Do rriten akoma?! Shqipëria me normën më të lartë të taksimit mbi pagat dhe të ardhurat në rajon

Nov 7, 2017 | 9:29
SHPËRNDAJE

Ministri i financave Arben Ahmetaj ka paralajmëruar  se do të përgatitet një projektligj i ri për taksimin progresiv, ku do të përfshijë edhe të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo siç janë tani të fragmentuara. “Çdo e ardhur do të kalkulohet si një e tërë për periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma. Progresiviteti do të ruhet”, ka pohuar Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë.

leke, para

Kjo do të thotë automatikisht rritje e tatimit mbi të ardhurat e larta (pasi do të mblidhen të gjitha të ardhurat dhe do të tatohen me normë maksimale), ndryshe nga premtimi i qeverisë në prag të zgjedhjeve për uljen e tatimit mbi pagat 130 mijë lekë nga 23% në 18%.

Edhe pa këtë rritje, Shqipëria ka normën më të lartë të taksimit mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera.

Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.

Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.

Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).

Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Skema e shmangies

Tatimi mbi pagat e larta ka nxitur vitet e fundit një skemë të shmangies ndaj taksave, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontabilistët pohojnë se individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë, (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.

Aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka lë shtigje të shumta për shmangie.

Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës  mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë.

Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohet si i madh dhe paguajnë 15% tatim fitimi.

P.sh., një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj.

Të ardhurat nuk janë rritur

Pavarësisht rritjes së normës progressive, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë pasur një ecuri të dobët (edhe për faktin se një pjesë e madhe e individëve deklarojnë paga të ulëta, për të shmangur normën e lartë progressive). Për 9 mujorin e këtij viti, të ardhurat e këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave ishin 24.5 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.5% me bazë vjetore, ndërsa rezultuan 3.7% më të ulëta se plani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura