Do të vijë dita që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por…

Sep 26, 2020 | 10:38
SHPËRNDAJE

Artur ZhejiARTUR ZHEJI

Takoj dhe shoh shpesh e më shpesh njerëz të kërrusur apo në kërrusje e sipër, të cilët pasi pështyjnë dhe psherëtijnë, u japin zë ofshamave të tyre të brendshme që kumbojnë si vullkane të shuara në shpirtrat e tyre plot gjurmë të dukshme e të padukshme plagësh…
Janë turmat e atyre që nuk bien në sy, ndonëse janë shumica e kësaj bote, femra apo meshkuj, apo qëllon edhe të dyja bashkë njëherësh, që zgjohen për të punuar si ca insekte toke, aspak fluturake mjerisht shumë prej tyre, pa identitet, dhe që kur të vdesin, do të mbeten jashtë kujtesës së kësaj toke dhe këtij universi…

Janë ata, shumica absolute, që punojnë derrçe dhe që dehen me birra të lira dhe ushqehen e gjejnë shije në paketimet 1 apo 2 dollarëshe… Ata pra, të tradhtuarit e shumtë të kësaj toke, të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm se edhe nëse vdesin apo bien në ndonjë greminë urbane, askush nuk do ta ndjejë mungesën e tyre, pasi që ndoshta janë ca krijesa që nuk lëshojnë as hije, se mbase ata janë të padukshëm edhe përkundrejt vetë diellit…

Porse ashtu sikundër dhe heshtja ka një zë, apo sikundër çdo gjallesë lëshon një tingull, edhe turma e të braktisurve e ka një Zot! Ose më saktë, Zoti, për aq sa ai ekziston, në të vërtetë apo në trurin tonë, ai Zot pra është Zoti dhe dashnori i kësaj turme që ofshan dhe i askujt tjetër… I kësaj turme, pra, të të shumtëve që ndihet e tradhtuar, e vetmuar apo krejtësisht jetime në ato sekonda jete që universi u ka dhënë borxh për të gjalluar… “Pse o Zot!

Pse o Zot, mbi këtë tokë mbretëron padrejtësia?! Pse o Zot? Pse o Zot, tradhtari përbetohet për besnikëri dhe dashuri, pikërisht kur është në afshin e epsheve të tradhtisë? Përse hajduti përbetohet për ndershmëri, ndërkohë që na vjedh e na zhvat?! Pse?! Dhe mbi të gjitha përse Zoti, Zoti ynë, nuk ndërhyn për të ndrequr gjërat? Për të vendosur peshore drejtësie?! Për të ndëshkuar fajtorët dhe për të mbrojtur të tradhtuarit, jetimët dhe të pafuqishmit?!”

Dhe janë të shumtë ata që psherëtijnë dhe pështyjnë gjak kësisoj dhe ndihen të vetmuar dhe të braktisur ata! Ua lexoj vështrimet që marrin vrull nga zgavrat e syve e që ngjiten lart, në atë pikën të panjohur që quhet Zot, si ca re avulli të bardha… Dhe në këtë vetmi të thellë, në këtë braktisje të pashërueshme, ata gjithmonë e më të shumtë dhe gjithmonë e më të dëshpëruar ngrenë sytë lart, diku turbull në qiell, në kërkim të një drejtësie hyjnore! Por disa shërbëtorë të stërholluar, paguar nga “zhvatësit” dhe gjakpirësit tanë dhe të kësaj bote, u thonë turmave në mënyra të ndryshme se kjo drejtësi për krimet e kryera mbi ta dhe mbi jetët e tyre nuk do të mbërrijë kurrë mbi tokë dhe ndër ne!

Sepse fërshëllejnë si gjarpri ata, për t’iu helmuar e vrarë çdo shpresë në drejtësi dhe nder, “thjesht Zoti nuk është!” dhe “drejtësia është një shpikje e mendjeve të sëmura, një koncept brenda kafkës së mjervijon nga faqja 1 anëve të pashpresë dhe jo një mbretëreshë e gjithëpushtetshme e universit!”… përhapin muzg të shtuar trishtimi ata të pabesë shërbëtorë e shërbyes të hajdutërisë! Dhe paskëtaj, të paguarit, këta gënjeshtrathënësit që flasin me fjalë të puthitura, ngrenë lart ca vetulla gënjeshtare serioziteti, shkojnë e arkëtojnë te padronët e tyre monedhat e shpërblesës që ju shtyjnë ju, populli im, herë në vetëvrasje, herë në nënshtrim, e që ju lënë në errësirën pa shtegdalje, apo ju mbysin kështu në pusin e vrerit pa kufi që ju kap nga gryka dhe nuk ju lëshon më, derisa ju merr shpirtin e rraskapitur…

Bëj çfarë të duash populli im, ti gjithmonë je dhe do të jesh i pafajshëm, sepse ti gjithmonë paguan e stërpaguan maskarenjtë… Vetëm se mos resht asnjë çast së besuari te drejtësia e tokës dhe e qiellit që do të bjerë mbi zhvatësit, mbi tradhtarët, mbi të pabesët që kanë shpërdoruar, si ca prostituta gojështhurura, besimin tënd të shenjtë! Sepse drejtësi ka! Dhe ajo herë bie si kambanë e vdekjes dhe herë si lëngatë pa shërim, e herë-herë, e ndoshta gjithmonë e më shpesh, si një aksident pa kuptim, si një rrufe në qiell të hapur!

Sepse budallenjtë, maskarenjtë dhe kurvërorët e kurvat nuk e dinë sa misterioze dhe e beftë është drejtësia hyjnore! Kur ata shpesh në vetminë e klinikave të shtrenjta do të jenë duke lënguar plot spazma, do të ndihen më vetëm dhe më të mjeruar se kurrë, kur të shohin familjarët që mezi presin jo shpëtimin, por vdekjen e tyre, për të ndarë babëzisht plaçkën e vjedhur. Se do të vijë dhe radha e tyre për të vuajtur e për t’u brengosur pa shërim, ashtu si ne, populli im, vuajmë e brengosemi shpesh pa ngushëllim prej kësaj fare, në të shumtën e vet farë kopilësh, pa oxhak e pa fis me derë të lartë, apo farë e mosprejardhur prej emrash të njoftshëm…

Do të vuajnë pra dhe zhvatësit dhe tradhtarët e besimit, se do të zhvaten dhe ata e do të tradhtohen dhe ata, tradhtarët, kur të vendosin besim te bashkëpunëtorët apo te të dashurit e tyre të fshehtë, e do të bien edhe ata në pusin e thellë të mjerimit shpirtëror të pashërueshëm!

Dije popull, ato çaste hidhërimi që vazhdojnë e zvarriten si shekuj në shpirtrat e tyre, nuk mund të gjejnë ngushëllim dhe ilaç as në kështjellat e tyre, as në piramidat me para dhe as në skutat më të thella të qenies së tyre të nxirosur. Do të vijë pra dita, që “ata” do të bien në gjunjë dhe do t’përloten, por nuk do të marrin as përgjigje dhe as ngushëllim, përderisa drejtësi të jetë vendosur…/360grade.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura