“Do krijonte ngarkesë”- Kreu i SPAK kundër vetingut të politikanëve/ Ja debati i plotë në Këshillin e Legjislacionit

Nov 25, 2021 | 11:35
SHPËRNDAJE

ARBENKELMENT BAÇI/ Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, ka deklaruar se është kundër amendamenteve të propozuara nga PD-ja për ndryshimet kushtetuese për vetingun e politikanëve që parashikojnë të behën nga ky institucion. Në diskutimet e Këshillit të Legjislacionit, Kraja tha se SPAK-u aktualisht nuk ka kapacitete për të kryer këtë proces, që sipas tij, do krijonte një ngarkesë të jashtëzakonshme pune për këtë institucion, ndonëse mbështet çdo iniciativë për të luftuar korrupsionin. Kraja tha se përfshirja e prokurorëve të SPAK-ut në tri hallka të procesit mund të krijojë problematika për njëanshmëri apo mungesë subjektiviteti, duke përmendur si eksperiencë negative operacionin e OFL-së.

Sipas tij, nëse ndryshimet në Kushtetutë do të ndodhin dhe propozimet do të mbeten të njëjta, padyshim që SPAK-u ka nevojë për mbështetje personeli dhe financiare. Duke iu përgjigjur pyetjes së sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Kraja pranoi se ka disa procedime penale për gjyqtarë dhe prokurorë të përjashtuar nga vetingu. Diskutimet në Këshillin e Legjislacionit u shoqëruan edhe me debate mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës. Shumica kërkoi që ndaj kreut të SPAK-ut të bëheshin më pak pyetje, të cilat i konsideruan si të panevojshme, ndërsa deputetët e opozitës pretenduan se gjithçka ishte në funksion të subjektit të diskutimit. Sekretari i PD-së, Bardhi, replikoi ashpër me deputeten e PSsë, Ermonela Felaj, duke i kujtuar se kreu i SPAK-ut nuk ka nevojë për patronazhistë edhe në Komision, ashtu si përpara zgjedhjeve.

DISKUTIMET

Arben Kraja: E mora materialin, e kemi parë dhe e kemi vlerësuar. Në parim jemi pro çdo iniciative që ka si objektivë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo është e padiskutueshme. Në raport me materialin që është përgatitur do shprehem në lidhje me përfshirjen e SPAKU-t në realizimin e kësaj iniciative. Është një procedurë administrative e parashikuar në Kushtetutë për t’u realizuar. Një procedurë administrative që parashikon rreth 200 subjekte që do t’i nënshtrohet këtij kontrolli dhe është një procedurë administrative që do kohën e saj. Kushtetuta parashikon që Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në Gjykatë, kjo është detyra themelore e Prokurorisë, por kryen dhe detyra të tjera të caktuara me ligj.

Ajo që mendoj është se detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së Prokurorisë që është ushtrimi i ndjekjes penale dhe përfaqësimi i akuzës në gjyq. Në këtë sens, ligji parashikon ngritjen e një sektori në Prokurorinë e Posaçme me tetë prokurorë dhe një strukturë me vendime kolegjiale dhe përfaqësimin në Gjykatë, me pak fjalë është një ngarkesë e jashtëzakonshme pune që nëse do të miratohet kështu siç është do t’i shtohet Prokurorisë së Posaçme. Ne kemi kaluar një eksperiencë, që unë e konsideroj negative, në vitin e parë të punës tonë me të ashtuquajturën akte normative apo OFL. Ishte një situatë e tillë, një detyrë e ngarkuar me ligj, e cila na shfokusoi nga objekti kryesor i punës tonë.

Në këtë sens, unë s’do ta vlerësoja jo të përshtatshme përfshirjen e Prokurorisë së Posaçme në realizimin e kësaj detyre. Duhet të kemi parasysh që një procesi administrativ Prokuroria i shton ndjekjen penale. Do të kemi të njëjtët persona që edhe bëjnë kontroll administrativ, edhe ushtrojnë ndjekje penale brenda së njëjtës strukturë dhe institucion. Nga pikëpamja e procesit të rregullt ligjor mund të krijojë problematika për njëanshmëri apo mungesë subjektiviteti apo të tjera që janë çështje që duhen vlerësuar. Ndjekja e një prokurori në tri hallka të procesit do krijojë një problematikë në vendimmarrje. Në qoftë se do mbetet kështu siç është unë gjykoj që duhet të shoqërohet me një paketë të plotë, ku të shtohet numri i punonjësve dhe mbështetjes financiare për këtë proces apo procedurave të tjera që do jenë të domosdoshme. Parimisht jam kundër të përfshirjes së SPAK-ut në këtë proces administrativ.

Gazment Bardhi: Që nga krijimi juaj ne nuk kemi parë rezultate konkrete. Ne kemi nisur nga 2017-a një proces që lidhet me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. A ka procedime penale për gjyqtarë dhe prokurorë që kanë shfaqur probleme me pasurinë?

Arben Kraja: Ka disa procedime penale, për gjyqtarë dhe prokurorë.

Gazment Bardhi: Bota e krimit ka kontakte me zyrtarë të lartë publik?

Arben Kraja: Nuk mund të jap detaje për hir të hetimeve, referojuni vendimeve gjyqësore.

Gazment Bardhi: Nuk kërkova të dhëna konkrete apo emra. Teksa Prokuroria po ndjek një eksponent rezulton që kanë kontakte me zyrtarë të lartë publik?

Arben Kraja: Fenomeni që krimi i organizuar lidhet me nëpunës publik ekziston, nuk jap emra për sa kohë çështjet janë në hetim.

Enkelejd Alibeaj: Sot që flasim, kryeni veprimtarinë administrative antimafia, OFL-në, Komisionin e Posaçëm të Vlerësimit të Kandidatëve, jo vetëm kaq, por edhe vetingun permanent të gjithë anëtarëve të BKH-së, prokurorëve, kontroll periodik mbi ligjshmërinë e pasurive të tyre. Ju kryeni veprimtari administrative rëndom e të diversifikuar, në volum po e po, pres të më thoni numrin. Mungesa e stafit ndoshta dhe mungesa buxhetore, ju mbingarkon!

Arben Kraja: Pjesa e ligjit antimafia nuk është administrative, pasi lidhet me një aktivitet kriminal. Futet te detyrat e caktuara me ligj. Na kanë mbingarkuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Është një procedurë e jashtëzakonshme. Monitorimi i vazhdueshëm, ka disa problematika. Por, po mbingarkohemi me punë të tjera duke mos u fokusuar te puna jonë kryesore.

Enkelejd Alibeaj: Po besoj se shqetësimi juaj për mbingarkesë vjen për ta bërë punën tuaj me cilësi.

Arben Kraja: Mund të shkojë diku te 200 punonjës në total, shto edhe familjarë dhe të afërt që i nënshtrohen verifikimit.

Enkelejd Alibeaj: Sipas një përllogaritjeje, numri i subjekteve të vetingut në politikë është i njëjtë me vetingun që ju bëni. Të mirëkuptoj për faktin se jeni të mbingarkuar. Këta 200 deputetë e ministra, cilësisht nuk ndryshon asgjë. Është vetëm çështje njerëzish, e cila është e arsyeshme, por një iniciativë e tillë ka edhe paketën me staf e buxhet. Për ta çuar para këtë proces duhen njerëz. Lidhjet e politikës me krimin po tentojnë që të shtohen. Nga të dhënat statistikore janë bërë një mori kallëzimesh, por nuk ka përfunduar asnjë rast.

Lindita Nikolla: Ju tërheq vërejtje! Nuk mund të dilni jashtë temës së subjektit. Flisni për atë që e kemi thirrur kreun e SPAK-ut.

Enkelejd Alibeaj: Mos e mbroni, zotëria i ka dalë vet garant detyrës së tij. Unë e kuptoj që ka shkuar vonë dhe mund të keni edhe prioritete të tjera. Mund të ikni nëse doni.

Lindita Nikolla: Unë i kërkoj ndjesë kreut të SPAK-ut, sepse po i drejtoheni me pyetje, A e dini, a e kuptoni, mënyra që nuk janë të hijshme për këtë institucion. Mos paragjykoni, as mua dhe as kolegët.

Enkeljed Alibeaj: Nëse ju ka vajtur vonë, thojeni! Dëgjuat në ndonjë pyetje fyerje! Unë po ju trajtoj me respektin më të madh. Mos ma hiq fjalën.

Ermonela Felaj: Kërkoni të dhëna sasiore. Enkelejd Alibeaj: Këto diskutime janë të rëndësi.

Gazment Bardhi: Ermal Pishtari është patronazhisti i zotit Kraja, nuk jeni juve, ju jeni Ermonela.

Ermonela Felaj: Ti mund të jesh subjekt i veprës penale.

Gazment Bardhi: Po lere veprën penale. Ti je hajdute kokë e këmbë, vjen këtu, na tregon ne rregulloren ti. Po na le rehat. S’keni nevojë të ndërhyni.

Lindita Nikolla: Ju tërheq vërejtje! Mos flisni nga vendi!

Gazment Bardhi: Z. Kraja s’ka nevojë për patronazhistë edhe këtu në Komision.

Enkeljed Alibeaj: Zotëria i ka dalë vetë ballë kësaj punë, e njeh ligjin. Unë po e pyes cilat do jenë problemet eventuale për ta vendosur një orë e më parë në zbatim vetingun në politikë. Kjo nuk është një veprimtari që behët në orën 4 dhe duhet të ikim ne se shkoi koha për të shkuar në permanent(parukeri). Po kjo është e tmerrshme!

Lindita Nikolla: Tërheq vëmendje, gjuha jote është fyese dhe seksiste, duke u mbivendosur zonjave një stereotip të caktuar.

Enkelejd Alibeaj: Mos bëni viktimën, ky është abuzim me detyrën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura