“Do lidhen mbi 500 kontrata me vlerë 93 milionë euro”- Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca tregon objektivat për vitin 2021: Ja kur do shpallen fituesit e thirrjes së tretë të fondeve IPARD!

Dec 31, 2020 | 15:00
SHPËRNDAJE

Frida Krifca intervista1-Panorama1Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krifca në një intervistë për Gazetën “Panorama” ka treguar se kur do të përfundojnë procedurat dhe kur do shpallen fituesit e thirrjes së tretë të fondit IPARD.

Krifca thekson se deri në 25 janar të vitit 2021 do të përfundojë afati i aplikimeve  për fermerët që kanë aplikuar në thirrjen e tretë. Ndërkohë që gjatë vitit 2021 do të vijojë lidhja e rreth 500 kontratave me aplikantët që kanë kërkuar financim në sektorët që bujqësisë, agroturizmit dhe agropërpunimit.

Drejtoresha e AZHBR ka zbuluar dhe kërkesën paraprake që do bëj kjo Agjenci për të përfituar fondin prej 166 milionë euro për IPARD III, ndërkohë që ka treguar dhe lehtësitë që do bëhën për aplikantët e rinj, si dhe sektorët që do synojë të financojë AZHBR-ja në vitin në vijim.

 “Objektivi dhe qëllimi ynë kryesor mbetet përthithja e fondeve nga fermerët dhe disbursimi i tyre direkt në xhepat e tyre. Deri në fund të vitit 2021 do të angazhohet i gjithë fondi dhe do të paguajmë 120 investime me një vlerë prej 93 Milionë Euro. Do të përfundojmë programin me mbi 500 kontrata. Mbështetja që AZHBR do të japë në këtë drejtim, por jo vetëm do të jetë akoma më e madheNë jemi duke punuar paralelisht me ngritjen e programit IPARD III për të cilin kemi kërkuar paraprakisht një fond prej 166 milionë Euro.”, thekson Krifca.

Frida Krifca intervista

Zonja Krifca, AZHBR si gjithë institucionet përballet me shumë vështirësi prej pandemisë, por duke qenë se jemi drejt fundit të vitit 2020-të, sa ka qenë numri i përfituesve dhe fondi i dhënë nga AZHBR në ndihmë të fermerëve? Sa ka ndikuar pandemia në ecurinë e punës suaj si AZHBR, dhe konkretizimin e projekteve të ndryshme?

Nëse bej sot një retrospektive, për ne s’ka qene e lehte te vrapojmë drejt objektivave ne një vit jo te lehtë qe e sfidoi agjencinë ne thelbin e vet. Kjo për një mori arsyesh te lidhura me mënyrën e procedimit të punës e cila u desh te ndryshoje për shkak të pandemisë, ndërkohe qe duke qene se kontraktojmë e zbatojmë investime qe kane një afat kryerje kohor- vitin- jemi ne kushte gare me kohën. Them këtë pasi i gjithë stafi i AZHBR është angazhuar dhe munduar maksimalisht për të mbështetur fermerët dhe sipërmarrësit në aksesimin e fondeve dhe granteve të dhëna si nëpërmjet skemës kombëtare, por edhe programit IPARD.Gjatë periudhës së karantinës, është punuar masivisht për të kryer proceset administrative dhe kontrollet në terren duke vënë në rrezik jetën dhe duke siguruar që fondet të shkonin te fermerët pa pezulluar asnjë moment punën. AZHBR është institucion që me zhdërvjelltësi të pashoqe transferoi proceset e punës online dhe në karantinë verifikimet ne terren dhe pagesat ecën. I krijuam mundësinë subjekteve që kishin vonesa të plotësonin dokumentacionin deri në mbyllje të gjendjes së jashtëzakonshme.

E gjithë kjo që ne te arrijmë objektivin dhe vizionin e një bujqësie me te zhvilluar, larg asaj çkemi trashëguar, larg mentalitetit te prodhimit tradicional e pa teknologji. Te vetëdijshëm qe nuk ka zhvillim pa financim ndaj AZHBR mundësoi pikërisht që fermerët dhe sipërmarrësit të përfitonin maksimalisht te gjithë fondin e vene ne dispozicion ketë vit si nga Skema Kombëtare e Mbështetjes ne Bujqësi dhe nga Programi IPARD. Të dyja këto mbështetje kanë rezultuar frytdhënëse, pasi shifrat që na vijnë nga sektori janë me trend pozitiv e ne rritje dhe ne jemi krenarë që kemi mundur te japim një shtyse dhe një drejtim për ata që përfitojnë, por edhe komunitetin përreth.

Kemi disbursuar 100% fondin nga skema kombëtare. Kanë përfituar 5548 fermerë me një vlerë të financuar prej mbi 1,2 miliardë lekë. Ndërsa, në terma më afatgjatë, që nga viti 2013 e deri më sot janë alokuar 110 milionë euro mbështetje për fermerë dhe agro përpunues përmes mbështetjes direkte dhe me grante. I gjithë ky buxhet i investuar edhe ndër vite ka pasur një impakt të madh në investime konkrete ne shtimin e sipërfaqeve të mbjella, permiresimin e teknikave te prodhimit, rritjen e mekanizimit, por kësisoj kanë rritur edhe punësimin, pasi duke u shtuar puna, shtohet edhe kërkesa për fuqi punëtore.

AZHBR është patjetër një katalizator dhe mobilizues fondesh. Falë kësaj mbështetje, ne sot kemi mbi 2400 hektarë më shumë sipërfaqe të mbjella, kemi  subvencionuar ndër vite 2 milionë krerë gjedhë dhe të imta, 530 mijë koshere bletësh,  janë subvencionuar 22 mijë ton dorëzim fruta perime si dhe janë subvencionuar 46 mijë ton qumësht të grumbulluar nga blegtorë e dorëzuar në fabrika përpunimi, e shumë masa të tjera.

Ndërkohë që, me zbatimin e Programit IPARD, në vetëm dy vite nga marrja e akreditimit të AZHBR, kemi lidhur mbi 255 kontrata, me një vlerë investimi 100 milion euro dhe vlerë granti 43 milion euro. Me sukses kemi mundur te evitojme djegie fondesh dhe punojmë me force që të përthithet i gjithë fondi. Ndërkohe ecim paralelisht duke u përgatitur për IPARD III, ku mundësitë e përfitimit në bujqësi të jenë akoma edhe më të mëdha dhe kërkesa e shprehur tashme është dyfish i fondit.

Frida Krifca

Ju aplikoni dhe programin IPARD, si ka ecur implementimi i këtij programi, pasi shpesh ka pasur edhe ankesa sa i përket plotësimit të dokumentacionit apo përfitimit nga ky fond? Sa aplikantë keni kontraktuar deri më tani, dhe sa është vlera e investimit?

Zbatimi i Programit IPARD, një program i bashkefinancuar nga Bashkimi Europian dhe shteti Shqiptar, ka treguar se kur vendosmëria dhe dëshira e mirë për punë bëhen bashkë, gjithçka është e mundur. Ata që nuk kanë mundur dot të futen në “vathën” e këtij programi për shkak të mos plotësimit te kritereve, mungesën e kushteve, standardeve apo dokumentacionit, i cili për hir të së vërtetës ka veçse një dozë normale burokracie të nevojshme për të vërtetuar qëndrueshmërinë dhe përfitueshmërine e projekteve dhe përputhjen me standarde që në fakt i vlejnë më tepër biznesit dhe konsumatorit, janë të nevojshme në momentin që ne po japim mbështetje grant, pra para falas për këto investime.

Fatmirësisht, pjesa kryesore e fermerëve dhe sipërmarrësit në bujqësi dhe agropërpunim na kanë dëgjuar dhe kuptuar. Dhe falë këtij interesi dhe kësaj pune deri më sot janë kryer dy thirrje për aplikime, janë trajtuar 686 aplikime, janë lidhur 256 kontrata dhe deri më tani  janë rreth 100 milion euro të investuara në sektorin bujqësor nga te cilat 44 milion euro janë mbështetje me grant. Pra, është një punë kolosale që është bërë për vetëm dy vite. Dhe në kaq pak kohë është duke u përthithur një fond i përkthyer tashme në investime konkrete, me standarde te Bashkimit Europian në vendin tone. Investime që nisin nga agropërpunimi, ndërtimi i dhomave frigoriferike, shtimi i kapaciteteve të tyre duke bërë të mundur ruajtjen me standarde të produkteve bujqësore, shtimin e vlerës dhe përmirësimin e te gjithë zinxhirit te vlerës nga bujku tek tregtari. Ndërkohë, jemi në një ritem te pandalshëm ku ne paguajmë çdo ditë investimet që janë kryer përgjatë këtyre dy viteve.

Për të qenë përfitues i programit IPARD duhet të plotësosh disa kërkesa dhe standarde ne investime, që nisin me mënyrën e plotësimit të dokumentacionit e deri te finalizimi i punës në bazë të procedurave të mirëpërcaktuara dhe një transparence të diktuar nga programi në implementimin e projekteve që jo gjithnjë përkon me fleksibilitetin qëkërkojnë investuesit të kenë në kryerjen e veprave dhe investimeve. Ne gjithsesi, kemi qenë çdo moment në terren për të parandaluar, kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e bërë nga subjektet përfituese që çdo gjë të shkojë sipas planit dhe projekteve te kontraktuara në përputhje me kërkesat dhe objektivat e programit për investime të qëndrueshme dhe në përputhje me nevojat e vendit.

Frida Krifca11

Cilët sektorë kanë qenë përfitues deri më tani nga programi IPARD? Legjislacioni aktual me të cilën funksionin AZHBR, por edhe ndarja e fondeve të IPARD, mendoni se ka nevojë për përmirësime në kuadrin ligjor dhe a do propozoni rishikimin e akteve ligjore?

Gama e investimeve të ardhura nga mbështetja nëpërmjet IPARD është relativisht e madhe. Nisur kështu, që nga mbështetja që japim për agropërpunuesit, në ndërtimin e dhomave frigoriferike, ambientet e grumbullimit, makineritë bujqësore, investimet në serra, agroturizimi, i cili po njeh një zhvillim goxha pozitiv e shumë të tjerë. Janë këto investime që po sjellin ndryshimin, në mënyrën jo vetëm se si implementojnë teknologjitë moderne që nga mbjellja e produktit e deri në ruajtjen e përpunimin e tij, por edhe në rëndësinë që i japin synimit të tyre kryesor, për tëçuar në treg një prodhim dinjitoz, që mbart vlera ushqyese, që plotëson standardet evropiane dhe qëështë konkurrues.

Dhe falë kësaj mbështetje, me kontratat e lidhura deri më tani janë shtuar së tepërmi kapacitetet e ambienteve të grumbullimit dhe dhomave frigoriferike, duke financuar 41 subjekte më tepër në këtë sektor, që janë aty me standarde evropiane dhe tepër cilësore për të grumbulluar produktet e freskëta dhe për t’i ruajtur ato në mënyrën më të mirë për të mos humbur vlerat ushqyese.

I gjithë ky, është një zhvillim pozitiv i sektorit bujqësor, referuar të dhënave që na vijnë nga IPARD, i cili është ende në proces, pasi ditë pas dite ne lidhim kontrata të reja dhe jemi aty për ti kontrolluar në terren, që çdo gjë është sipas planit të biznesit të paraqitur dhe standardeve të kërkuara nga BE.

Dhe po me të njëjtat synime do të vijojmë edhe me thirrjen e tretë të këtij Programi, për të cilin thirrja do të jetë e hapur për aplikime nga data 10 dhjetor deri më 25 Janar, 2021.

Për sa i përket legjislacionit, AZHBR është një agjenci e akredituar prej vitit 2018 nga Bashkimi Evropian, e cila çdo pozicion të lidhur me projektet IPARD e ka të akredituar. Ndërkohë, si në çdo vend tjetër të Europës, ku implementohet programi IPARD, të gjitha çështjet administrative zgjidhen sipas legjislacionit vendas. Stafi i AZHBR i akredituar dhe i njohur nga BE, në çdo pozicion pune, dhe në tërësi, i rregullon marrëdhëniet e veta sipas Legjislacionit për nëpunësin civil, i cili është 100% i përafruar me legjislacionin e BE.  Ne ecim në linjë me të gjitha ndryshimet ligjore, të cilat kryhen në nivel ministror, sepse janë Ministritë ato që bëjnë politikat dhe propozimet për ndryshimet legjislative në përputhje me BE. Përafrimi i acquis është një proces, i cili ecën me shpejtësi dhe AZHBR vë në zbatim çdo akt ligjor e nënligjor, në kuadër të këtij përafrimi.

A kanë pasur interes të shtuar aplikimet për ngritjen e agrobizneseve gjatë këtyre viteve dhe sa prej këtyre aplikimeve janë financuar nga AZHBR?

Duke u rritur numri i aplikimeve, është rritur së tepërmi edhe gama e bizneseve të mbështetura dhe më lejoni të them që ka biznese shumë të mira, investime shumë interesante që kanë gjeneruar punësimin, zhvillimin e zonave ku janë ndërtuar por edhe të ardhura. Kemi mbështetur deri më tani 57 agropërpunues nga programi IPARD me vlerë kontrate 41.8 Mln euro dhe vlerë granti 20.9 Mln euro. Po ashtu nga Skema Kombëtare janë mbështetur 182 agropërpunues nga viti 2013 me vlerë mbi 2.7 mld lekë.

Jam e sigurt që zbatimi i këtij programi të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë me përpikëri dhe injektimi i fondeve do transformojë sektorin agroushqimor në përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, do ndikojë në zinxhirin e prodhimit dhe do përmirësojë klimën pozitive për rritje të veprimtarive ekonomike në zonat rurale. Tashme shembujt tanë te mbështetjes thërrasin fort ne te gjithë cepat e Shqipërisë dhe agroperpunuesit e kane kuptuar se si mund te marrin mbështetje per te realizuar objektivat e tyre te rritjes ne ketë fushe. Agroperpunimi është e tashmja dhe e ardhmja ne bujqësinë shqiptare dhe ne e mbështesim fort pasi vlera e produktit rri këtu dhe rrit ekonominë e vendit.

Frida Krifca1121231

Ka pasur ankesa nga ana e fermerëve sa i përket aplikimeve apo përthithjes së financimit? Nëse po, ku qëndron konkretisht problemi?

Në skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi dhe blegtori, për vitin aktual deri me sot përthithja e fondeve është 100%.  Sigurisht që ka aplikime jashtë fondit dhe për ketë fakt ka dhe ankesa nga fermerët, të cilët kërkojnë që të jenë pjesë e mbështetjes. Gjithsesi aplikimet kane pasur parimin kush vjen i pari përfiton i pari dhe renditja është ne baze te kohës se aplikimit online.

Ne kemi punuar fort që t’i lehtësojmë jetën fermerëve, që t’iu adresojmë realisht atë çfarë ata kërkojnë: përthithjen e fondeve. Por që të përthithësh fondet si nga buxheti i shtetit, po ashtu edhe nga IPARD është një punë e cila kërkon shumë përkushtim, mekanizma kontrolli financiar dhe një menaxhim të konsoliduar në gjithë strukturën. Dhe për ta bërë sa më të lehtë këtë proces, në vitin 2018 ne sollëm aplikimin me zero dokumente.

Në vitin 2020 i bëmë aplikimet vetëm online. Ata aplikojnë vetëm me kartën e identitetit dhe NIPT-in e fermerit, duke shmangur konfuzionin, radhët, duke kursyer kohë dhe  kosto administrative shtesë. Forma e aplikimit ka nje ndryshim dita me natën tashme dhe unë jam teper krenare për ketë zhdërvjelltësi institucionale.

Po kështu, prej vitit 2019 në 20 qytete të Shqipërisë kemi krijuar 20 dritare shërbimi për fermerët të quajtura –Agropika, të cilat ofrojnë shërbime, informacion, aplikime, akses në financë, mbështetje me ekstensionistë etj. Vetë specialistët tanë në agropika mund të pohojnë lehtësisht ndryshimin e madh që ka ndodhur, që nga koha kur fermerët qëndronin në radhë vetëm e vetëm për të marrë informacion. Sot, janë ekspertët tanë që janë kthyer në krahun e djathtë të fermerëve duke i asistuar për të bërë aplikimet dhe për të ndjekur të gjithë hallkat e nevojshme për të qene përfitues. Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të procedojmë shpejt për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe sipërmarrësve, që ndikimi nga mbështetja që japim të jetë pozitiv për ekonominë e vendit.

Kur do të jetë thirrja e radhës për programin IPARD? Sa do të jetë buxheti, dhe si do të informohen subjektet?

Në datën 10 dhjetor është hapur thirrja e tretë të programit IPARD për të cilin kemi venë në dispozicion një fond prej 29.1 milionë EURO. Sektorët që do të mbështeten janë në dy masa, në masën e parë janë vreshti, fruta-perimet, mishi dhe qumështi, ndërkohë që do të çelim dhe masën 3, investime në agropërpunim, vetëm për sektorin e fruta perimeve. Informacioni i detajuar gjendet në faqen e ueb-it të AZHBR, (azhbr.gov.al), ku gjendet dhe udhëzuesi për aplikantët dhe aneksi bashkëngjitur ku është edhe formulari i aplikimit. Por, falë strukturës së mirë organizuar të AZHBR, që ka në funksion 20 agropika në qytete të ndryshme në vend, fermerëve iu bëhet e mundur një dritare komunikimi nëpërmjet të cilës mund të informohen në mënyrë direkte mbi procedurën dhe kriteret e aplikimit. Është një punë kolosale, për të cilën AZHBR është angazhuar maksimalisht dhe në mënyrë profesionale. Si e kemi bërë këtë? Duke punuar me seriozitet, gatishmëri, por edhe duke shtuar edhe stafin e punës, 40 % më shumë, ku pjesa më e madhe janë të rinj, nga 123 në vitin 2018, në 195 aktualisht për t iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të sektorit.

Frida Krifca intervista1-Panorama

Ka një risi për të cilën jam shumë krenare ta them. Është struktura e ndërtuar, e njohur si A-ja e kontrollit të vetë fermerëve. AZHBR është një institucion transparent. Dhe kur them transparent e kam fjalën për një proces të hapur, ku vetë fermeri mund të shohë në çdo kohë aplikimin e tij dhe renditjen, ku ndodhet ai në krahasim me aplikuesit e tjerë. Është kjo strukturë që ka rritur efektivitetin e punës së AZHBR.

Ndër të tjera, edhe unë si drejtuese e agjencisë, bashkë me stafin informojmë dhe iu përgjigjemi pyetjeve të të gjithë të interesuarve në lidhje me thirrjen e tretë të programit IPARD II në çdo platformë komunikimi. Kemi një fushatë intensive të komunikimit, si në media vizive, por edhe në rrjete sociale, e cila nis 30 ditë përpara dorëzimit të aplikimeve. Për shkak të gjithë situatës së krijuar nga pandemia jemi detyruar që procesin ta transferojmë online, por duke u kujdesur maksimalisht që të japim të gjithë informacionin e nevojshëm. Kemi krijuar struktura të pyetjeve dhe përgjigjeve në platformat e rrjeteve sociale, ku kemi marrë një feed-back të kënaqshëm nga gjithë të interesuarit për hapjen e thirrjes së tretë. Janë adresuar pyetje dhe janë marrë përgjigje në sesionet  që ne jemi duke zhvilluar për të ndihmuar fermerët dhe sipërmarrësit mbi paqartësitë që kanë mbi mënyrën e aplikimit. Kjo hapësirë për ta do të mbetet e hapur deri në 21 ditë përpara mbylljes së aplikimeve, që është data 25 Janar.

Sera

Në programin IPARD a lejohet të aplikojnë edhe ato subjekte apo fermerë që janë refuzuar në thirrjet e tjera?

Po patjetër, lejohet nëse do të jetë e hapur masa dhe sektori për të cilin aplikanti ka aplikuar në thirrjet e mëparshme dhe sigurisht pas plotësimit të kushteve dhe përmirësimit të mangësive që ka pasur në aplikimet e mëparshme.

Cilat janë projektet dhe objektivat tuaja për vitin 2021? Sa mendohet të jetë buxheti për vitin që vjen?

Objektivi dhe qëllimi ynë kryesor mbetet përthithja e fondeve nga fermerët dhe disbursimi i tyre direkt në xhepat e tyre. Deri në fund të vitit 2021 do të angazhohet i gjithë fondi dhe do të paguajmë 120 investime me një vlerë prej 93 Milionë Euro. Do të përfundojmë programin me mbi 500 kontrata. Mbështetja që AZHBR do të japë në këtë drejtim, por jo vetëm do të jetë akoma më e madhe. Në jemi duke punuar paralelisht me ngritjen e programit IPARD III për të cilin kemi kërkuar paraprakisht një fond prej 166 milionë Euro.

Jemi duke punuar per akreditimin e pese masave të reja për te shtrirë gamën e mbështetjes tek më shumë grupe interesi të lidhur me ekonominë rurale përfshirë ketu dhe investime ne infrastrukturën rurale. Po ndërmarrim paralelisht një sërë masash për të rritur më tej efiçencën në përpunimin e informacionit dhe propozimeve, të shkurtojmë kohën në kontraktim, të ulim barrën administrative për subjektet aplikantë duke rritur prezencën online, duke ndërtuar sisteme të forta dhe transparente dhe kanale komunikimi me aplikantet online.

Kemi bërë hapa te jashtëzakonshëm në përmirësimin e këtyre proceseve administrative dhe punojmë me vizion të qartë për më shumë efikasitet, transparencë dhe qasje proaktive drejt zhvillimit te qëndrueshëm te bujqësisë dhe zonave rurale ne vend. Për te mirën e Shqipërisë.

Frida Krifca1131

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura