Qeshim se nuk qajmë dot”
Nga filmi i Viktor Stratobërdhës “Qeshim se nuk qajmë dot”

Përveç garës dhe shfaqjeve speciale, për të interesuarit, kineastët dhe studentët e filmit do të mbahen edhe tre masterclass-e nga autorë e studiues të rëndësishëm nga Gjermania dhe Izraeli, Noemi Schory, Andreas Voigt dhe Ira Ira Kormannshaus. Nuk do të mungojnë edhe çmimet. Do të jenë 4 juri që do të vlerësojnë filmat në konkurrim. Juria ndërkombëtare e metrazhit të gjatë, juria ndërkombëtare e metrazhit të mesëm e të shkurtër, juria ndërkombëtare e filmit në shqip dhe ajo e medias.

TË CENSURUARIT

Zërat e censuruar të kinematografisë shqiptare do të shfaqen për publikun shqiptar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tij të shkurtër të viteve 1955-56, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale (“Urime shokë studentë”, 9 min, “Qeshim se nuk qajmë dot-Pse kështu?”). Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e gjakut, “Dhuruesit e jetës”.

Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko- shkencor”, film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare, por në AQSHF ruhen elementet kryesore të kësaj vepre. Mithat Fagu do të jetë pjesë e këtij festivali, edhe si anëtar jurie. Dhimitër Anagnosti është pjesë e kësaj retrospektive me dy filma.

I pari, “Përjetësi”, i restauruar nga AQSHF vitin e kaluar, një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të Luftës Antifashiste, i cili nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar “modern” për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër i ndaluar, “Motive nga dita e diel”, 1974, ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz. Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt, “Shqipëria turistike”.

Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga Veriu në Jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peizazhet marramendëse. Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit, diktoi edhe fatin e filmit… disa prej tyre u internuan nga regjimi e kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitet 2010. Këto filma, u shfaqën dy muaj më parë në Qendrën “Pompidou” në Paris, në festivalin “Cinema Du Reel”.

ME SYRIN E NJË TË HUAJI

“Reflecting Albania” është një tjetër program, i cili shfaq Shqipërinë përmes syrit të kineastëve të huaj. Një rrugëtim që nis prej vitit 1935, deri më sot. E hap siparin dokumentari “Fahrtenbuch Albanien”, i realizuar në 1935 nga Walter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, për të vijuar me “Shqipëria” 1945, i Roman Karmen, që vjen prej kohës së “dashurisë” shqiptaro- ruse.

Ky program special numëron 10 filma, pjesa më e madhe e të cilëve janë prodhime të vitit 2015-2016 dhe vijnë më së shumti nga vendi fqinj Italia, por edhe Polonia, Serbia e Belgjika. Sipas Domit, filmat janë fokusuar në të përditshmen shqiptare, në problematikën që na shqetëson të gjithëve.

Ai do të veçonte ndër të tjerë filmin “Smoke” nga Gorana Jovanoviæ. Një film i realizuar nga një serbe për krimet e Serbisë në Kosovë. Kanë kaluar vite tashmë dhe tymi i shtëpive të djegura ndihet ende. Shumë viktima dhe të humbur që lufta ka lënë pas…

REFLECTING ALBANIA

“Albania” 1945 nga Roman Carmen, 1945, Rusi, 20′
• “Angelo” nga Fran Atopos Conte, 2016, Itali, 4′
• “Di Là” nga Giulio Tonincelli, 2015, Itali, 8′
• “Kombinat” nga Janusz Szymañski 2015, Poloni, 10′
• “Wild Flower” nga Fathia Bazi, 2016, Holandë, 54′
• “Albanian Logbook nga Walter Frentz, 1935, Gjermani, 14′
• “Housewarming” nga Effi Weiss & Amir Borenstein, 2016, Belgjikë, Shqipëri, 34′
• “Smoke” nga Gorana Jovanoviæ, 2015, Serbi, Kosovë, 10′
• “The Land in Front” nga Fabrizio Leçe, 2015, Itali, 29′
• “Sweet Dreams” nga Olessia Stroeva, 2015, Rusi, 13′
RETROSPEKTIVË
• “Përjetësi” nga Dhimitër Anagnosti, 1973, 7′
• “Motive nga dita e diel” nga Dhimitër Anagnosti, 1973, 23′
• “Dhuruesit e jetës” nga Mit’hat Fagu, 1971, 27′
• “Qeshim se nuk qajmë dot” nga Viktor Stratobërdha, 1956, 4′
• “Urime shokë studentë!” nga Viktor Stratobërdha, 1955, 9′
• “Shqipëria turistike” nga Mark Topallaj, 1974, 25′

Juria ndërkombëtare e metrazhit të gjatë:
Andreas Voigt (Gjermani),
Noemi Schory (Izrael),
Andrea Lodovichetti (Itali).
Juria ndërkombëtare e metrazhit të mesëm e të shkurtër:
Ira Kormannshaus
(Gjermani), Igor Prassel
(Slloveni), Nita Deda
(Kosovë)
Juria ndërkombëtare e filmit në shqip:
Mladen Vusurovic (Serbi),
Mit’hat Fagu (Shqipëri),
Stratis Chatzielenoudas (Greqi)
Juria e Medias:
Alda Bardhyli, Ben Andoni, Jonida Hitoveizi

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura