“Do ta bëj edhe unë një selfie për autizmin!”

Apr 4, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Nga Alma Mile

Të shtunën, bulevardi qendror i Tiranës u bllokua për disa orë për shkak të një vrapi sensibilizues në Ditën Botërore të Autizmit, ku morën pjesë rreth 1500 veta, prindër, të rinj, punonjës ambasadash e biznesesh. U skandalizua dynjaja sepse nuk vajti dot për kafe në “Bllokt” me makinë (ose sepse nuk ishte kauza e tyre, sepse vetëm nëse do të ishin ata organizatorët, do t’ia vlente barra qiranë). Si për çdo gjë nuk munguan kritizerët.

alma autt
Alma Mile, gazetare

Shumë mirë! Është gjë e mirë që nuk mendojmë të gjithë njësoj, por m’u duk tepër cinike që edhe kjo nismë të merrte nuanca politike. Nuk më intereson asfare se kush fshihet pas saj. Nëse ka njerëz që duan të përfitojnë nga dhimbja e të tjerëve, si thotë populli, e gjetshin në shtëpitë e tyre. Por kam parë fotografitë e Dejanit dhe Jamarbërit, për të kuptuar se askush nuk është imun nga autizmi dhe se sa e rëndësishme është që shoqëria shqiptare dhe politikëbërësit të ndërgjegjësohen për ekzistencën e një realiteti, që e njohin vetëm ata që e vuajnë.

M’u duk cinik “shqetësimi” i atyre që “s’mbaruan dot punë” në qendër, kur të gjithë e dimë se të shtunave në qendër nuk mund të bësh dot ndonjë punë, meqenëse institucionet janë pushim. Po fundja le t’i zbresin një ditë makinat e të djegin ca kalori duke ecur, bën mirë për shëndetin. Nuk e mohoj se trafiku i rënduar është një stres më vete, por tashmë duhet të jemi mësuar me këtë trafik në Tiranë, ku një gjë të tillë e shkakton edhe 2mm shi.

Aq më tepër kur bulevardin e bllokojmë për Ditën e Verës dhe të birrës, për parada të komunitetit LGBT, për ditë pa makina, ditën e Tokës dhe të Diellit, për të mos numëruar të gjitha ato herë ku policia bllokon bulevardin apo rrugë kryesore për shkak mitingjesh e gjithfarëlloj protestash, apo edhe për t’i liruar rrugën ndonjë delegacioni.

M’u duk cinike që të përgojohet një nismë e tillë sensibilizimi, në një vend ku ka shumë njerëz që nuk e dinë ende se çfarë është autizmi (mos ka lidhje me automjetet?!!!), kur në Shqipëri numërohen 58 mijë fëmijë të prekur nga kjo sindromë, ku ka shumë prindër, mes tyre edhe politikanë, që e quajnë turp të pasurit një fëmijë autik, kur shteti nuk ka politika të mirëfillta dhe qendra për trajtimin e këtyre fëmijëve.

Pak sensibilizim, qoftë edhe me koston e një trafiku të rënduar për disa orë, nuk do t’i bënte keq askujt. M’u duk cinike të qesëndisësh selfiet e ca të rinjve duke vrapuar, në një kohë që nuk shqetësohemi për selfie nëpër klube me cigare e alkool përpara; për gjithfarëlloj selfiesh të turpshme, që na e kanë neveritur të pasurit një faqe në “Facebook”, ku dynjaja nuk lënë gjë pa hedhur, që nga fotografitë me pjata përpara (kur do të heqim dorë nga këto!!) në ndonjë restorant të shtrenjtë apo ku gatuan ndonjë shef i njohur kuzhine, për të treguar që “ne jemi njerëz me klassssss”, te parfumet e shtrenjta, që të bëjnë të ndihesh “keq” se je kaq “fukareshë”, deri në banalitete me foto nëpër palestra e tualete.

Pak vrap nuk i bën keq askujt, edhe nëse ka pasur nga ata që kanë shkuar me “detyrim”, në një kohë që kemi parë nxënës të mbushin mitingje. Të tilla “detyrime” paçim! Edhe nëse ndonjë nga ata që morën pjesë në vrapimin e djeshëm, shkoi qoftë edhe për të bërë një selfie, më pëlqen dhe mua ta bëj një selfie të tillë, sepse të bëhesh pjesë e një kauze të tillë ia vlen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura