“Do ketë presione’/ Disa orë para takimit në Uashington, Daçiç: Nuk këshilloj askënd t’i japë ultimatum Serbisë, ne e dimë se Brukseli…

Sep 3, 2020 | 9:54
SHPËRNDAJE

ivica dacic

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha të enjten se në Uashington do të ketë presione të mëdha si për Serbinë ashtu edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por që ultimatumi nuk është mënyra për të zgjidhur problemin. Në Shtëpinë e Bardhë ne daten 4 shtator pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Gjithmonë është folur për formimin e një kornize ekonomike, gjithçka që mund t’i përkiste normalizimit të marrëdhënieve, por edhe jetës së përditshme të njerëzve, infrastrukturës, hekurudhës, vendosjes së lirisë së lëvizjes, mallrave, kapitalit”, tha Daçiq.

Ai shtoi se nëse dikush pret që të jetë një takim spektakolar, në kuptimin që do të shfaqet një kornizë politike dhe se do të diskutohet statusi (i Kosovës), kjo, sipas tij, është një çështje “plotësisht e papërgatitur”.

Nëse dikush mendon se të bëjë presion mbi Serbinë përmes disa agjendave të fshehura, unë jam i bindur se presidenti Vuçic do të përgjigjet në mënyrën që është në interesin tonë kombëtar dhe shtetëror,” tha Daçiq.

Ai shtoi se marrëveshja politike nuk është e përgatitur.

Të gjithë do të donin ta zgjidhnin atë çështje, por kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis,” tha ai.

“Unë e di sesi funksionon e gjitha, presioni do të jetë i madh mbi shtetin dhe mbi këtë njeri (Vuçiq), me shantazhe, kërcënime për të ardhmen e tij, por unë e di se si reagon Vuçiqi ndaj kësaj, kështu që unë nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatumin Serbisë ose Vuçiqit. Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemin”, tha Daçic.

Ministri serb gjithashtu tha se Serbia nuk mund, siç tha ai, të korrigjojë gjërat në rendin ndërkombëtar.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se Brukseli po ndërmjetëson në dialog nën rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të japë miratimin përfundimtar për të gjithë këtë. Kështu që të gjithë duhet të kenë njohuri për gjerësinë e spektrit të të gjithë aktorëve” përfundoi Daçic.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

O’Brien të mërkurën ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Është paralajmruar se projektet infrastrukturore do të jene temat e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenell./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura