“Do të jetë një betejë e gjatë”- Kreu i Shtetit, Meta flet për pandeminë e koronavirusit dhe sqaron rolin e Task-Forcës pranë Presidencës

Mar 17, 2020 | 17:13
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta thotë se situata e pandemisë nga koronavirusi pritet të zgjasë në kohë dhe do të ketë edhe pasoja ekonomike.

Robert-Rakipllari-intervista-Ilir-Meta1 (4)

Sipas kreut të shtetit, qeveria duhet të marrë masa edhe në fushën e biznesit, ndërsa thekson se prioriteti parësor duhet të jetë shëndeti i qytetarëve.

Gjatë një interviste për drejtorin e Informacionit të News24, Robert Rakipllari, Meta flet edhe për Task-Forcën e krijuar në Presidencë.

Robert Rakipllari: Zoti President, Shqipëria ndodhet në një situatë shtetrrethimi për shkak të koronavirusit. Ju si President i Republikës, si i keni parë masat shtrënguese që ka marrë qeveria për situatën? Si e gjykoni reagimin në tërësi të popullatës ndaj këtyre masave shtrënguese?

Presidenti Meta: Është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale.

Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton.

Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij.

Në radhë të parë më lejoni të shpreh një mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie.

Ndaj dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar.

Dhe së dyti, kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre.

Padyshim që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal.

Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik.

Zoti President, ju jeni nga të parët që keni bërë thirrje për të marrë masa parandaluese ndaj kësaj pandemie, që ishte në ardhje e sipër në Shqipëri. Ndërkohë keni ngritur një Task-Force me ekspertë dhe me persona, të cilët merren me këtë çështje.

Do të doja të dija: A keni koordinimin me qeverinë, me kryeministrin në këtë aspekt? Dhe a keni komunikuar me faktorë të tjerë politikë apo shoqërorë, me opozitën apo me aktorë të tjerë politikë?

Presidenti Meta: Shqetësimin për këtë çështje unë e kam bërë publik që më 31 janar 2020, kur për herë të parë u identifikuan dy shtetas italianë. Dhe kuptohet se ky do të ishte një rrezik që do të vinte në rritje për arsye sepse përmasat që mori në Kinë, por edhe në vende të tjera, dhe fakti se jetojmë në një epokë të globalizimit, ku jo vetëm të mirat shpërndahen shpejt, por ku edhe rreziqet menjëherë marrin përmasa gjithëpërfshirëse.

Dhe në vazhdimësi kam qenë në komunikime me të gjitha institucionet shtetërore e të qeverisë për të kërkuar marrjen e masave brenda kompetencave të secilit prej tyre, në parandalimin dhe përballimin e këtij fenomeni. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në këto komunikime, dhe do të vazhdojmë pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në parametrat në të cilët ndodhemi, sepse janë disa faktorë që nuk varen vetëm nga ne, por edhe përsa u takon përshkallëzimeve të ndryshme që mund të vihen re në të ardhmen.

Pra përshkallëzime përsa u takon përballimit të të gjitha skenarëve të zhvillimit të kësaj pandemie, të përmirësimit apo të përkeqësimit, dhe njëkohësisht edhe të skenarëve të tjerë që duhet të ndiqen paralelisht, të situatës ekonomike, sociale, të sipërmarrjes, sepse impakti padyshim që tashmë ka filluar të mos jetë pozitiv. Pra kjo nuk është vetëm për ne. Kjo është edhe për vende e tjera, por natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një avantazh, po të kemi parasysh që është një situatë kur çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e vet në radhë të parë, pra nuk është si në rastin e një fatkeqësie tërmeti kur të gjithë përpiqen të ndihmojnë atë që goditet.

Megjithatë përvojat e vendeve të tjera: të Kinës, Italisë, që janë goditur më fort e më përpara, duhet të na shërbejnë edhe ne për të ardhmen. Apo të vendeve që kanë arritur të jenë më të mbrojtura në rajonin tonë dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja, edhe parandaluese, edhe përmirësuese të të gjithë mekanizmit reagues të shtetit e të shoqërisë.

Përsa i takon Task-Force-s që ju pyetët, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim apo dëshirë për spekulim: Task-Forca në Institucionin e Presidentit është në funksion të Presidentit. Pra nuk është se ajo dublon Task-Force-n e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka as këshilltarë funksionalë për shëndetin, pavarësisht se këshillohet në mënyrë të vazhdueshme me profesorë të kësaj fushe, nga më të njohurit në vend, por ajo është një Task-Force, e cila ndihmon, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me institucionet, shqetësimet që vijnë këtu apo që evidentohen nga mediat me qëllim të vetëm përmirësimin e reagimit shtetëror të menaxhimit të kësaj krize, emergjence.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura