“Do luftojmë KÇK”- Pa veting, si do pezullohen nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që shkelin ligjin! Qeveria propozon ndryshime

Aug 29, 2022 | 13:26
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Reforma në Drejtësi pëson sërish ndryshime. Qeveria ka ndërhyrë në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për miratimin e tyre i duhen edhe votat e opozitës në Kuvend.

gjyqtare

I miratuar me mbi 84 vota në 2016-n dhe i ndryshuar në 21-shin me votat e asaj që quhej opozita parlamentare, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kalojë sërish në votë. Këtë radhë motiv i ndërhyrjes ka qenë opinioni i qytetarëve në procesin e këshillimit kombëtar, të cilët ishin pyetur nëse duheshin pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vetingun, por që kishin marrë vendime haptazi në kundërshtim me ligjin.

E pikërisht për këtë kategori, ministria e drejtësisë propozon pezullim të menjëhershëm sapo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucioni ku punojnë apo dhe vetë ministria paraqesin ankesë. Këshillat e prokurorisë dhe gjyqësor, duhet të mblidhen menjëherë dhe jo pas tri ditësh siç është aktualisht, duke i lënë mundësi shkelësit të japë argumentet e tij apo të vazhdojë të thellojë shkeljen.

Praktika ka treguar, thuhet në relacionin shoqërues të ligjit, se këshillat kanë pasur nevojë për hetim të thelluar derisa të vendosnin pezullimin. Hetimi kryhej nga ILD-ja dhe mund të zgjaste dhe deri një vit. Kohë gjatë së cilës, prokurori apo gjyqtari i akuzuar për shkelje qëndronte në detyrë me mundësinë e abuzimit apo zhdukjes së dokumentacionit. Për të shmangur fenomene të tilla kërkohet ndryshimi i ligjit, i cili bëhet dhe me votat e opozitës. Gjatë periudhës së pezullimit megjithatë magjistratët, paguhen me 75% të pagës. Aktualisht një gjyqtar apo prokuror që kapet në shkelje pezullohet brenda 3 ditëve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndryshimet ligjore propozojnë pezullim të menjëhershëm.

“Këto ndryshime shërbejnë për ndaluar dëmin që mund të shkaktojnë brenda sistemit gjykatësit dhe prokurorët të cilët japin vendime flagrante që janë haptazi në kundërshtim me ligjin”, thuhet në draftin e qeverisë. Në kuadër të Këshillimit Kombëtar, me datën 25 janar Kryeministri Edi Rama publikoi pyetjen e 10, që ka lidhje me prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk e kanë kaluar vetingun. Për këtë kryeministri Edi Rama kërkoi opinionin e shqiptarëve, ndërsa ngriti pyetjen: “Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?”.

Kryeministri Rama e shoqëroi pyetjen edhe me statusin: “Pavarësisht se vitet e fundit janë bërë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të vetingut vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin e drejtësisë. Aktualisht nuk është i mundur pezullimi automatik I tyre nga institucionet kompetente të drejtësisë në rast kur konstatohen vendime haptazi të paligjshme sepse për të realizuar pezullimin, institucionet duhet të kryejnë hetime të thelluara që kërkojnë një kohë të gjatë”.

74% e të anketuarve mendojnë se gjyqtarët duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë. Në ndryshimet e bëra në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë vitit të kaluar në kapitullin për verifikimin e pastërtisë së figurës thuhet: “Janë bërë ndryshime të rëndësishme sa i përket verifikimit të pastërtisë së figurës së magjistratëve duke mirëpërcaktuar rastet kur kandidati nuk kalon procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës, vlerësimin e dokumentacionit të përcjellë nga organet raportuese për efekt të procesit të vlerësimit nga ana e Këshillave.

Tashmë Këshillat (KLGJ, KLP) duhet të çmojnë faktet në bazë të një vlerësimi në mënyrë të hollësishme të raporteve dhe informacioneve shtesë të paraqitura nga institucionet kompetente dhe të zhvillojnë një hetim administrativ sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative. I gjithë ky proces synon që të rrisë efektivitetin dhe rezultatet e procesit të verifikimit që kryejnë Këshillat duke mos u mjaftuar vetëm në vlerësimin e raporteve të institucioneve kompetente por duke thelluar analizën e tyre mbi faktet e prezantuara. Në kuadër të këtij procesi janë garantuar dhe të drejtat e kandidatëve për t’u njohur me dosjen e tyre dhe ankimin pranë gjykatës kompetente ndaj vendimit të Këshillave brenda 5 ditëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura