Do merrte pakon me 1 kg kokainë, 23-vjeçari ia mbath dhe shpëton nga prangosja. Policia shtrin në tokë dy trafikantët

Oct 1, 2022 | 10:50
SHPËRNDAJE

Dy persona u vunë në pranga nga policia e Tiranës, pasi u kapën në flagrancë në momentet që do i dorëzonin një 23-vjeçari, pakon me rreth 1 kg kokainë.

Ndërkohë që i riu që do merrte drogën ka shpëtuar nga prangat pasi ia ka mbathur me vrap pasi ka para patrullat.

Njoftimi nga policia Tiranë

Sekuestrohet rreth 1 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “White pack”.

U kapën në flagrancë gjatë tentativës për t’i dhënë një 23-vjeçari, pakon me rreth 1 kg kokainë, vihen në pranga 2 bashkëpunëtorët.

Shpallet në kërkim 23-vjeçari që do të merrte pakon me lëndë narkotike.

Sekuestrohen lënda narkotike, 2 automjete, një peshore mekanike, një aparat celular dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ”White pack”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. Gj., 54 vjeç, banues në Maminas, Durrës dhe A. C., 42 vjeç, banues në Shijak.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi S. Gj., 23 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë evidentuar, në Marikaj, shtetasit e arrestuar S. Gj. dhe A. C., duke i dhënë pakon me rreth 1 kg e 30 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 23-vjeçarit që sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, është larguar me vrap.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakoja me 1 kg e 30 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete, një peshore mekanike, një aparat celular dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e 23-vjeçarit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura