“Do ta ftojë për drekë Enverin dhe do i hedhë në pije helm”/ Ish-shefi i Zbulimit zbardh letrën sekrete të CIA-s për Mehmet Shehun: Prapaskenat e servirjes së dosjes ‘M-008’ në tryezën e Ramiz Alisë

Mar 2, 2020 | 23:01
SHPËRNDAJE
ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU (MAJTAS) PERLAT ÇAUSHI GJATE PROMOVIMIT TE LIBRIT
ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU (MAJTAS) PERLAT ÇAUSHI GJATE PROMOVIMIT TE LIBRIT

A është e vërtetë se Mehmeti Shehu kishte kërkuar 3 milionë dollarë për të vrarë Enver Hoxhën, ose më saktë për të helmuar atë?

Pas vetëvrasjes së ish-Kryeministrit, ishte vetë Enver Hoxha që do ta konsideronte poliagjent njeriun e tij më të besuar e pas kësaj, dosja e tij u mbush me dëshmi e dokumente, që më herët nuk ishin marrë në konsideratë nga lideri komunist. Perlat Çaushi, ish-drejtor i Zbulimit me Jashtë, me zyrë në Ministrinë e Jashtme, i larguar nga shërbimi pas ngjarjes së dhjetorit 1981, përpiqet të hedhë dritë mbi atë që ai e quan “vrasje” të Mehmet Shehut.

Në librin e tij “Kush e vrau Mehmet Shehun? Refleksione për një vrasje që ende i dëgjohen krismat”, botim i UET Press, Çaushi i rikthehet një çështjeje që ka bërë bujë në media, “ekzistencës” së një dokumenti të CIA-s për rekrutimin e Mehmet Shehut, i cili do të helmonte Enver Hoxhën, do të rivendoste raportet diplomatike të Shqipërisë me Perëndimin, do lejonte pluralizmin partiak dhe do të paguhej 3 milionë dollarë.

mehmeti

Në rast se do të zbulohej, do të përfitonte azil politik në SHBA. Çaushi i referohet rrëfimit të ish-ambasadorit shqiptar në Argjentinë, Piro Andoni, dhe merr në analizë jo vetëm pretendimet e diplomatit, por edhe vetë dokumentin e pretenduar si të përpiluar nga CIA. Cila është e vërteta e këtij dokumenti?

ÇUDIA INFORMATIVE NGA ARGJENTINA

Në vitin 1986, pesë vjet pas vetëvrasjes së Shehut dhe një vit pas vdekjes së Hoxhës, në minierën e fakteve për komplote nuk pushonin gërmimet. Dosja e hapur për Mehmet Shehun vazhdoi të pasurohej me të dhëna që konfirmonin qenien e tij në shërbim të CIA-s. Informacioni i radhës erdhi nga ambasada jonë në Argjentinë.

Në ato vite, kryetar i shoqatës Argjentinë-Shqipëri ishte zgjedhur argjentinasi Gerrado Ferrani, tregtar i suksesshëm dhe disi i njohur në rrethet diplomatike dhe të biznesit, i cili disa vite përpara u ishte afruar punonjësve të ambasadës sonë në Buenos Aires dhe sipas tregimit të ish-ambasadorit tonë në atë vend, Piro Andonit, biznesmeni argjentinas kishte ndihmuar për ta bërë të njohur vendin tonë në këtë hise të Amerikës Latine.

Një mbrëmje, Ferrani i kërkoi ambasadorit Andoni takim urgjent. “Nuk kisha ndërmend ta prisja në atë orë të papërshtatshme”, u tregon ambasadori shqiptar disa gazetarëve të shtypit dhe televizioneve të këtyre viteve të paskomunizmit.

“Nuk do ta prisja në qoftë se nuk do të më kishte njoftuar se ai kishte një problem urgjent dhe që duhet ta bisedonte vetëm me mua, madje menjëherë. Sa u takuam, duke mos pritur as për të bërë dhe përshëndetjet e para, ai më tregon se kishte qenë në një bisedë intime me një punonjës të ambasadës amerikane. Unë, ca me të qeshur dhe ca me të vërtetë, i thashë se si kishte mundësi që miku i Shqipërisë bëhej mik dhe me shtetas të shtetit që konsiderohej armik i Shqipërisë. Ai nuk e bëri të gjatë dhe më tha se nuk kishte pasur ndonjë dëshirë që të takohej me punonjësin e ambasadës amerikane, po të mos e kishte ndalur ai vetë i pari.

Mehmet-Shehu-905x395

Konkretisht, i nxitur nga një padurim dhe kuriozitet i madh, bile pa vënë re se çfarë po thosha unë, më thotë: ‘Më ndali një punonjës i ambasadës amerikane, teksa ishim në një takim biznesi dhe më pyeti se çfarë më lidhte aq shumë me ju shqiptarët. I thashë se asgjë më tepër, përveçse çështjeve të mia të biznesit.

Pas kësaj më thotë: ‘Në ambasadën tonë është një material tepër sekret i përpiluar nga CIA, i cili flet për një plan operacional të shkallës më të fshehtë dhe që në të është përfshirë edhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Në qoftë se dëshiron të njihesh me këtë gjë, për kuriozitet mund të të ndihmoj’. Kjo është e gjitha, nuk di si të veproj, si mendoni ju se duhet të bëjmë?

A ju intereson si shtet të njiheni me këtë gjë? Mua menjëherë më shkoi mendja se flitej për Mehmet Shehun, për të cilin ishte njohur tashmë akuza se ai kishte qenë agjent, madje jo i një, por i disa agjenturave dhe për këtë ishte shpallur armik. Por në një rast të tillë, kur ekzistonte konkretisht një dokument real dhe aq më shumë që ishte në ambasadën e shtetit ku unë shërbeja, më erdhi fare e papritur dhe të them të drejtën u shokova për disa çaste, por nuk e dhashë veten.

E pyeta Ferranin se çfarë pune bënte në ambasadën e shtetit të tij amerikani që po servirte një lajm të tillë. Përgjigjja e tij ishte se ai punonte pikërisht në arkivin e ambasadës, madje më tha dhe emrin e mbiemrin, por që mua më kujtohet se ai quhej Mendes…

hoxha-mehmet

Unë menjëherë njoftova Ministrinë tonë të Jashtme, madje vetë ministrin, Reis Malile. Pasi e mora miratimin, e thirra Ferranin dhe i dhashë porosi që të bënte shumë kujdes, por që duhej me patjetër të sillte tërë informacionin e materialit. Që nga ky moment, kishte filluar operacioni ynë i fshehtë për të marrë atë informacion tepër sekret, që lidhej me vendin tonë. Për këtë ishte në dijeni tashmë drejtuesi më i lartë i shtetit të atëhershëm, që nuk mund të diskutohet se e prisnin me padurim të jashtëzakonshëm.

Miku ynë argjentinas, Gerrado Ferrani, tashmë me mision të miratuar nga Tirana, madje edhe nga vetë Sigurimi i Fshehtë Shqiptar, u takua sërish me shokun e tij amerikan me emrin Mendes, me të cilin tashmë e kishte shtuar disi shoqërinë, madje kishte pirë edhe ndonjë kafe. Ai, sipas instruktimit që i kishim bërë ne, pasi e kishte mbajtur një kohë tepër të gjatë në shoqërinë e tij, si rastësisht i kishte kërkuar edhe një herë t’i tregonte për atë rastin e shkresës sekrete për çështjen shqiptare, se nuk ia merrte mendja që me CIA-n të përzihej një udhëheqës i lartë komunist i atij shteti…

Pas kësaj, sipas planit sekret, ai erdhi sërish tek unë për të sjellë atë çka kishte mësuar… Ajo detyrë që kishim marrë përsipër kishte kaluar në një ankth të madh edhe Tiranën zyrtare”.

perlat-caushu

Pyetjes së gazetarit se a mund të përbënte rrezik për Gerrado Ferranin ai veprim që kishte ndërmarrë, ambasadori Andoni i qe përgjigjur: “Patjetër që përbënte, pasi po të dekonspirohej qëllimi, qoftë dhe rastësisht, kur amerikani Mendes ta rikujtonte bisedën me ndonjë punonjës tjetër të ambasadës për atë çka kishte treguar dhe për interesin që tregonte Ferrani, nuk do të kalonte lehtë. Këtu fjala është se nuk të falte kush kur kaloje në shërbim të ndonjë sigurimi tjetër, aq më shumë kur flitej që t’i shërbeje një sigurimi të një shteti komunist”.

Ambasadori Andoni, pasi shtiu në dorë dokumentin që plotësonte kërkesën e urdhëruar nga Tirana, që të kishte edhe logon e ambasadës amerikane dhe të ishte i plotë dhe jo i cunguar, e solli atë në Tiranë, ku sipas ambasadorit në fjalë: “…në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me një padurim të jashtëzakonshëm dhe me derën hapur, sikur donte të shkurtonte sa më shumë kohën e marrjes të asaj letre të rëndësisë tepër të veçantë… ministri Malile, në mënyrë provokative më thotë…se si munda ta shtija në dorë një material të tillë me një thjeshtësi të habitshme… “Sidoqoftë, vazhdon zoti Andoni, pas dy ditësh më thërrasin sërish dhe më mbytën në lavde, duke e ngritur në qiell punën time, që sipas tyre ishte me vlera të mëdha, pasi u vinte kapak shumë hamendësimeve dhe diskutimeve që lidheshin me vetë figurën e njeriut të hekurt të udhëheqjes shqiptare, Mehmet Shehut”. Po cila ishte përmbajtja e dokumentit?

Po cila ishte përmbajtja e dokumentit?

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

Buenos Aires-Argjentinë
Përkthim i teleteksit nr.321-40-60, Nëntor 1975.
Objekti: Për t’u vendosur në bibliotekën e ambasadës.
Tepër sekret. Vetëm për njohje të zotit ambasador.
Çështja: Shqipëria.

Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me të u arritën një seri përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.

Propozon të veprojë kështu: Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije një helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit.

Miku ynë e konsideron të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar.

Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon më poshtë:

1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet më të rëndësishme të Perëndimit: Shtetet e Bashkuara dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.

2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.

3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit…

4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.

5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3-5 vjetësh, duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë.

Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar, se do t’i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij, në ndonjë tjetër vend mik. Për këtë, ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3.000.000 dollarë amerikanë. Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjithë llojet e krimeve që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij. Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen: Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij.

Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar që deri sa të kryhen veprimet, të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt, mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhen pasur parasysh në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’u jepet ambasadave të tjera.

Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftohemi nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi. Nuk do të ndalesha te ky informacion, në rast se, së pari, akoma e kësaj dite, shtypi dhe ndonjë TV privat, nuk do të vazhdonin të jepnin kronika të zgjeruara rreth këtij episodi ordiner dhe së dyti, për të bërë një përpjekje, sado të vogël, që duke e ndërthurur dhe ballafaquar edhe me informacione të tjera, të mundohemi të nxjerrim disa të vërteta.

Që në krye të herës, duhet thënë se, qoftë nga përmbajtja, qoftë nga mënyra si u shti në dorë, duket qartësisht që ky dokument është, siç e quajnë amerikanët, “forgery”, i falsifikuar, jo i vërtetë, i stisur, – term anglisht i përdorur shpesh në gjuhën e shërbimeve sekrete. Gazetarët intervistues, krahas pyetjeve të zakonshme për të sqaruar detaje mbi rrugën që ndoqi informacioni nga zyrat e CIA-s deri në tavolinën e Ramiz Alisë, me të drejtë, direkt apo indirekt, ngrenë dyshimet dhe tek-tuk edhe hipoteza mbi vërtetësinë e dokumentit. Këtë e sheh në disa nga komentet e gazetarëve.

“Pavarësisht se dokumenti është cilësuar i besueshëm dhe i rëndësishëm, mbeten ende shumë hipoteza rreth tij”, thuhej në një koment.

“Sa i vërtetë mund të jetë ai plan i CIA-s, në qendër të të cilit është tradhtia e ish-Kryeministrit të hekurt dhe më jetëgjatë të Shqipërisë, Mehmet Shehu?… Gjithçka që mund të jetë servirur si e vërtetë, mjegullohet nga pikëpyetje të tilla si: A është e vërtetë se ajo letër është përpiluar nga vetë CIA dhe kishte me të vërtetë qëllimet e parashtruara në të? Sa qëndron ideja se ajo mund të ishte sajuar nga vetë Ramiz Alia, për ta përdorur për kredo politike mes anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, në një kohë që besimi ishte lëkundur disi, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe akuzave që Mehmet Shehu i bënte në letrën e fundit të lamtumirës, të shkruar vetëm pak minuta para se të vdiste?

Për nga mënyra dhe thjeshtësia, me të cilën u mor ajo letër me atë lëndë tepër sekrete, në zyrat e një ambasade me rregulla të hekurta, a mund të kundërshtohet një ide e tillë se gjithçka është servirur nga vetë CIA për një qëllim të caktuar, kryesisht për të ndihmuar në forcimin e pozitave të vetë Ramiz Alisë, i cili, në njëfarë mënyre, kishte marrë një iniciativë të tillë, siç po përshkruhej së fundmi në letër.

A mund të qëndrojë fakti se argjentinasi, që është paraqitur si mik i Shqipërisë, mund të jetë afruar edhe nga Sigurimi i Shtetit për të filluar mashtrimin, së pari me ambasadorin Andoni…?”. Këto dhe të tjera dyshime u ngritën nga gazetarë dhe analistë, në kohën që u botua për herë të parë ky dokument në vitin 2004.

Këtyre dyshimeve u vihet, si të thuash, kapaku, me pyetjen që ish-ministri i Jashtëm, zoti Reiz Malile, një diplomat karriere i regjur me këto lloj informacionesh, në kohën kur ambasadori Andoni i dorëzon dokumentin, me të drejtë e pyet me njëfarë ironie, se si arriti të shtinte në dorë një material të tillë me një thjeshtësi të habitshme? Ambasadori Andoni, siç shprehet ai, u prek nga kjo pyetje provokative dhe mosbesimi ndaj tij, por e mbajti veten.

Çuditërisht, pas dy ditësh, vazhdon ai, e thërrasin në rangjet më të larta dhe e mbysin me lavde, duke e ngritur në qiell punën e tij që, sipas tyre, u vinte kapak shumë hamendësive dhe diskutimeve që lidheshin me vetë figurën e njeriut të hekurt të udhëheqjes shqiptare, Mehmet Shehu. Kjo letër, po sipas ambasadorit, do t’i shërbente udhëheqjes për të marrë masa, pasi Shqipëria ishte vënë në vëmendjen e CIA-s, prandaj, këshillon ai, të gjenin mundësi efikase për kundërvënie apo dhe për mbrojtje. Por, zoti Andoni nuk na shpjegon çfarë ndodhi që zoti Malile, nga mosbesues ndaj dokumentit, bëri një kthesë 180 gradë dhe mbas dy ditësh e mbuloi me lavde?!

Para se t’i bëjmë një analizë dokumentit, vlen të veçojmë disa momente. Sipas dokumentit, biseda e CIA-s me Mehmet Shehun është bërë aty nga viti 1960, në kohën kur Mehmet Shehu u ndodh në Amerikë, për të marrë pjesë në sesionin e përvitshëm të OKB-së. Po në atë vit, sipas “Tablosë sinoptike” të Enver Hoxhës, Mehmeti mori kontakt edhe me Inteligjens Servisin, po ashtu edhe me Titon, në vaporin “Mbretëresha Elizabet” gjatë udhëtimit për në SHBA. Enver Hoxha në këtë dokument pohon se amerikanët, anglezët, jugosllavët i koordinonin planet e tyre për të eliminuar Enver Hoxhën dhe për të ndryshuar sistemin në Shqipëri.

Në rastin që po diskutojmë, çuditërisht, këto dy shërbime veprojnë veç e veç!!! Në të dyja rastet, kontaktet e Shehut me CIA-n dhe SIS-in ndodhin në vitin 1960. Siç e kemi thënë më lart, sipas dëshmitarëve të kohës, Mehmet Shehu në asnjë rast nuk është shkëputur nga grupi shoqërues. Në dokumentet e dorëzuara në Vjenë, pseudonimi i Mehmet Shehut, sipas Inteligjens Servisit anglez, ishte BAB008, ndërsa sipas CIA-s ai mban pseudonimin M008. Nga pikëpamja e pseudonimeve që mbante, përkojnë vetëm shifrat “008” dhe ndryshojnë vetëm parashtesat e tyre – “BAB” dhe “M”.

Çuditërisht, të dyja shërbimet kanë pothuaj të njëjtin sistem në përdorimin e pseudonimeve, gjë që, me sa dihet, nuk është e vërtetë. Në dokumentet e tjera të lartpërmendura na del të ketë edhe pseudonime të tjera, si “Mjekra”…etj. Sipas planit të CIA-s, përmendur më lart, një nga variantet e eliminimit të Hoxhës ishte që “Mehmet Shehu të ftonte për drekë Hoxhën dhe t’i hidhte në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij”. Edhe në deponimet e përçarta të Fiqret Shehut, të cilat siç e kemi thënë, zunë vend në “Tablonë Sinoptike”, një nga variantet e eliminimit të Hoxhës, ishte pikërisht varianti i helmimit.

Ka dhe momente të tjera që përkojnë midis këtyre dy dokumenteve. Pra, mos ndoshta, shërbimi i fshehtë apo individi që ka hartuar këtë plan, është frymëzuar nga “Tabloja…” dhe ka qenë i interesuar që të servirë edhe një të dhënë të dytë për të forcuar në rrugë paralele akuzat e brishta të Enver Hoxhës për Mehmet Shehun? Por, megjithëse është e qartë se kemi të bëjmë me një dokument të falsifikuar, sidoqoftë, le të mundohemi të bëjmë një analizë të etapave dhe të rrugës që ndoqi dokumenti nga tavolina e CIA-s në tavolinën e Ramiz Alisë.

Ferrani pretendon se në një takim biznesi, një punonjës i ambasadës amerikane me mbiemër Mendes, pa pasur me këtë të fundit ndonjë njohje të thellë, pasi e pyet çfarë e lidhte atë më ambasadën shqiptare, i flet për ekzistencën e dokumentit në fjalë, apo skedës, që ndodhej në bibliotekën e ambasadës amerikane dhe që bën fjalë për një personalitet të lartë, i cili do të eliminojë Enver Hoxhën për të ndryshuar sistemin komunist në Shqipëri.

Këtë dokument Mendesi ia ofron Ferranit “për t’i shuar kuriozitetin”. Që në krye të herës dalin disa pyetje:

• A ekzistonte me të vërtetë një punonjës me emër Mendes në ambasadën amerikane, gjë që ishte lehtësisht e verifikueshme. E ngremë këtë hipotezë, se mos ndoshta nën emrin e ambasadës amerikane vepron dikush tjetër. Ndodh jo pak herë që shërbimet e fshehta veprojnë jo me “flamurin” e shtetit që përfaqësojnë, por nën një “flamur” tjetër. Sidoqoftë, le t’i shkojmë variantit që Mendesi bënte pjesë në stafin e ambasadës amerikane.

•Dokumentet e agjentëve potencialë, siç është në rastin tonë ish-Kryeministri Mehmet Shehu, ruhen me masa të forta sigurie dhe ato asnjëherë nuk deklasifikohen. Identiteti i tyre nuk lejohet të njihet nga shumë persona. Kur ata vdesin, të fshehtat i marrin me vete në varr dhe në rastin më të keq, shumë pak njihet rreth tyre. Kështu, agjentja me famë botërore, Mata Harri, iu shërbeu edhe gjermanëve, edhe francezëve, por po kalojnë 100 vjet dhe dosjet e saj mbahen akoma të kyçura nga të dyja shërbimet.

Si ka mundësi që CIA i dërgon ambasadës amerikane në Argjentinë planin për eliminimin e Enver Hoxhës nëpërmjet agjentit të saj Mehmet Shehu, me argumentin që pas përmbysjes të sistemit komunist në Shqipëri, ambasador i parë i SHBA-ve në Tiranë do të emërohej ai që ishte në Argjentinë dhe ky ambasador e lë këtë dokument në mënyrë kaq të shkujdesur sa ta gjejë gjithkush që gërmon në skedat e bibliotekës?!

•Në ambasadat e çdo shteti, personeli komunikon me gjuhën e vendit të tyre, aq më tepër kur kanë të bëjnë me dokumente “Tepër Sekret”. Çuditërisht “Plani…” në bibliotekën e ambasadës amerikane ishte në gjuhën …spanjisht!/ PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura