‘Do merrni lajme interesante’, Xhafaj-gazetarëve: Kur ka bashkëpunim, ka gjëra të mira. Rrini afër me…

Oct 18, 2018 | 9:52
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një konferencë për shtyp me Presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, Dieter Romann. Xhafaj në fund të kësaj konference paralajmëroi se gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të ketë lajme interesante.

xhafakonference

Përpara gazetarëve tha se këta të fundit duhet të rrinë afër me drejtorët e komunikimit në minsitri dhe në polici, pasi do të marrin lajme të mira.

“Besoj se do kemi një ditë të ngjeshur me kolegun gjerman, se do kemi aktivitete të tjera. Dhe t’u jap një këshillë, gjatë këtyre ditëve dhe javëve rrini afër me Bitën dhe Gentin se do ketë lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira. Të tjerat dalëngadalë”, tha Xhafaj në fund të konferencës.

FJALA E PLOTË E XHAFËS

Që në krye të herës dëshiroj të them, se Tetori për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit ka qenë muaji i bashkëpunimit me Gjermaninë.

Në fillim të muajit, patëm kënaqësinë të prisnim Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale, z. Mayer, për të vazhduar një javë më pas me Zëvendës Presidentin e BKA Z. Henzler, dhe sot kam kënaqësinë të jemi këtu së bashku me mikun tim z. Romann, President i Policisë Federale të Gjermanisë, një mbështetës i fuqishëm i Policisë së Shtetit shqiptar.

Ky intensitet shkëmbimesh i nivelit të lartë me Gjermaninë, është tregues kuptimplotë i besimit mes palëve dhe marrëdhënieve të shkëlqyera të vendosura tashmë me Policinë Gjermane, marrëdhënie të cilat, nuk do ta teproja nëse theksoja, se janë modeli që ne dëshirojmë të ndjekim edhe me vendet e tjera.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të vijojnë të punojnë fort për ta mbajtur ketë marrëdhënie në lartësinë e duhur dhe sa më të shëndetshme.

Shkëmbimi intensiv i informacionit nga të dy vendet, hetimet dhe operacionet e përbashkëta, rezultatet konkrete të arritura dhe ato që synojmë të arrijmë së shpejti dhe në të ardhmen, janë e vetmja mënyrë që kjo marrëdhënie të jetë e tillë dhe, siç thashë, e orientuar drejt rezultateve të prekshme dhe sigurisht në interes të të dy vendeve tona.

Kjo ishte edhe tematika e bisedës që kam pasur mbrëmjen e djeshme me Z. Romann dhe delegacionin e tij.

Të dy ndamë të njëjtin mendim, se marrëdhëniet tona kanë hyrë në një dinamikë të re, ndaj është detyrë e strukturave të nivelit operacional të ruajnë këtë ritëm dhe të vijojnë më tej.

Natyrisht, bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit, forcimi i kapaciteteve të hetimit dhe atyre operacionale, teknike, trajnimi i stafeve policore, trajnimi i strukturave të kufirit për një menaxhim më të mirë të kufirit, asistenca që pala gjermane ka dhënë dhe vazhdon të japë për Policisë së Shtetit, ishin gjithashtu objekt i bisedimeve tona së bashku me z.Veliu Drejtor i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Shumë shpejt, me kërkesën time, do të vendoset në Shqipëri edhe një këshilltar gjerman për çështjet strategjike policore, i cili do të bëjë të mundur koordinimin e gjithë asistencës njerëzore dhe teknike në terma afat-gjatë për Policinë e Shtetit.

Jam vërtet i surprizuar, për përgjigjen e shpejtë të palës gjermane ndaj kësaj kërkese, duke sjellë këtu një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më me eksperiencë të z.Romann, i cili meriton falënderime të veçanta edhe për këtë gjë.

Patëm gjithashtu mundësinë t’i prezantojmë z.Romann një projekt ambicioz për kufirin, i cili synon të sjellë Pikat e kalimit kufitar në standardet më të përparuara evropiane.

Morëm prej tij premtimin për ta asistuar nga afër këtë projekt, që realizimi i tij të jetë i standardeve më të mira europiane.

Dëshiroj, me këtë rast, të falënderoj Qeverinë gjermane për ndihmën prej 20 mjetesh për Policinë Kufitare, e dyta parti e këtij lloji, pas atyre të dhuruara vetëm pak kohë më parë.

Një paketë tjetër ndihmash në pajisje teknologjike për Policinë Kufitare pritet të vijë, po ashtu së shpejti, nga Gjermania dhe e falënderoj edhe personalisht z.Romann për ngritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare që përballet me një fluks të rritje të migracionit ilegal.

Në përfundim, dua të them se ne nuk jemi Gjermania. Duhet ende shumë punë të arrijmë standardet e saj. Por një gjë është e sigurt, ne jemi të vendosur të punojmë fort duke reflektuar këto standarde në punën tonë.
Në kontekstin e gjithë sa thashë më lart, duke e konsideruar Gjermaninë një partner të rëndësishëm strategjik në fushën e sigurisë, mbetemi tërësisht të angazhuar për të bërë gjithçka në funksion të thellimit të këtij bashkëpunimi, në të gjitha këto aspekte me interes të ndërsjellë. Edhe njëherë ju faleminderit Dr.Romann për mbështetjen personale dhe institucionale, për mbështetjen e veçantë që jeni duke i dhënë kolegëve të Policisë shqiptare!

Dieter Romann: Shumë i nderuar zoti ministër Xhafaj, të dashur miq! Unë dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim për gjithë ato fjalë miqësore që ju sapo thatë, për mikpritjen tuaj të treguar qoftë nga Ministria, qoftë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të veçantë, ju jam tepër falënderues lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë e besimplotë që keni.

Dy vendet tona i lidh vërtet një traditë e gjatë për sa i përket miqësisë, por sigurisht edhe për sa i përket bashkëpunimit në çështjet që janë relevante me sigurinë dhe rendin publik.

Për ta thënë më specifikisht këtë, bëhet fjalë për çështje në luftën kundër krimit të organizuar, kundër migracionit ilegal, në luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Më duhet të them se ne kemi interesa të cilat përputhen në masë të plotë, 100% me njëra-tjetrën dhe të cilat ne gjithashtu do të na duhet që t’i ndiqnim bashkërisht për t’i realizuar ato. Më lejoni të përmend këtu faktin që puna e Policisë së Shtetit, por edhe e Drejtorisë së Policisë së Kufirit në Shqipëri vitet e fundit ka shënuar një progres vërtet të konsiderueshëm i lexueshëm në procedurat e përbashkëta të luftës kundër krimit të organizuar, i lexueshëm gjithashtu në uljen e numri të azilkërkuesve që vinin në Gjermani nga Shqipëria, apo në uljen e numrit të kthimeve të shtetasve shqiptarë nga Shqipëria. Për këtë edhe njëherë, shprehimisht, faleminderit z. Ministër.

Që prej vitit 2013, kemi në Tiranë, në Shqipëri oficerë ndërlidhës. Sigurisht siç u përmend edhe këtu, mbas pak kohësh do të angazhojmë edhe një ekspert tjetër të nivelit të lartë, i cili do të ndihmojë në koordinimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në kuadër projektesh të ndryshme. Gjithashtu prej disa vitesh jemi tepër aktiv përsa u përket masave formuese, arsimuese dhe kualifikuese të punonjësve të policisë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Sot sikurse e përmendët kemi rastin të asistojmë bashkërisht në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të një asistence, apo të një mbështetje me 20 automjete të strukturave të Policisë së Shtetit. Mjete të tjera të asistencës teknike janë parashikuar për vitet e ardhshme, pra do të punojmë bashkërisht për një asistencë dhe bashkëpunim afatgjatë dhe strategjik. Dhe për këtë duhet që të gjithë të kemi durimin dhe angazhimin e duhur.

Krahas kësaj jemi duke punuar për një projekt binjakëzimi në fushën e kualifikimeve të mëtejshme të strukturave apo punonjësve të Policisë. Bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, por ajo çfarë është edhe më e rëndësishme, është angazhimi ynë i përbashkët në shkëmbimin intensiv të informacioneve.

Në fund të fjalës tuaj i dashur Ministër, i dashur mik, ju thatë se Shqipëria nuk është Gjermania, por njëkohësisht vlen të thuhet që edhe Gjermania nuk është Shqipëria. Ajo çfarë është më e rëndësishme në këtë kontekst është, nëse ne bëhemi bashkë në pikat tona më të forta, kjo do të jetë vetëm në të mirë të vendeve dhe vetëm në të mirë të popujve tanë. Faleminderit!

Ministri Xhafaj: Faleminderit Doktor Romann. Besoj se do të kemi një ditë të ngjeshur me miqtë tanë gjermanë për aktivitetet e mëtejshme. Dhe do t’ju jap një këshillë që gjatë këtyre ditëve dhe javëve, rrini afër me Ardi Bitën dhe me Genti Mullain se do të kemi lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira. Të tjerat dalëngadalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura