“Do bëhesha ministër”- Flamur Topi publikon tregimin e librit “Një natë jetë” : Për një ‘gabim’ të vogël njerëzor do…

Apr 12, 2020 | 22:01
SHPËRNDAJE

Nga Flamur Topiflamur topi

Mjeku i njohur, Flamur Topi ka publikuar një pjesë tregimi të librit të tij “Një natë jete”. Në të flitet për një zyrtar të zgjedhur gabimisht si ministër pa portofol. Këtë detyrë ai mundi ta zotëronte vetëm për 24 orë, ndërsa mbështetja e tij kur të gjithë ‘e harruan’ ishte babi.

Lexojeni të plotë:

Një gabim “ i vogël” njerëzor…

 Do të bëhesha ministër! Lajmin e pabesueshëm e mësova herët në mëngjez, në emisionin televiziv “Koha për t’u zgjuar”. Në fillim, më shkoi mendja për ndonjë ngatërresë të mundëshme, por kurikulumi i botuar në të përditshmen, s’hidhte hijezën më të vogël të dyshimit: “Sokol Pogu, 40 vjeç- Drejtor për marrëdhëniet me jashtë në ministrinë X. Ekspert i shquar. Zotërues i shtatë gjuhëve të huaja. Profesor doktor…”.

Që nga ai çast, s’po ndjehesha i qetë. Me siguri është bërë ndonjë gabim, mendoja. Dhe kisha arsye të mos e besoja.. Gazeta, që prej një muaji, çdo dy-tri ditë, botonte një variant të qeverisë së ardhëshme, thuajse çdo herë të ndryshëm. Nga ana tjetër, përpara këtij lajmi shokant, s’kisha haberin më të vogël për lëvizjen më të fundit të kryeministrit të pritshëm. Askush s’më kish thënë një fjalë të vetme; askush s’qe këshilluar me mua dhe as më kish propozuar gjësendi!…Nga ana tjetër, duhet t’u them, se nuk jam aspak një tip karrierist. E nëse të majtët, vetëm tre muaj më parë, më emëruan drejtor drejtorie, e bënë, sepse u duhesha për shkak të cilësive të mia profesionale dhe të specializimeve të shumta në perëndim…

S’pata kohë të bluaja më gjatë, sepse zilja e telefonit të shtëpisë, më përmendi:

-Alo! Urdhëroni!…

-Urimet më të mira, vëllaçko! – u dëgjua zëri i përtejmë i një gruaje entuziaste.

-Cila jeni?! – pyeta disi me ngurim, pa ditur ç’qëndrim të mbaja. Deri atë herë, qe thjesht një njoftim në gazetë. Asgjë më shumë…

-Si? S’po më njeh? – thuajse thirri gruaja, kinse e zhgënjyer prej meje. Jam Mira, Mira kushërira!…

-Ah! – thirra duke u kujtuar.

Pothuajse ia kisha harruar zërin. Kish vite, që s’komunikonim me kushërirën e largët.

-Lart e më lart! – vazhdoi kushërira. Tani, besoj, do të bësh diçka për Andin tim.

Po cili qe Andi? I shoqi? Djali?

E ndjeva vehten si jo më keq!

Fill, pasi lashë trupin e telefonit në shtratin e vet, një tjetër tringëllimë. E ngrita në çast:

-Hajde, Sokol vëllai, hajde! Fora e bëre! Fora! Ministër, jo shaka!…

S’po e njihja!…

-Agimi, more Sokol, Agimi! Të kujtohet kampi i rinisë në Golem? Eh, eh…Kur mblidhnim stika, tek ato pishat, buzë detit…

S’po kujtohesha akoma.

-Sokol, vëllai! Do të kaloj ndonjë ditë andej nga zyra e re!…E kam një hall të vogël, ashtu…

 

***

Edhe tek mbyllja derën e jashtme të apartamentit, telefoni s’pushonte së rëni!…

Në “pushimin”, pak metroshe të katit të dytë, (sikur të m’i njihnin çapet) dera u hap papritur me rrëmbim e në prag u duk Sheja, fqinja ime.

-Mirëmëngjez, zoti ministër! – më përshendeti ajo, si asnjëherë tjetër, gati-gati me përunjësi.

-Pa dale se…

-Hë mo, dhe ti! Gjithnjë kështu, modest!…

Para se të ndaheshim, më kujtoi t’i bëja derman të shoqit, një shofer veteran i autobuzëve urbanë; mos e merrja për shofer personal, ose të paktën ta rekomandoja tek të tjerë, kolegë të lartë…

 

***

 

Te shkallët e jashtme të ministrisë, u kryqëzuam me eprorin. Mezi po mbushesha me frymë nga të vrapuarit.

-Vonë, shumë vonë! – qortoi nëpër dhëmbë ministri, teksa ngjiste me nxitim shkallët, pa m’i hedhur një herë të vetme sytë. Goni – iu kthye papritur, me zë të lartë, badigardit të vet, që s’i shqitej (me siguri që ta dëgjoja unë).  Të ka rënë në vesh ndonjëherë shprehja “Si mësalla me dy faqe?!” (sigurisht që s’e kish dëgjuar; s’qe më shumë se njëzetëepesë vjeç!). Eh, ja, nga këta tipa e pësuam këtë herë. U besuam! Besuam shumë!…Ja pse…

 

***

U ktheva në shtëpi helm e vrerë! Gruaja m’u hodh në qafë e më mbuloi me të puthura, ndërsa më qortonte sypërlotur, që isha treguar aq i keq, i mbyllur e sekret, me të!

-Ç’më je hutuar e ngrysur kështu, si të të jenë mbytur gjemitë?! Hej, mblidh vehten! Do të jesh ministër pa portofol, jo pak! Mbi të gjitha ministritë do të jesh! Do të kesh makinë, shofer personal, badigardë, një milion lekë në muaj, telefona falas, pashaportë diplomatike për vehten e familjen, e ç’do më?! Hajde, mos më rri kështu, hundë e buzë!…

-Po mund të mos jetë e vërtetë, a më kupton? Mundet që…

Ajo më vështroi si e shpërvarur, si të thoshte “Edhe tani kërkon të ma hedhësh?!…Pa shih këtu!…”.

 

***

 

Zilet s’rreshtën tërë ditën e ditës. Më uronin nga të gjitha anët! Veç babai, 90-vjeçar, s’u duk të qe shumë entuziast: “E ç’m…ministër do të jesh, o bir?! Pa një portofol në xhep! Të tjerët do të kenë milionat në duar, e ti, asnjë dyshkë!…”

Më erdhi për të qeshur, por s’ia kisha ngenë ta sqaroja se ç’është një ministër i quajtur “pa portofol”…Prisja, si ndër ethe, një telefon nga selia e fitimtarëve, për të më siguruar se isha unë, bash unë, i propozuari i tyre, por, gjer në mbrëmje, askush s’u bë i gjallë! Ankthi po më mbyste…

 

***

Rreth orës tre të natës, tek kotesha, se gjumi s’po më zinte, telefoni më çoi brof në këmbë, paksa i trembur. “Mbase është ai! – thashë me një frymë. Më kish rënë në vesh se, kryeministri i ardhshëm punonte deri në orët e vona të natës për strukturimin e qeverisë së re.

-Alo! – u dëgjua zëri i trashë, i zvarritur, i rëndë dhe autoritar, i të panjohurit. – Sokoli je, mo?!…

-Po! – iu përgjigja. Unë jam…

-Ministri? – ironizoi tjetri.

S’dinja ç’të thosha! Heshta. S’iu përgjigja.

-Paske qenë nepërkë e helmatisur, more Sokol! S’të paskemi njohur! – foli tjetri, i bindur se po e dëgjoja, edhe pse heshtja e s’bëhesha i gjallë. Tradhëtar e shkuar tradhëtarit! Një zuzar, ja ç’je! Pale, të bëmë edhe drejtor drejtorie e ti shkon e u falesh atyre! Bravo! Bravo! Vaj me të majtët ti, e vaj me të djathtët! Bir kur…ja ç’paske qenë! More, po kaq shumë u ke shërbyer, sa të zgjodhën për ministër?! Ë?! Por dije, do të ta shtypim kokën e gjarpërit! Fërtele do të të bëjmë! – kërcënoi egërsisht burri.

S’thashë asnjë fjalë, gjatë kohës që i huaji përbetohej për të më bërë gjëmën. Dridhesha i tëri!…

 

***

Po gdhihej. Me padurim prisja orën shtatë të “Kohës për t’u zgjuar”, edhe pse atë natë s’kisha bërë një sy gjumë!…

I erdhi radha më në fund “gazetës sime”, që jo më larg se një ditë më parë, më kish shpallur ministër të qeverisë së re.

Një çast, m’u përmbys bota, m’u bë se u kthye mbrapsht, me këmbë përpjetë! Gazeta e përgënjeshtronte lajmin. Kish qenë fatalisht një gabim, që ata e quanin “njerëzor”…Kompjuteristja e tyre, një studente spitullaqe, që punonte “part time” për ta, “thjesht” kish ngatërruar, bërë lesh e li programin…Për më zi, gazeta botonte një variant hamendës të saj, krejt të ndryshëm. Sipas editorialistit B. K. (që kolegët, midis syresh, e përkthenin si biri i ku…kaq i mbrapshtë qe) do të isha me siguri nga të pushuarit e parë të qeverisë së ardhëshme, si sabotator i integrimit të vendit në familjen e madhe europiane…

Ngriva i tëri. U mblodha kruspull, u bëra i vogël, i vogël, edhe pse jashtë, qysh tani, në mëngjez, temperatura kish vajtur 38° gradë dhe paralajmëronte për një ditë jashtëzakonisht të nxehtë…

Ora 07.20! Asnjë telefonatë. Ora 07.45! Akoma asnjë zile! 08.00. Heshtje, heshtje varri, sikur bota befas të kish dhënë shpirt…

I lodhur, i dërrmuar, i vrarë dhe i rënë krejtësisht, zbrita shkallët e pallatit tim. S’më bëhej të ecja, të shkoja për në punë…

Komshija e katit të dytë, Sheja, po ngjiste si me përtesë shkallët, me një shishe qumështi në dorë.

-E?! – m’u drejtua shpërfillëse atë mëngjez – E dëgjove Bashkimin? Pa le, po do të të pushonin nga puna, si sabotator të integrimit…

Dola jashtë në rrugicë, i pafrymë. Befas, celulari u drodh, si i trembur, brenda çantës sime.

-Alo, urdhëroni!…

Po ai zë! I trashë, i rëndë, kërcënues, autoritar, po atë kohë edhe ironik…

-A e sheh, moj nëpërkë, si e pësove? U shërbeve sa munde ndën rrogoz e të hodhën tutje, si limon i shtrydhur! U tallën, u përqesh…

Ia mbylla telefonin. S’po e duroja dot më!…

 

***

I vetmi, babai, që më ngushëlloi atë mbrëmje vonë. “Mos u mërzit, më tha. Je më mirë, aty ku je. Ja, të them unë. S’ke ç’do ministër pa portofol!…S’ke ç’e do!…”.

Hej, ç’aventurë! Megjithë gjendjen e vështirë, një çast, më erdhi për të qeshur, por në të njëjtën kohë edhe për të qarë, tamam sikur të kisha shkarë nga mendtë…

Kisha qenë plot 24 orë, ministër! 24 orë të mundimshme, që më kishin lodhur, drobitur, dridhëruar e tronditur sa një jetë e tërë!…

Pas asaj mënxyre, duhej doemos të mblidhja vehten. Të merrja urgjentisht lejen e të zhdukesha nga sytë këmbët! Të shkoja larg, sa më larg të qe e mundur! Të largohesha nga të gjithë, nga gjithçka, që më kish rrethuar deri atëherë. Në fund të botës të shkoja!…

Telefoni heshtte prej 24 orësh, si i damllosur papritur e mbetur i pa zë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura