Do luftojë SHBA bandat në Shqipëri! Po Rama pse duhet në Qeveri?

Oct 20, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

zogajPREÇ ZOGAJ

Edi Rama është Kryeministri i Shqipërisë. Sapo ka nisur një mandat të dytë. Në këtë kuptim pyetja “për çfarë duhet më Edi Rama”, që mund të shtrohet edhe në formën “me se merret Edi Rama”, mund të tingëllojë si ironi. Në fakt, unë e mendoj dhe e shtroj këtu si një pyetje të drejtpërdrejtë, pa asnjë gram ironie, pa asnjë dëshirë për të bërë humor. E shtroj siç do ta shtronte dikush që ka besuar në retorikën e tij dhe e ka votuar në zgjedhjet e fundit.

Me se merret, pra, kryeministri? Goditjet e para të mëdha të bosëve të drogës dhe trafiqeve të paligjshme po vijnë nga partnerët dhe jo nga qeveria shqiptare që duhej ta kishte këtë një detyrë të dorës së parë. Skandalin e lidhjeve të bandës së Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, e ka denoncuar deri në monotoni Partia Demokratike, kryetari i saj, Basha, zyrtarë të tjerë të kësaj force politike. Tani e shpërtheu Prokuroria italiane.

Ia vuri Ramës dhe Shqipërisë në tryezë. Ja ku e keni. Faktet e përgjuara janë shokuese. Nuk lënë hapësirë për llafollogji dhe spërdredhje verbale si ato që ka përdorur e përdor Rama kur kërkon të zhurmojë akuzat e opozitës apo t’u fshehë qytetarëve të vërtetat e rënda. Pyetja që ngrihet vetvetiu në mendjen e çdo qytetari pas kësaj rrufeje të parë serioze në bastionet e malavitës është: “Po sikur të mos e kishin shpërthyer italianët, ç’do të ndodhte?”. Po të mos e kishin shpërthyer italianët, banda do të kishte vijuar punën. Kryeministri do të kishte vijuar avazin e trushpëlarjes së qytetarëve. E vërteta e narkotrafikut në këtë segment të krushqisë së stërmadhe të qeverisë me krimin e organizuar nuk do të merrej vesh dhe nuk do të përballej me ligjin. Së paku, sa të ishte Edi Rama në krye të qeverisë.

Të njëjtën gjë mund ta themi pa frikë edhe për bandat të tjera që priten të denoncohen dhe arrestohen në vijimësi me iniciativën e vendeve partnere. Po të jetë për zotin Rama dhe skuadrën e tij, bandave nuk do t’u ndodhte dhe nuk u ndodh asgjë. Përkundrazi: ato veç do të fuqizoheshin. Para pak ditësh, kryeministri e pohoi në një formë shumë origjinale kapitullimin e qeverisë së tij në këtë betejë kur dha në tribunën e Kuvendit një lajm.

Lajmin se së shpejti do të vijnë në Shqipëri agjentë të FBIsë që do të përfshihen në operacione për të arrestuar banda dhe eksponentë të krimit. Ky është një lajm shumë i mirë, i cili është dhënë në forma të tjera nga vetë partnerët strategjikë. Qëkur kanë thënë se Shqipëria është shndërruar në qendër operacionale e krimit të organizuar në rajon. Qëkurse janë angazhuar të mos lejojnë këtë situatë në vendin e vogël mik dhe aleat. Qëkurse kanë ofruar bashkautorësinë për hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Një Shqipëri ku grupet mafioze dhe bandat bëjnë ligjin nuk është dhe s’mund të qëndrojë euroatlantike. Një Shqipëri që mban pandëshkueshmërinë në sferat e larta nuk mund të mbajë në rrafshin gjeostrategjik kursin perëndimor. Ja, një bazament i angazhimit të drejtpërdrejtë amerikan dhe europian në ndihmë të Shqipërisë dhe shqiptarëve që janë të orientuar në shumicë absolute drejt Perëndimit. Lajmi për mbërritjen e agjentëve të FBI-së, që mbetet për t’u konfirmuar si i tillë, është vërtet sihariq për qytetarët, por kur e dëgjon nga goja e kryeministrit të vendit, nuk mund të mos mendosh: po mirë, ky vetë çfarë bën, ku ka qenë, me çfarë merret ky?

Nuk është se Rama erdhi këtë verë në pushtet dhe gjeti një vend të krimbur me banda sa të detyrohet të kërkojë ndihmën e SHBA dhe të gëzohet që SHBA po i përgjigjet pozitivisht. Po të ishte kështu, do të ishte i pafajshëm për gjendjen. Lajmi në gojën e tij do të tingëllonte i sinqertë. Mirëpo ai ka qenë dhe është në qeveri prej katër vjetësh. Ai është përgjegjësi numër një që gjatë katër viteve të qeverisë së tij krimi mori këtë përhapje dhe këtë status që nuk e ka pasur kurrë më parë.

Qeverisja e tij e ka agravuar si asnjë qeveri tjetër para saj problemin e sundimit të krimit, në vend të sundimit të ligjit, problem që sot është ngulur si një kuçedër në udhëkryqin e Shqipërisë. Këtë problem, realisht, nuk mund ta zgjidhë ai që më shumë se kushdo e ka krijuar. Ndaj janë të tjerë ata që po i ndjekin dhe po i arrestojnë narkotrafikantët e mëdhenj me lidhje politike në qeverinë e tij. Të tjerët po vijnë për të çuar para drejtësisë bandat dhe banditët.

Atëherë përse duhet ky, cili është roli i tij? Edhe po të përpiqemi ta shohim çështjen me një sy pozitiv, sikur i ka thirrur mendjes, sikur s’ka çfarë u bën më bandave që i kanë marrë krahun pasi u ka dhënë dorën dhe prandaj është detyruar të kërkojë ndërhyrjen e partnerëve, sërish do të mbërrinim në përfundimin se Edi Rama është i tepërt në këtë operacion. Ai i ka përdorur bandat për të mbetur kryeministër. Ai e bëri krimin skemë elektorale. Përfituesi nga e keqja zor se mund t’i prijë luftës kundër se keqes. Një prijës i tillë që rri në fund të rreshtit nuk i duhet njeriu.

As ndërkombëtareve. Më lehtë të shkon mendja se është për të penguar sesa për të ndihmuar. Dhe në fakt shenjat e reagimit të tij dhe medias që kontrollohen prej tij shkojnë në këtë drejtim. Përpjekjet e ethshme për të relativizuar sa të jetë e mundur rastin e ishministrit Tahiri sikur përmendja emrit të tij nga narkotrafikantët është një gjë që ka ndodhur e ndodh kudo, janë një provë. Për fat, pa jehonë në publik dhe e pafuqishme për të devijuar kursin e ngjarjeve.

Sepse rasti i Tahirit dhe rastet e tjera të njësimit të bandave me drejtimin politik të vendit nuk kanë ndodhur askund në këto përmasa dhe nivele si në Shqipëri. Edhe po të respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë sa nuk ka folur gjykatadhe duhet ta respektojmë- përgjegjësia politike është diçka tjetër nga përgjegjësia penale. “Faji i një politikani është pikërisht përzierja në situata moralisht të paqarta”, thotë Adam Michnik. Pikërisht shija e të ndenjurit me njerëz të botës së krimit, drekat e darkat me ta, promovimi i tyre në politikë, emërimi i tyre në poste të larta, transaksionet me ta- të gjitha këto pa hyrë në aferat kriminale që do të duhet t’i zbardhë drejtësia, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit apo ish-ministrit të tij.

Edi Rama e di më mirë se kushdo tjetër të vërtetën e krimit me lidhje qeveritare në Shqipëri. Gjëja më e mirë që mund të bëjë tani që këto lidhje po shpërthejnë jashtë vullnetit të tij është të japë dorëheqjen. Më në fund, ky do të ishte kontributi i vetëm që mund të japë për të luftuar krimin. Dorëheqja e tij nuk shtrohet fare si ndërrim karrigesh: të ikë ky, të vijë ai! Çështja e qeverisë legjitime do të zgjidhet me zgjedhje të lira e të ndershme në momentin e duhur.

Por sot, përveçse një akt moralisht i drejtë dhe i domosdoshëm, dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie të re me mandat të përcaktuar qartë mund të konsiderohet një kusht për rezultate të shpejta dhe efikase në luftën kundër krimit të organizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura