“Do t’ju tërheqim zvarrë, s’do vijë më kurrë koha e babait tuaj”- Dëshmia e të birit të kapitenit të Zogut: Nënën e nxirin nga burgu e i ngarkonin një thes me kripë në kurriz, por rrugës…

Jun 14, 2020 | 15:58
SHPËRNDAJE

Është publikuar historia e panjohur të Rapo Binerit me origjinë nga fshati Fushë-Bardhë i Gjirokastrës, i cili pasi u diplomua në periudhën e Monarkisë së Zogut në Akademinë Ushtarake të Firences e Bolonjës, u kthye në atdhe dhe shërbeu si ushtarak i karrierës në disa rrethe të vëndit me gradën e kapitenit dhe gjatë periudhës së pushtimit të vëndit,  ai nuk u përzie fare në politikë, por ndihmoi partizanët e Myslym Pezës, duke u instaluar artilerinë e rëndë, dhe në nëntorin e ’44-ës, u largua nga Shqipëria me disa nga eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit, si: Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Faik Quku, Neshat Kolonja, Masar Pustina, Xhemal Laçi, Hamza Drini, Halit Çaushi etj.  Dëshmia e të birit, Veli Binerit, lidhur me trajtimin çnjerzor që i’u bëri regjimi komunist familjes së tyre, duke i’u konfiskuar fillimisht shtëpinë në Rrugën e Durrësit dhe i internuar në Delvinë, ku i futën në një kasolle bagëtish dhe nënën e tij dënuan me dy muaj burg, të cilin e vuajti në Kalanë e Gjirokastrës, ku e ngarkonin me thasët me kripë dhe gjatë rrugës disa familje komunistësh në lagjen “Papuçi” e shanin dhe ofendonin. Bashkë me nënën ishte dhe një fqinja jonë, Ervehe Hadëri, të cilët komunistët i kishin pushkatuar burrin dhe nga ky qëndrim që bëhej ndaj saj, humbi dhe të birin, Feletuni, ndërsa e bija, Engjëllushja, kaloi në depresion.

“Siç më ka treguar nëna ime, aty nga janari i vitit 1945 kur nuk kishte më shumë se dy-tre muaj që babai ishte arratisur nga Shqipëria, në shtëpinë tonë aty tek Rruga e Durrësit, erdhën disa partizanë të Forcave të Divizionit të Mbrojtjes dhe pasi hynë brenda me zhurmë të madhe, filluan kontrollin e shtëpisë.

Ngjrja gjirokaster

Nga ardhja e tyre në atë mënyrë, u tmerruan nëna me dy motrat e vogla dhe unë që atëhere nuk isha më shumë se një vjeç. Gjashtë partizanët dhe oficeri që i komandonte, pasi i kthyen mbrapsht të gjitha rrobat e shtëpisë, morën me vete të gjitha plaçkat personale të babait, duke i grumbulluar në disa valixhe të cilat ai i kishte sjellë nga Italia që nga viti 1931 kur ishte në Akademinë e Firences. Përpara se të largoheshin, partizanët morën me vete dhe një dërrasë në formë kërrabe që babai e përdore të zbathur çizmet ushtarake dhe kur nëna i’u tha se për çfarë e donin atë, ata i’u përgjigjën: E dimë ne”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Veli Bineri, i cili rrëfen gjithë vuajtjet dhe peripecitë që ai së bashku me familjen e tij kanë kaluar gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, për shkakun e vetëm,se babai i tij Rapo Bineri, ish-oficer i karrierës në Monarkinë e Zogut i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Firences, u arratis nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit. Po kush ishte Rrapo Bineri dhe cila është e kaluara e tij? Ku shërbeu ai pas diplomimit në Akademinë Ushtarake të Firencës dhe përse në vitin 1944 ai shkoi në Pezë për t’i ndihmuar partizanët e Myslym Pezës në instalimin e artilerisë që do të përdorej kundra gjermanëve? Përse Rrapo Bineri u arratis nga Shqipëria dhe çfarë qëndrimi mbajti regjimi komunist ndaj familjes së tij?.

Kush ishte Rrapo Bineri?

Rrapo Bineri u lind në 24 janar të vitit 1908 në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Lidhur me të kaluarën e babait të tij Rrapos, i biri i tij i vetëm, Veli Bineri dëshmon: “Babai i Rrapos dhe gjyshi im, quhej Zeman dhe në ato vite ai u muar me një tregti të vogël sa për të mbajtur familjen. Përveç kësaj pune, gjyshi im Zemani, ka shërbyer për shumë kohë si adjutant i Myfit Bej Libohovës, i cili në atë kohë ka qenë një prej bejlerëve më të dëgjuar të Libohovës dhe disa herë deputet i Parlamentit shqiptar.

Duke qenë se babai im Rrapo, ishte djal i vetëm, gjyshi Zemani u kujdes shumë për të dhe e dërgoi që të vazhdonte Liceun franez të Gjirokastrës, ku babai doli me rezultate shumë të mira dhe pas mbylljes së asaj shkolle, ai e shkoi në Korçë ku dhe u diplomua në Liceun francez të atij qyteti në vitin 1926. Për këtë gjë, nga qeveria e asaj kohe atij i akordua një bursë shtetërore për të ndjekur studimet në një nga shkollat ushtarake të Italisë, gjë e cila u bë e mundur nga një marveshje që ishte bërë asokohe ndërmjet qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, për shkollimin e shumë studentëve shqiptarë në Akademitë ushtarake të Italisë”, kujton Veli Bineri, lidhur me babanë e tij Rrapon, nga fshati Fushë-Bardhë i Gjirokastrës, i cili pasi u shkollua në Liceun francez të Korçës, fitoi të drejtën për të studiuar në shkollat Ushtarake të Italisë.

Në Akademinë e Firences

Pas akordimit të bursës nga qeveria shqiptare për të ndjekur studimet ushtarake në Itali, në shtatorin e vitit 1928, Rrapo Bineri së bashku me disa shokë të tij, si Sulejman Vuçiterna nga Kosova, Syrja Golja nga Peshkopia dhe Riza Hasan Hoxha nga fshati Sanjollas i Kolonjës, udhëtuan për në Itali. Lidhur me këtë, Veli Bineri dëshmon: “Siç më ka treguar nëna ime Nezaqeti, babai im Rrapo studjoi në dy shkolla ushtarake, në Bolonja, ku u diplomua me rezultate të larta dhe fitoi të drejtën për të vazhduar Akademinë Ushtarake në qytetin e Firences. Në këtë Akademi dy vjeçare që asokohe ka qenë tepër e njohur jo vetëm në Itali por dhe jashtë saj, babai studjoi në degën e Artilerisë Toksore, duke fituar gradën e togerit. Pas kësaj, babai u kthye në Shqipëri dhe Qeveria e Mbretit Zog e caktoi në Regjimentin e Artilerisë në Gjirokastër.

Më pas duke qenë ushtarak i karrierës, babai im Rrapo Bineri, shërbeu edhe në disa rrethe të tjera si në Berat, dhe në Dibër, ku kishte si epror major Syrja Goljen e Mahmut Golemin. Pasi shërbeu disa vjet në rrethin e Dibrës, aty nga viti 1938, babanë e sollën në Tiranë dhe në atë kohë ai u martua me nënën time Nezaqet Çomo nga Libohova e Gjirokastrës, (e bija e Neshet dhe Feime Çomos). Babai qëndroi si ushtarak edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, duke shërbyer si oficer me gradën e kapitenit të parë në Ushtrinë Kombëtare dhe pas kapitullimit të Italisë, ai dha dorhëqjen dhe u largua nga ushtria. Pas lirimit nga ushtria, ai nuk u përzie fare në punët e politikës, por qëndroi në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Durrësit, duke u marrë vetëm me studime.

Aty nga janari i vitit 1944, babanë e njoftuan me anë të një letre, se e kërkonte Shtabi i partizanëve të Pezës, dhe ndonëse ai ishte një antikomunist i vendosur, u paraqit menjëherë aty, ku Myslym Peza i kërkoi që të instalonte disa armë të rënda artilerie, që ata u kishin kapur italianëve. Duke qenë se babai ishte specialist i asaj fushe, ai u’a instaloi menjëherë ato armë që do përdoreshin kundër një autokolone gjermane. Nga mesi i nëntorit të vitit 1944, kur partizanët kishin filluar sulmin për të çliruar Tiranën, babai i tha nënës se kishte vendosur që të largohej nga Shqipëria dhe ato ditë ai së bashku me disa ish-oficerë të Monarkisë së Zogut, shkuan në çifliqet e Toptanasve, ku pasi u takuan me Abaz Kupin, u larguan nga Shqipëria në ditët e fundit të nëntorit të 1944”, kujton Veliu, atë kohë kur babai i tij u detyrua të largohej nga Shqipëria, edhe pse kishte ndihmuar partizanët e Myslym Pezës, duke I’u instaluar armët e rënda të artilerisë.

IMG-20200613-WA0018-750x375

Arratisja nga Shqipëria

Lidhur me arratisjen e ish-kapitenit të Monarkisë, Rapo Bineri, ka dëshmuar edhe Ahmet Nivica, një nga personat që është larguar bashkë me të nga Shqipëria dhe ka qëndruar për katër vjet me Rrapon në kampet e Italisë, i cili tregonte: “Me Rrapo Binerin jam njohur në fundin e nëntorin të vitit 1944, kur ne eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit, ishim duke u larguar nga Shqipëria. Në atë kohë pasi u larguam nga Shkodra dhe mbërritëm në portin e Tivarit, ne hipëm në dy varka, duke i paguar me florinj pronarët e tyre. Në varkën që isha unë, bëheshim rreth 120 veta dhe sipas porosisë së kapitenit, ne bënim shërbim me rradhë në bashin e anijes, duke vrojtuar se mos ndesheshim në minat që kishin vënë gjermanët të cilat ishin të lidhura nëpër fuçia. Kur më erdhi rradha mua për të bërë shërbim, pashë se në bashin e anijes ishin dy veta të lidhur me litar në mes, të cilët po pinin një shishe të madhe me raki me qetësinë më të madhe, sikur ishin në ndonjë kafene në tokë.

Ngjarja gjirokaste

Mua më bëri përshtypje të madhe qetësia e tyre, sepse në ato momente kritike, kur pritej nga çasti në çast mbytja e anijes prej dallgëve të mëdha, shumë prej nesh kishin nxjerrë revolet gati për të vrarë veten, që të mos shihnin vdekjen me sy duke i shqyer kafshët e detit. Unë pyeta kolonel Neshat Kolonjën, se kush ishin ata të dy dhe ai më tregoi se ata ishin: kapiten Rrapo Bineri dhe Ali Temali nga Shkodra. Me Rrapon unë njihesha familjarisht, por për vetë diferencën e moshës, nuk kisha ndonjë shoqëri të madhe, sepse ai shoqërohej më tepër me grupin e ish-ushtarakëve të Zogut, ku bënin pjesë: Neshat Kolonja, Masar Pustina, Xhemal Laçi, Hamza Drini, Halit Çaushi etj. Ndonëse kishte qenë ushtarak i Monarkisë së Zogut, Rrapo Bineri anonte më tepër nga Balli Kombëtar dhe ishte një nacionalist e antikomunist i vendosur, i cili nuk pyeste fare për partitë politike, por vetëm për fatin e Shqipërisë”, kujtonte Ahmet Nivica për Rapo Binerin, me të cilin ishte arratisur nga Shqipëria në nëntorin e 1944-ës.

Persekutimi i familjes nga komunistët

Po pas arratisjes së Rrapo Binerit, çfarë ndodhi me familjen e tij në Shqipëri dhe si u trajtuan ata nga regjimi komunist? Lidhur me këtë, i biri i tij, Veliu dëshmon: “Siç më ka treguar nëna ime, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre muaj nga arratisja e babait, në janarin e vitit 1944 në shtëpinë tonë aty tek Rruga e Durrësit, erdhën disa partizanë të Divizionit të Mbrojtjes të cilët hynë brenda më zhurmë dhe nisën të kontrollonin duke i kthyer mbrapsht të gjitha plaçkat e shtëpisë.

Nga ardhja e tyre e papritur u tmerruam të gjithë, që nga nëna dhe dy motrat e vogla gjashtë dhe tre vjeçare, si dhe unë që nuk isha më shumë se një vjeç. Gjashtë partizanët dhe oficeri që i shoqëronte, i mblodhën të gjitha plaçkat e babait në disa valixhe që ai i kishte sjellë që kur studjonte në Akademinë e Firences në Itali dhe kur po dilnin, ata morën me vete dhe një dërrasë, që babai e përdorte për të hequr çizmet. Kur nëna, për t’i injoruar i pyeti se: çfarë e donin atë, ata i’u përgjigjën: E dimë ne. Deri aty nga viti 1957, ne qëndruam në shtëpinë tonë tek Rruga e Durrësit, duke jetuar me disa florinj që i kishte kursyer babai, të cilat nëna i thyente fshehurazi dhe me to blinte miellin që ushqeheshim ne tre fëmijët e vegjël.

IMG-20200613-WA0015

Gjatë asaj kohe, ne shikoheshim si familje reaksionare dhe nënës nuk i jepnin punë, kurse dy motrave që shkonin në shkollë, mësuesit i’u bënin presione nga më të ndryshmet, duke u thënë: Ku e keni babain, nuk do të vij kurrë dita e tij. Do t’ju fusim në burg se jeni bijat e oficerit të Zogut”, kujton Veliu atë kohë pas arratisjes së babait, Rrapos, kur familja e tij u gjend nën presionin e vazhdueshëm të regjimit komunist, që i kishte shpallur ata “familje reaksionare”, duke mos iu dhënë as triskat e frontit

Dënimi i nënës, dy vjet burg

Po më pas si rrodhën ngjarjet me familjen e Rrapo Binerit dhe si u trajtua ajo nga regjimi komunist në fuqi? Lidhur me këtë, Veliu dëshmon: “Në Tiranë ne qëndruam deri aty nga viti 1957 dhe në atë kohë ne na e konfiskuan shtëpinë tonë dhe na internuan, duke na dërguar në Delvinë tek shtëpia e gjyshit nga nëna, i cili na liroi një dhomë. Kur ne po bëheshim gati që të hynim aty, njerzit e Sigurimit të Shtetit erdhën e na ndaluan duke na thënë se: në atë dhomë do të hynte një oficer i Ushtrisë, i cili ishte pa shtëpi, kurse ne na thanë që të jetonim në një katua bagëtish. Nëna ime u indinjua nga që nuk po na linin të jetonim as në shtëpinë e gjyshit tonë dhe i’u drejtua atyre duke i thënë: Ore çfarë bëni kështu, në këtë katua nuk jetojnë dot as njerzit e malit?!

20200613_232459

Vetëm nga këto fjalë që tha nëna, njerzit e Sigurimit e arrestuan menjëherë dhe e nxorrën në gjyq, duke e dënuar me dy muaj burg, të cilat ajo i vuajti në Kalanë e Gjirokastrës. Gjatë atyre dy muajve, ajo vuajti një ferr të vërtetë, pasi çdo ditë e nxirrnin me roje nga burgu i Kalasë dhe e dërgonin poshtë në qytet, duke i ngarkuar në kurriz thesin me kripë apo me oriz, për ta dërguar në guzhinën e burgut. Gjatë kohës që ne qëndruam në Delvinë, u gjendëm nën një terror të pa parë psikologjik, sepse njerzit e Sigurimit, kishin porositur disa familje komunistësh në lagjen “Papuçi”, të cilët sapo kalonte nëna ime dhe një komshie tjetër e jona që quhej Ervehe Hadëri, ata i bështynin dhe i shanin me lloj lloj fjalësh. Nga ky qëndrim i ashpër që u bëhej, Ervehesë, të cilës i kishin pushkatuar burrin, i vdiq dhe djali, Felatuni dhe nga presionet e Sigurimit, kaloi në depresion të thellë dhe i’u çmënd edhe vajza Engjëllushja. Në vitin 1960, kur ne akoma banonim në Delvinë dhe nëna punonte në ndërtim në Sarandë, mundëm të lidheshim me babanë, pasi i’a gjetëm adresën me anë të familjes Shtino në Gjirokastër, sepse Qemal Shtino, në atë kohë ishte në Itali me babanë.

Në përgjigjien e letrës, babai të cilin unë nuk e kisha parë kurrë, më shkruante që të vazhdoja shkollën, pasi ai nuk e dinte se si po trajtoheshim ne nga regjimi komunist. Pas kësaj letre, ne u gjendëm nën presionin e Sigurimit të Shtetit, që donte të burgoste dy motrat e mia, të cilave operativët u thonin: ‘Do t’ju tërheqim zvarrë, sepse nuk do vij më kurrë koha e babait tuaj’ dhe na hoqën nga Delvina e na sollën në Thumanë të Krujës. Aty na futën në një dhomë dhe nënën e caktuan që të punonte në punët më të rënda në bujqësi.

Aty nga mesi i vitit 1980, ne na thirrën në Tiranë dhe Zyra Komisionere na njoftoi vdekjen e babait, sipas lajmërimit që kishte dërguar Ambasada jonë në Romë. Aty na thanë që ne të firmosnim një deklaratë për të përfituar pasurinë që kishte lënë babai, por ne jo vetëm që nuk morëm asgjë, por kur shkuam për të kërkuar pensionin e babait që ta merrte nëna, njerzit e Sigurimit na shanë, duke na thënë se ne po kërkonim lëmoshë nga vendët kapitaliste”, e përfundon rrëfimin e tij, Veli Bineri, duke shtuar se: familja e tij nuk ka përfituar asgjë nga ajo pasuri që u la babai nga aktiviteti i tij privat dhe pensioni si ish ushtarak i Italisë./Memorie.al

20200613_234416

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura