“Do japim dhe një mijë të tjera”, Veliaj: Projekti ynë për kreditë e buta

Oct 18, 2018 | 9:04
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka ndarë veç një milion dollarë për subvencionimin e kredive për shtëpi edhe për vitin që vjen. Këtë e deklaroi kreu i bashkisë, Erion Veliaj, dje në dëgjesën e parë të projektbuxhetit të 2019-s, për Njësinë Administrative 4, duke folur për planet e bashkisë për strehimin.

veliaj

“Ofrojmë bonus qiraje për 400 familje, që nuk e përballojnë dot qiranë e tregut. Do të vazhdojmë ta ofrojmë këtë shërbim për të gjithë ata që janë në situatë të tillë. këtë vit, po ashtu, kemi dhënë 1 mijë kredi të buta për familje të reja, jo vetëm për ata që janë në situatë të vështirë ekonomike, por dhe për çifte të reja. Tirana do të vazhdojë të rritet. Kjo është një nga arsyet përse kreditë tona do t’i përsërisim edhe këtë vit për t’u dhënë shansin një mijë familjeve të reja të instalohen në Tiranë, të kenë mundësi që të paguajnë një kredi pa interes dhe të rrisin fëmijët me dinjitet”, nënvizoi kryetari, duke bërë një listim të realizimeve, punëve në vazhdim dhe projekteve që e presin këtë njësi.

Përpos vëmendjes së madhe në shkolla, kopshte e çerdhe, Veliaj tha se do të ketë prioritet edhe infrastrukturën rrugore me qëllim që Kinostudio të kthehet shumë shpejt në një nga pesë qendrat më të rëndësishme në kryeqytet. “Si punë në vazhdim jemi fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në blloqe të reja banimi. Sot patëm prishje muresh. Gjithashtu, po punojmë me rehabilitimin e Unazës së Mesme, e cila prek dhe Njësinë 4. Kemi filluar një projekt për rehabilitimin e qendrës ‘Kinostudio’, e cila është një nga poliqendrat e kryeqytetit”, nënvizoi Veliaj, duke përmendur edhe një sërë nevojash që ka qyteti, i cili, sipas tij, falë punës së administratës që drejton, është pak më i jetueshëm në krahasim me vite më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura