Do vendosë deputetja simpatike e PS shami në Kuvend? Ja si përgjigjet Esmeralda Shkjau

Jul 4, 2016 | 11:39
SHPËRNDAJE

Ti nuk lind as ateist e as praktikant i një feje të caktuar. Me gjasë, nëse rritesh në një familje që ndjek të gjitha ritet e shpërndan frymën e besimin, nuk i shpëton dot; e anasjellta është më e vështirë për t’u përçuar. Sidoqoftë, rasti i deputetes së Partisë Socialiste, Esmeralda Shkjau, nuk është as njëri e as tjetri.

Esmeralda Shkjau në iftarin e shtruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako
Esmeralda Shkjau në iftarin e shtruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Dako

Prindërit e saj i përkasin fesë myslimane, por as e ëma e as i ati nuk kanë qenë ndonjëherë praktikantë të saj. Mirëpo, kurioziteti i fëmijës shkon përtej të gjithave. Ndërsa zhbirilonte në pirgun e saj të librave, Shkjau, që në moshën 12- vjeçare, u has për së pari me informacionet rreth besimit fetar.

Nuk e kujton saktësisht se për cilën fe ka lexuar historikun e parë, por kujton mirë që nuk u ndal me aq. Një botë e re, misterioze, e panjohur më parë prej saj iu shfaq dhe ajo ndjeu përnjëherë dëshirën për të hyrë brenda. Hyri në të gjitha dyert!

Lexoi Biblën, Kuranin e gjithë ç’i binte në dorë rreth fushës. Ajo nuk u nis për të marrë një vendim, nuk u nis për të zgjedhur, as që e dinte se do të vinte dita kur të bëhej “zbatuese” rigoroze e gjithë gjërave që kishte lexuar.

Tri vitet që pasuan i shërbyen për të kuptuar atë që nuk njihte. Ajo nuk nënvizoi libra, e as mbajti shënime në mënyrë që të bënte llogaritë që t’i tregonin në fund se feja myslimane kishte fituar mbi të tjerat, jo! Zemra zgjodhi vetë!

Sot, Esmeralda Shkjau, deputetja durrsake, është në vitin e 18-të të agjërimit. Njësoj siç nuk ndikuan prindërit në zgjedhjet dhe vendimet e saj, as ajo nuk ka ndikuar sot në të tyret. Me gjithë vitet që e bija, për një muaj të çdo viti është ngritur në agim për t’u ushqyer dhe e ka bërë sërish në mbrëmje, pas rënies së diellit, ata nuk janë ndikuar. Njësoj si 18 vite më parë, falë kuriozitetit të fëmijës, Shkjau e ndjek këtë rrugë e vetme dhe, ndihet mirë!

Nuk ka kaluar shumë kohë që kur u bëtë pjesë e një eksperimenti social në një qendër tregtare në Tiranë, ku së bashku me moderatoren Floriana Garo dhe modelen Adrola Dushi, vendosët shamitë në kokë dhe patë reagimet e njerëzve karshi femrave myslimane. Nga ajo çfarë patë, a u ndjetë e paragjykuar apo e vlerësuar?

Në fakt, për mua nuk ishte hera e parë që vendosja atë që quhet petku i besimit. Është një ndjesi shumë pozitive, që fillimisht e ndjen si vajzë, si femër, si grua e më pas si besimtare. Ne jetojmë në një vend të jashtëzakonshëm ku besimi dhe kulturat e ndryshme fetare bashkëjetojnë dhe ndërthuren shumë mirë me njëra-tjetrën. Pikërisht për këtë fakt, për këtë tolerancë fetare, njerëzit në rrugë dhe kudo tjetër e pranojnë shfaqjen e vajzave me shami.

Ndjesia që mora nga ai eksperiment social që u realizua ishte shumë pozitive. Fillimisht u ndjeva mirë për faktin që vendosëm petkun e besimit tri vajza të besimeve të ndryshme, ku njëra është myslimane, tjetra është katolike e tjetra është ortodokse.

Sa i takon reagimit të njerëzve, do të thosha se nga ajo që unë pashë në sytë e tyre, fillimisht kishte një ndjesi habie, por më pas gjithsecili të pranon dhe të shikon me admirim, si për të treguar se ajo që ti po bën është një zgjedhje që duhet pranuar. Në këtë kontekst, mund të them se nuk pashë paragjykim në sytë e askujt, përkundrazi, pashë një interes dhe kuriozitet shumë të madh.

A janë shqiptarët paragjykues në këtë pikëpamje? Nga përvoja juaj, si reagojnë ndaj një femre të mbuluar?

Vendimi i një vajze për të vendosur petkun e besimit është diçka personale, e ndjerë dhe që lidhet ngushtësisht me besimin e saj. Pikërisht për këtë fakt, çdo vajzë që vendos shami nuk mendon për faktin se mund të jetë e paragjykuar. Kjo pasi e lidh këtë paraqitje të saj me diçka që e tejkalon mendimin thjesht për veten dhe mënyrën se si do të shihet nga të tjerët.

Në këtë kontekst, besoj se edhe për faktin se Shqipëria është një vend me një popullsi të madhe myslimane, nuk ka ndonjë paragjykim shumë të madh për vajzat apo gratë që vendosin shami.

Sigurisht ka pasur debate të caktuara që lidhen me mbajtjen e petkut të besimit në institucione publike dhe shkolla, por besoj se këto diskutime janë tejkaluar, pasi të gjithë kanë krijuar bindjen se ajo shami nuk dëmton askënd dhe ka shumë vlerë për personin që e vendos.

Në një nga iftaret e këtyre ditëve
Në një nga iftaret e këtyre ditëve

Ka qenë ndikimi i prindërve apo vendimi juaj fakti që zgjodhët ta kryeni shkollën e mesme në një institucion fetar, pra, në Medresenë e Tiranës?

As prindërit e mi, dhe mendoj që as të tjerët, nuk duhet të ndikojnë në vendime të tilla, ajo është thirrja e Zotit. Nëse e dëgjon, i shkon pas, në të kundërt, ndiq rrugën tënde. Historia ime me besimin ka nisur vetëm falë kuriozitetit. Qysh fëmijë kam qenë kurioze për gjithçka; siç isha për gjuhët e huaja, ashtu isha edhe për besimet fetare.

Nga prindërit jam myslimane, megjithatë kjo nuk më pengoi që të studioja edhe fetë e tjera. Kam marrë informacione rreth të gjithave, deri sa, në fund, zemra zgjodhi vetë. Nga mosha 12-vjeçare e deri 15 vetëm kam hulumtuar. Njëra rrugë hapte një tjetër dhe si fëmijë, nuk se je aq i qartë sa të zgjedhësh menjëherë. Prej kohës që vendimi u mor natyrshëm, nuk jam ndarë më. U bënë 18 vjet që agjëroj.

Pra, ambienti familjar nuk është se ju afronte drejt praktikave fetare?

Jo, asnjëri prej familjarëve nuk ka agjëruar atëherë dhe nuk është ndikuar për të agjëruar as nga unë, në këto 18 vite.

Deri tani, Kuvendi nuk ka pasur asnjë femër të mbuluar. A mendoni se mund t’ju shohim ju një ditë të shkoni me shami?

Është e vërtetë që deri më tani në Kuvend nuk ka pasur deputete femra të mbuluara me shami. Por kjo nuk do të thotë se gjatë legjislaturave të kaluara, por edhe në këtë aktuale, nuk ka pasur dhe nuk ka deputete që besojnë dhe kryejnë ritet fetare të besimeve që i përkasin. Mungesa e një gruaje deputete me shami në Kuvend nuk ka qenë për shkak të paragjykimit, mendoj unë, por për shkak se gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë prej ligjvënëseve që të mbante petkun e besimit.

Do ta kisha cilësuar shqetësuese rastin nëse më parë një nga gratë deputete do të kishte mbajtur shami dhe do të ishte detyruar ta hiqte, thjesht dhe vetëm prej pjesëmarrjes në Kuvend, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Por Kuvendi i Shqipërisë nuk është i vetmi vend ku të zgjedhurit ushtrojnë detyrat e tyre.

Në pushtetin vendor ka mjaft raste në të gjithë vendin ku vajza të besimit mysliman, meqenëse jemi duke folur për to, të cilat vendosin shami janë bërë pjesë e këshillave bashkiakë. Rasti më i fundit është ai i këshilltares së PDIU-së në Bashkinë e Tiranës, Albina Ferko, e cila që nga fushata zgjedhore dhe aktualisht që ushtron mandatin e saj, mban shami.

Sa i takon pjesëmarrjes sime në Kuvend me shami, nuk është se e kam menduar ndonjëherë. Por, ashtu siç ju sqarova, kjo gjë nuk lidhet me frikën për mënyrën se si do dukesha apo me mënyrën se si do të më gjykonin kolegët, por më shumë me mënyrën se si unë e ndiej ta shfaq besimin tim.

Një nga iftaret e shtruara nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli
Një nga iftaret e shtruara nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli

Vetëm vjet u arrit që politikës t’i bashkëngjitet në nivel lokal një grua me shami, siç është Albina Ferko Nanaj e PDIU-së, në Këshillin Bashkiak të Tiranës. A është momenti që t’i shtohen më shumë politikës gra me devotshmëri fetare?

Unë e sqarova edhe më sipër që, pavarësisht se në klasën politike këtu në Tiranë rastet e funksionareve me shami kanë qenë të pakta, këtë gjë nuk mund ta themi për bashki të ndryshme në të gjithë vendin. Ka pasur dhe kam bindjen që do të ketë vajza që zgjedhin të mbajnë shami gjatë funksioneve publike që ato mbajnë.

Albina nuk besoj se ka pasur për qëllim parësor të saj ndryshimin e mentalitetit të funksionareve besimtare që nuk mbajnë shami. Albina është një vajzë shumë punëtore, e zonja në punën e saj, përveç si këshilltare dhe me një përkushtim shumë të veçantë e njerëzor për qytetarët e Tiranës.

Krahas kësaj, jo si qëllim, por si pjesë e një kulture besimi që i përket, ajo mban edhe shami, e cila në gjykimin tim, e plotëson dhe e bën më fisnik rolin e saj si këshilltare. Pastaj, në lidhje me shtimin e numrit të grave, e theksoj se kjo nuk është çështje sasie, por besimi.

A janë të përkushtuarit ndaj fesë më të ndershëm në politikë?

Në fakt, në gjykimin tim, ndershmëria e njeriut nuk lidhet ngushtësisht me çështjet e besimit. Sigurisht që personat të cilët kanë një devocion ndaj besimit që i përkasin janë të prirur të jenë më të ndershëm dhe më human në atë që bëjnë. Por, përkushtimi në politikë lidhet me faktorë të tjerë, që kanë të bëjnë sa me formimin, aq edhe me kuptimin e detyrës. Pjesë e politikës janë profesionistë të zotë të fushave të ndryshme, pa përkushtimin e të cilëve ky vend nuk do të ishte ky që është.

Gjithashtu, kuptimi i detyrës së deputetit si një përgjegjësi dhe jo si një privilegj që ke marrë nga zgjedhësit, do të rriste dozat e përkushtimit dhe devotshmërisë për të punuar më shumë për gjithsecilin.

Nga ana tjetër, politika është terreni më pak i përshtatshëm për të ruajtur qetësinë, për të mos ngritur zërin. A duhet që për shkak të Muajit Ramazan të jeni më e përmbajtur? Çfarë i ndryshon përditshmërisë suaj në këto ditë?

Nuk besoj të më keni dëgjuar ndonjëherë duke ngritur zërin.

Ishte fjala për ambientin, jo konkretisht për ju…

Pikërisht ky është qëllimi i agjërimit, por jo vetëm i një muaji. Ti pastrohesh nga të gjitha “toksinat” e një viti, edhe nga herët ku nuk ke dashur, por ke gabuar, je tensionuar, ke thënë një fjalë më tepër. Pastrimi i trupit dhe i shpirtit gjatë këtij muaji është si një rezervë për të tjerët që do të vijnë. Nuk ka vetëpërmbajtje të sforcuar në këtë rast, sepse buron e gjitha nga gjendja dhe paqja shpirtërore që të fal muaji i shenjtë.

Në një intervistë të dy viteve më parë, ju keni deklaruar: “Kam qenë gjithnjë e majtë në mendime dhe e admiroja shumë Edi Ramën. E shihja si një njeri që do të sillte një frymë të re europiane dhe do të bënte diçka për Shqipërinë”. Tashmë pas dy vitesh, a mendoni se Rama e ka sjellë frymën e re europiane dhe a ka bërë diçka për Shqipërinë?

Pa dyshim po. Nuk besoj se ka një model krahasues të mënyrës së të bërit politik dhe të folurës në publik në Shqipëri me atë të Edi Ramës. Pas më shumë se dy vitesh në postin e Kryeministrit, pavarësisht sulmeve, vazhdon të jetë energjik dhe këmbëngulës për t’u treguar të gjithëve se ky vend nuk mund të bëhet ndryshe, nëse nuk u nënshtrohet reformave të rëndësishme.

Në çdo qytet, falë projektit të Rilindjes Urbane, mund të shihen copëza europianizmi dhe zhvillimi, ku kam bindjen se në të gjithën janë edhe shijet e Kryeministrit Rama.

Deputetja e PS, Esmeralda Shkjau
Deputetja e PS, Esmeralda Shkjau

Ju shohim shpesh të angazhuar me bamirësi… E keni bërë këtë gjë gjithmonë apo të qenët deputete kërkon edhe përfshirje të tilla?

Përfshirjen në aktivitetet e bamirësisë unë e kam filluar përpara se të isha pjesë e politikës. Është një angazhim, nga i cili fal shumë dashuri dhe jep thuajse asgjë nga vetja, duke krahasuar me nevojat që mund të kenë ata njerëz që ndihmon.

Pjesëmarrja në Kuvend në këto vite më ka ndihmuar që aktivitetet e bamirësisë të marrin më shumë mbështetje, si nga bizneset, ashtu edhe nga institucionet. Por në këtë angazhim, më shumë sesa emri im apo përfshirja ime, ka rëndësi ndihma që mund të japim për ata që nuk kanë mundësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura