“Do ndërhyjmë për rritjen e çmimeve!”- Ministrja e Financave flet për situatën ekonomike dhe pritshmëritë: Po i kthehemi normalitetit, në 2022-shin planifikojmë rritje 4.1%

Jan 12, 2022 | 12:56
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka folur ditën e sotme në lidhje me situatën ekonomike në vend , duke u ndalur dhe te rritja e çmimeve. Përmes një konference me gazetarët ajo u shpreh se rritja e çmimeve gjatë muajit dhjetor është atipike, pasi përherë gjatë kësaj periudhe tregu ka paraqitur një rritje të çmimeve mbi mesataren.

delina ibrahimaj2

Ministrja u shpreh se rritja e çmimeve është një fenomen që po ndodh në mbarë botën dhe ka filluar që prej muajit shtator dhe gusht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, duke ndikuar më pas në të gjitha kostot e zinxhirit prodhues.

Sipas saj institucioni që ajo drejton po monitoron situatën së bashku me inistitucionet e e tjera dhe po mendojnë për një ndërhrje.

“Dhjetori është një muaj atipik, gjithmonë ka paraqitur rritje të çmimeve mbi mesataren e vitit. Nga muaji gusht, shtator e tutje muajit gusht ka patur një rritje të çmimeve shumë më të lartë në botë dhe pak më të ulët në Shqipëri. Ne jemi duke ndjekur me kujdes ecurinë e çmimeve, rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë, të cilat janë përcjellë pastaj në të gjitha kostot e prodhimit dhe në çmimet e prodhimit në përgjithësi. Do të shohim me kujdes si ne dhe të gjitha institucionet e tjera dhe do të mendojmë për një ndërhyrje”. tha Ibrahimaj.

Gjithashtu gjatë fjalës së saj ministrja e financave u shpreh se 2021-shi ka shënuar një rritje ekonomike prej 8.6%, si dhe tregues të tjerë ekonomik , i janë rikthyer normalitetit të para pandemisë. Ministrja theksoi se për vitin 2022 rritja ekonomike parashikohet në 4.1%.

“Rritja ekonomike për 2021 parashikohet të jetë 8.6%. Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë, që shoqërojnë rritjen ekonomike. Si fillim, dua të flas për të ardhurat, që kanë pasur një vijueshmëri dhe ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021 mendojmë se niveli i të ardhurave do të jetë rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e ecurisë ndaj PBB në 28.6%. Synojmë që së shpejti të arrijmë në një nivel 30%. Në krahasim me vitin 2020, të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me një rritje prej 21%. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, të ardhurat janë rritur me 11%. Ky rezultat besojmë se ka ardhur i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por i ndikuar edhe nga fiskalizimi, që është një proces që tashmë ka filluar, është në fazat e tij përfundimtare dhe ka filluar të japë efekte, sidomos në bizneset e mëdha.

Dua të ndalem te treguesit e punësimit, që gjithashtu kanë treguar ecuri shumë të mirë. Papunësia në tre-mujorin e tretë arriti në nivelet e vitit 2019, duke treguar se ekonomia është rigjallëruar. Më 2022 do të flasim për reforma ristrukturore, që do të çojnë më tej zhvillimin ekonomik. Dhe nga ana e pagave, kemi pasur ecuri të mirë, ku u rritën me 6.4% në tremujorin e tretë, në krahasim me vitin e mëparshëm. GDP për frymë pritet që më 2022 pritet të jetë në nivelin e 61 mijë lekë për frymë. I vetmi sektor që nuk ka pasur rritje të kënaqshme është ai i bujqësisë.

Në rritje kanë ardhur edhe investimet. Ne mendojmë se kjo rritje dhe perspektiva që na pret për 2022, rritja ekonomike do të vazhdojë, por jo në nivelet e vitit 2021, por planifikojmë të arrijmë një rritje ekonomike me rreth 4.1%. E besojmë fort këtë, pasi kemi ndërmarrë disa nisma të politikës fiskale, që do të sjellin një rritje të qëndrueshme. Gjatë 2022 MEF do të ndjekë një politikë fiskale të kujdesshme, duke synuar reduktimin e borxhit publik, që është në nivele shumë të larta. Më 2021 ai do të mbyllet me një nivel rreth 81.2%, ndërsa më 2022 ne parashikojmë të shkojë në rreth 78%”, u shpreh ministrja e Financave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura