“Do thithë investime të huaja”- Veliaj prezanton Zonën e Lirë Ekonomike: Gjeneron 5-7 mijë vende pune të mirëpaguara! Ja kur do hapen thirrjet për bizneset qe duan të investojnë

Mar 28, 2023 | 14:38
SHPËRNDAJE

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA) në Kashar, i cili sipas tij do të gjenerojë 5-7 mijë vende pune të mirëpaguara dhe do të thithë investime të huaja.

veliaj

Sipas tij, në këtë mënyrë do të zgjerohet gama e industrive operuese në tregun shqiptar, ndërsa shtoi se së shpejti, do të hapen thirrjet e para për bizneset që duan të aplikojnë.

Veliaj: Bëhet fjalë për një territor të madh toke, fillimisht 35 ha, potencialisht 50 ha dhe idealisht 100 ha, në varësi si ecën projekti, i cili ndodhet në një hapësirë fushore mes dy akseve, aksit të Kombinatit dhe aksit të rrugës Tiranë-Durrës-Kashar. Kjo hapësirë do të jetë shtëpia e re e Zonës së Lirë Ekonomike të Tiranës, ku një biznes mund të investojë pa u shqetësuar se kush e ka tokën në pronësi, me sa pronarë duhet të flasë, sa negociata duhet të bëjë, kush do të jetë sekseri, apo agjencia, që do të më koordinojë etj.

 

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se tashmë kanë ardhur edhe kompanitë e para, që duan të investojnë dhe të bëhen pjesë e TEDA Tirana.

Ndërsa shtoi se do të jetë një përfitim të madh sidomos për banorët përreth zonës.

Erion Veliaj: Këtu bëhet fjalë për punët e së ardhmes, jo për punët e së kaluarës. Me gjithë respektin për këdo që i ka bërë këto punë në vitin 2000, si fasonët apo call center, punë të cilat paguheshin pak, por këto në 10 vite ekonomia e vendit ka ndryshuar. Sot kemi hotele me 5 yje, në ato kullat e anatemuara, dhe sot gjysma e ekonomisë është IT dhe turizëm. Bëhet fjalë për të transferuar në Tiranë data-centerin më të madh të të gjithë Ballkanit dhe për të kaluar nga fasonët dhe call center në data center, për punë që paguajnë më shumë, me inxhinierë të teknologjisë së informacionit, dizanjer softuerësh, që mirëmbajnë rrjete, me rroga të barabarta me ato në perëndim, që mund të kthehen në spiranca për kompani të tjera.

Shumë kompani nga Izraeli janë shprehur se, nëse hyn kjo data center në Shqipëri, edhe 87 kompanitë tona që i kanë lidhur bizneset me këtë data center, janë gati të transferohen aty. Ky është një lajm i shkëlqyer, sidomos për ata që banojnë në zonën e Astirit, Kombinatit, Misto Mames dhe Kasharit. Bëhet fjalë për të krijuar një treg pune për 5-7 mijë persona të mirëpaguar, që sigurisht përfituesit kryesorë janë ata që e kanë afër shtëpisë. Nuk e kemi zgjedhur pa dashje zonën, duke qenë se shumica e çifteve të reja, shumica e studentëve dhe shumica e atyre që janë qytetarë të rinj në Tiranë, fillimisht vijnë si studentë dhe më pas krijojnë familje, banojnë në atë zonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura