Dobresku: Si nisa të përkthej veprat e pedagogut tim Kadare

Sep 13, 2012 | 15:28
SHPËRNDAJE

Marius Dobresku dhe Ismail Kadare

Përkthyesi rumun tregon raportet me shkrimtarin e madh shqiptar.

“Kam përkthyer edhe shumë autorë të tjerë shqiptarë, por nuk shoh asnjë pasardhës të Ismail Kadaresë”

Marius Dobresku e njeh Shqipërinë, po aq mirë sa edhe vetë shqiptarët. Kjo jo thjesht dhe vetëm se në vitet ’70 ka bërë 4 vjet fakultet në Tiranë, jo ve tëm sepse e flet shqipen për t’u pasur zili, jo vetëm sepse e viziton kryeqytetin shqiptar çdo vit, por sepse një botë e tërë me mite, legjenda, rrugë të nëndheshme, i është hapur përmes veprave të Ismail Kadaresë. Marius Dobresku është një nga përkthyesit më të njohur të veprës së shkrimtarit shqiptar, në gjuhën rumune. Ka përkthyer 20 libra të tij e tashmë është pa frikë një nga njohësit më të mirë të veprës së kandidatit për çmimin “Nobel”. I ndodhur në Tiranë për të marrë pjesë në një promovim libri, Dobresku, i cili është edhe gazetar njëkohësisht, tregon që nga koha kur si student ka ardhur në Tiranë për të mësuar shqipen, jetën nën Shqipërinë komuniste, frikën e përgjimit dhe mbi të gjitha punën si përkthyes i Kadaresë. Marrëdhënia me të, takimet, vështirësitë…
Kureshtja e parë që duhet shuar, është si e keni mësuar ju gjuhën shqipe, ç’ju shtyu drejt saj?
Fillimisht nisa të studioja Histori në Bukuresht. Asokohe kërkoheshin specialistë të gjuhës shqipe. Kam pasur miq që shkuan të studionin gjuhë të rralla në Bullgari, por edhe në Vietnam, në Mongoli… Diplomacia rumune kishte nevojë për specialistë në këto gjuhë dhe gjuha shqipe konsiderohej një gjuhë e rrallë. Bashkë me ish-ambasadorin Filip Teodoresku erdhëm këtu, ndenjëm katër vjet dhe arritëm të mësonim shqipen dhe tani jam ai që jam.
Shqipen arrita ta mësoj shumë mirë dhe në vitin e fundit për Gjuhë–Letërsi e flisja shqipen si shqiptar, madje shumë studentë më ngatërronin me vendësit.
Në Shqipëri ju njohin si përkthyesin e Kadaresë, kur nisët të merreshit me veprën e tij?
Fakultetin e mbarova në Tiranë në vitin 1975 dhe që nga viti 1983 fillova të përkthej veprën e Kadaresë. Kadarenë e kam pasur profesor, na jepte letërsinë e huaj. Që atëherë ishte një shkrimtar me famë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, në Francë etj. Në Rumani, romani i tij i parë që u përkthye ishte “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” në vitin 1973. Një vit më vonë, Kadare ishte në Rumani dhe u kthye sërish në vitin 2002.
Ç’keni përkthyer nga Kadare?

Përkthyesi rumun, Marius Dobresku

Kam përkthyer gati të gjithë librat e tij, përveç librave eseistikë, pasi jo vetëm janë të vështirë, por nuk janë komercialë. Kadare, sido që të jetë, nuk është një shkrimtar komercial. Vepra e tij i drejtohet një lexuesi të kulturuar, ndaj edhe nuk ka një numër shumë të madh, por lexuesit e tij janë njerëz specialë, me shkollë, pasi vetëm ata mund ta kuptojnë metaforikën dhe filozofinë e tij. Kam përkthyer prej tij rreth 20 libra, kurse si vepra mbi 30. Tani po përgatitem të përkthej veprën e fundit të Kadaresë, romanin “Darka e gabuar”, që duhet të dalë në Rumani në fillim të vitit 2013.
Edhe pse e njihni mirë veprën e Kadaresë, gjendeni ndonjëherë ngushtë apo në befasi për shkak të gjuhës së tij?
Në lëmin e fjalëformimit Kadare është një shkrimtar i dalluar, sepse ka fjalë të cilat as në fjalorin më të gjerë të gjuhës shqipe nuk i gjej. Ne atje kemi fjalorin e Luan Topçiut, që na ndihmon shumë, por prapëseprapë ka fjalë të cilat më duhet edhe mua t’i shpik në gjuhën rumune, pasi nuk ekzistojnë. Është e vështirë, por tashmë kam hyrë në këtë rrugë dhe e njoh shumë mirë veprën e Kadaresë, esencën e veprës, mendimin e tij dhe përpiqem t’ia transmetoj sa më saktë lexuesit rumun. Kjo është kryesorja për një përkthyes të mirë.
Komunikoni me të gjatë përkthimit?
Zakonisht jo. Jam takuar disa herë me Kadarenë. Njëherë në Rumani, 2 apo 3 herë në Shqipëri, në vilën e tij në Durrës, por gjatë këtyre takimeve nuk flasim për veprat, por për famën e tij botërore, për aktivitetin e tij në Francë dhe në shumicën e rasteve e lë të flasë, pas këtyre takimeve bëj nga një reportazh të gjatë.
Ju ka bërë ndonjëherë vërejtje për ndonjë vepër?
Jo, asnjëherë. Përkundrazi disa herë më ka thënë që krenohet me përkthimet e mia dhe më konsideron si përkthyesin e tij më besnik, kjo ndoshta prej transmetimit korrekt të veprës, por edhe nga numri i veprave. Unë tërë jetën ia kam kushtuar Kadaresë. Kam përkthyer edhe të tjerë, por kryesorja është vepra e Kadaresë.
Një përkthyes është paksa edhe krijues, ju deri ku ia lejoni vetes krijimtarinë gjatë përkthimit?
Ia lejoj deri në maksimum, sepse vepra e një shkrimtari të përmasave të Kadaresë, në radhë të parë duhet të tingëllojë mirë në gjuhën ku përkthehet dhe vetëm atëherë lexuesi mund ta vlerësojë maksimalisht shkrimtarin.
Ç’vepër ju ka lodhur më shumë?
Në përgjithësi, veprat e fundit. Duke i krahasuar me veprat që janë shkruar në Shqipëri, për nga stili, këto të fundit janë ndikuar patjetër nga letërsia dhe gjuha frënge dhe paraqesin më shumë vështirësi në përkthim. Marr rastin e “Spiritus”, sidomos pjesa e fundit kur tregon se si realiteti kthehet në epos, në mit, është shumë e vështirë fillimisht ta kuptosh. Më është dashur ta lexoj disa herë që ta hedh përkthimin në letër, rumanisht. Pasi atje ka ide shumë komplekse dhe është shumë e rëndësishme që përmes veprës së tij të jap edhe mentalitetin e popullit shqiptar.
Tashmë ju jeni një njohës shumë i mirë i veprave të Kadaresë, si dallojnë veprat e tij para dhe pas ’90-s?
Mua më duket se nga ana artistike por edhe ideore, veprat e para viteve ’90 janë më të realizuara, më të thella, më shqiptare, ndërsa këto veprat e fundit janë më shumë europiane, më universale. Çdo shkrimtar, çdo intelektual ndryshon, ndoshta ndikon edhe koha, regjimi, gjuha, shoqëria ku jeton.
Kadare është shprehur se nuk do të shkruajë më letërsi, ju shihni ndonjë pasardhës të tij në letrat shqipe?
Nuk jam i sigurt dhe nuk dua të bëj ndonjë gabim. Nuk po shoh ndonjë pasardhës. Ka prozatorë të mirë, por asnjë nuk më duket në atë nivel, as në perspektivë. Ndoshta jam pesimist, por prapëseprapë nuk shoh ndonjë pasardhës të Kadaresë.
Ju keni përkthyer edhe autorë të tjerë, apo jo?
Kam përkthyer poezi të Dritëro Agollit, dy romane të Fahri Balliut, një vëllim të Arbër Ahmetajt që jeton në Zvicër, një vëllim nga Ermir Nika, Ramiz Gjini, Gjek Marinaj etj.
Ju thatë se përmes veprave të Kadaresë doni të përcillni edhe mentalitetin shqiptar, ju ka ndihmuar për ta kuptuar atë periudha e shkollimit në Shqipëri?
Duke qenë i ri si një sfungjer përthithja gjithë informacionin që më jepej, ndaj them se edhe në formimin tim të mëvonshëm ka mbetur nostalgjia e viteve të fakultetit dhe kudo që jam i transmetoj miqve të mi rumunë, familjes sime, e cila tashmë është gjysmëshqiptare, gjithë ato vlerat shpirtërore të popullit shqiptar. Kohëve të fundit u kam përcjellë edhe përparimet nga ana materiale, urbanistike. Ndërtohet shumë, ashtu si edhe tek ne, dhe ndërtohet bukur. Kjo tregon se populli shqiptar ka një ndjeshmëri dhe prirje drejt së bukurës. Atëherë kur isha unë, këto nuk dukeshin, kur gjithçka ishte gri.
Ç’kujtoni nga vitet studentore në Shqipëri?
Kemi pasur një jetë studentore shumë të varfër si nga ana materiale ashtu edhe shpirtërore, por prapëseprapë kjo u kompensua nga mikpritja dhe miqësia e shokëve tanë. Kemi pasur kolegë e kolege shumë të dashur dhe kjo na ndihmoi t’i tejkalonim mungesat dhe varfërinë që sundonte ngado.
Dhe nga një vend nën diktaturë erdhët në një tjetër me një diktaturë edhe më të egër…
Te ne diktatura komuniste ishte më e butë se te ju dhe kjo, jo sepse Çaushesku ishte njeri i mirë e kishte një shpirt të butë, por punën që bëri këtu te ju Enver Hoxha, te ne e bëri para Çausheskut, Gergiu Dej, diktatori komunist rumun, i cili në vitin 1964 i mbaroi spastrimet politike. Kasta e vjetër politike ose ishte eliminuar, nëntokë, ose ishte në kampe dhe Çaushesku e mori trashëgiminë të pastër dhe e kishte rrugën të shtruar, madje të asfaltuar. Por bëri edhe ai disa ekzagjerime. Në vitin 1971 p.sh, mori shembullin e Kinës dhe Koresë së Veriut dhe bëri një spastrim kulturor “revolucion kulturor”, por prapëseprapë Rumania ka pasur një klasë intelektuale të ngritur që e përballoi diktaturën dhe doli pas rënies së saj me vepra interesante.
Por ama pjesën e spastrimeve e përjetuat në Shqipëri, apo jo?
Po, po. Kam pasur një shoqe, Tatjana Përllaku, që e kishte babain gjeneral dhe u përfshi nga vala e spastrimeve, u shkarkua, iu bë një proces dhe u dënua me burg. Tatjana me shumë vështirë arriti ta mbaronte fakultetin. Pra, kemi jetuar një periudhë shumë të vështirë.
Ndiheshit të përgjuar?
Ishim të ndjekur hap pas hapi dhe kjo dukej më së shumti kur shkonim e vinim nga Ambasada. Kishte gjithmonë një njeri që vinte pas nesh dhe kjo shoqërohej nga frika se edhe kolegët tanë mund të ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Nuk mund ta them këtë me siguri, por ishim shumë të ndjekur dhe frika ekzistonte.
Kur u kthyet sërish në Shqipëri?
U ktheva në vitet ’90, kur komunizmi ishte në rënie dhe që atëherë kam ardhur vit pas viti, nuk kam dashur të kaloj asnjë vit pa e vizituar. E kam përjetuar ndryshimin me sytë e mi. Shqipëria ka bërë përparime, pavarësisht se si ne edhe ju vazhdojmë të jemi vende të varfra, por krahasuar me çka qenë, është shumë më mirë.
Veç përkthimit ju jeni i angazhuar edhe me shoqatën “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”, na tregoni cilat janë aktivitetet tuaja atje.
Kjo organizatë përmbledh një pjesë aktive të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Janë kryesisht të rinj, të cilët kanë ardhur në Rumani pas viteve ’90 për studime, por janë edhe shqiptarë, paraardhësit e të cilëve janë vendosur aty prej shek. XIX. Kjo shoqatë ka përfaqësues edhe në Parlamentin e Rumanisë dhe ka një buxhet nga qeveria rumune për aktivitete kulturore. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve që ju përmenda më sipër, janë botuar me buxhetin e kësaj organizate. Kemi një grup folklorik që këndojnë këngët korçare, që kërcejnë vallet shqiptare. Çdo muaj nxjerrim një revistë kulturore “Miku i shqiptarit”, ku trajtojmë çështje të kulturës, historisë, etnosit shqiptar, me një tirazh prej 2 mijë kopjesh, që shpërndahet falas.
Sa e ruajnë gjuhën dhe zakonet pjesa historike e komuniteti shqiptar në Rumani?
Janë romanizuar 100%. Këtë e ka favorizuar prejardhja e tyre. Shumica janë korçarë ortodoksë, të ardhur në një vend ortodoks. Një pjesë e tyre është e minoritetit arumun dhe janë të familjarizuar me këtë gjuhë. E kanë mësuar shumë mirë dhe shpejt rumanishten. Duke filluar nga shek. XIX, janë vendosur aty dhe janë marrë me biznes. 99.9% e tyre e kanë harruar gjuhën. Fëmijët e tyre nuk e flasin, sa u përket zakoneve kanë ruajtur ato më arkaiket, si fjala vjen vendosja e monedhës në bakllavanë e Vitit të Ri. Por brezi i ardhur së fundi i ruan zakonet dhe gjuhën shqiptare. Ka familje mikse, por ka edhe puro shqiptare. Janë mjekë, juristë etj. Ne po bëjmë të pamundurën që edhe pasardhësit e tyre ta ruajnë gjuhën shqipe.
Thatë se aktivitetet tuaja mbështeten financiarisht nga qeveria rumune, po me Ambasadën Shqiptare në Rumani si i keni marrëdhëniet?
Marrëdhëniet janë për të qeshur dhe për të qarë. Deri para 2 vjetësh kemi pasur ambasadorë me të cilët kemi bashkëpunuar shumë, do sillja rastin e ambasadorit të fundit Dashnor Dervishi, që tani është në Greqi, i cili ishte miku ynë dhe vinte në çdo veprimtari tonën. Ndërsa tani i kemi ndërprerë marrëdhëniet me Ambasadën, sepse nuk kemi gjetur atje mbështetjen që na duhet. E kemi ftuar disa herë nëpër aktivitete ambasadorin aktual, por nuk ka denjuar. Kemi marrëdhënie shumë të këqija edhe me punonjësit e Ambasadës. Tani që kam ardhur këtu, do të doja të pyesja Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si do të shkojë kjo punë, sepse as ne nuk mund të punojmë pa ndihmën e Ambasadës dhe as ajo nuk mund të zhvillojë aktivitetin pa komunitetin shqiptar të Rumanisë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura