“Do iki për në punë, ik se ngatërrova rrugën”/ Zhdukja e 40-vjeçarit në Vlorë, ja çfarë po heton policia

Oct 17, 2020 | 14:27
SHPËRNDAJE

Zhdukja e 40-vjeçarit Ermal Ngucaj në qytetin e Vlorës vijon të mbetet ende misterioze, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të bërë të mundur dokumentimin e ngjarjes.

ermal ngucaj familja

Sipas burimeve të Policisë, pistat ku është fokusuar grupi hetimor janë në një ngjarje të ndodhur një vit më parë në fshatin Lepenicë, në të kaluarën e tij në Itali dhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur gjatë ditëve të fundit. Sipas informacioneve, në shtator të vitit të kaluar, 40-vjeçari Ngucaj është konfliktuar fizikisht me një 19-vjeçar në një gurore të zonës. Për këtë ngjarje, Ngucaj është arrestuar nga Policia dhe është dënuar me shtatë muaj burg. Ai ka kryer dënimin dhe është liruar nga burgu. Familjarët janë shprehur se kjo ngjarje nuk ka lidhje me zhdukjen e Ermal Ngucajt, pasi gjërat mes palëve janë ‘sheshuar’.

Blutë e Vlorës dyshojnë që zhdukja e 40-vjeçarit mund të ketë lidhje edhe me ndonjë konflikt, që mund të ketë pasur kohët e fundit në këtë qytet, ndërsa për këtë vijojnë hetimet për të bërë të mundur gjetjen e sa më shumë provave. Policia e Vlorës nuk përjashton as pistën që lidhet me lëndën narkotike, por ende për këtë pistë nuk ka asnjë provë, nëse 40-vjeçari është i përfshirë në këtë veprimtari.

Makina e Ermal Ngucajt u gjet e braktisur tri ditë më parë në afërsi të fshatit Mavrovë, ndërsa brenda saj janë gjetur rroba dhe një palë atlete që i përkisnin 40-vjeçarit, ndërsa automjeti është gjetur i mbyllur dhe çelësat nuk janë gjetur.

Automjeti i gjetur ditën e martë nga Policia e Vlorës pas denoncimit të vetë familjarëve dhe me kërkesë të tyre është hapur për të parë nëse kishte ndonjë gjë të dyshimtë në bagazh.

Nga burime të Policisë është mësuar se në automjet dhe jashtë tij nuk është gjetur ndonjë send i dyshimtë. Nga blutë e Vlorës po hetohet nëse 40-vjeçari mund të jetë zhdukur në ndonjë vend tjetër dhe makina të jetë parkuar më pas në afërsi të fshatit Mavrovë.

FAMILJARËT

Për këtë ngjarje, familjarët e 40-vjeçarit thonë se nuk ka pasur sherre të pasuara, si edhe e hedhin poshtë si shkak të zhdukjes së djalit të tyre. Fejzo dhe Mjaftime Ngucaj dyshojnë se djali i tyre është rrëmbyer.

Ata i kërkojnë Policisë së Vlorës që të nisë kërkimet për gjetjen e Ermal Ngucajt, i zhdukur prej 4 ditësh.

“Djali nuk na përgjigjet në telefon. Kemi ndenjur në gjemba, pyes gruan ku është djali dhe e pyes nëse ke folur. Më thotë që kam folur që të hënën në darkë dhe nuk e di ku është. Atë ditë ndenja dhe në darkë shkova në Vlorë se mos ishte te shtëpia. Vajta, hapa derën nuk ishte. Shkova pyeta në polici nëse e kanë kapur për ndonjë ngatërrim rrugëve. Policia tha nuk e kemi arrestuar. Erdha lart. Dhëndri më tha që do të bëj denoncim. Një djalë më tha që makina e Ermalit është te kthesa që shkon në Mavrovë. Shkova, makina ishte e rregullt, rrobat e tij ishin brenda. Edhe atletet brenda. U thashë mos e prekni makinën, lajmëruam Policinë, që mori makinën dhe nuk e dimë se çfarë bëri. Unë dyshoj se e kanë rrëmbyer djalin. Dyshoj se kanë gënjyer, e kanë nxjerrë nga makina dhe e kanë dëmtuar. Telefonin e ka të mbyllur që të hënën në darkë. Unë dua djalin të gjendet, të futet shteti të kontrollojë me imtësi se mund të jetë dëmtuar djali. E kanë rrëmbyer”, shprehet i ati i 40-vjeçarit të zhdukur.

Sakaq, bashkëshortja e 40-vjeçarit është shprehur se ditën kur është zhdukur, ka folur me të në telefon dhe Ngucaj i ka thënë vetëm pak fjalë.

“Do ndërrohem dhe do iki për në punë, ik se ngatërrova rrugën”, ka qenë biseda mes bashkëshortëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura