Dje çlirimtarë, sot pushtues

May 9, 2022 | 15:10
SHPËRNDAJE

BASHKIM ZENELI

Bashkim Zeneli
Bashkim Zeneli

Më 9 maj 1945, në orën 00:43 në Berlin, do të nënshkruhej Akti i Kapitullimit pa kushte i Gjermanisë naziste, që do të shënonte edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore në Europë. Fitorja mbi nazifashizmin ishte meritë e të gjithë kombeve antifashistë, përfshi edhe Shqipërinë.

Por ishte para së gjithash një kontribut i paharrueshëm dhe i patjetërsueshëm i tri Fuqive të Mëdha, SHBA, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe. I bashkoi lufta kundër nazifashizmit si qëllim i përbashkët, por i ndau më pas Lufta e Ftohtë.

Stalini jo vetëm rivendosi më me egërsi diktaturën në vend, por edhe shpalosi me fanatizëm ambicien dhe projektet ekspansioniste për të imponuar regjimin komunist në shumë zona të Europës dhe botës. …Ish-shefi i FSB (ish-KGB), Vladimir Putin, do të emërohej nga Presidenti Jelcin, më 9 gusht 1999, Kryeministri i Rusisë. Dhe vetëm pas 8 muajsh, më 26 mars 2000, do të zgjidhej President i Rusisë. Sot ka 23 vite në pushtet dhe është më jetëgjati në Kremlin, pas Stalinit.

Pavarësisht demagogjisë së madhe për bashkëpunim dhe mirëkuptim me Perëndimin, që në ditët e para në Kremlin Putini shpalosi qëllimin e tij për krijimin e Rusisë së Madhe. Shpërbërjen e plotë të Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991, Putini do ta cilësonte si “tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shek. XX”. Në një takim me Presidentin amerikan Klinton, në nëntor të vitit 1999, Putini do t’i thoshte:

“Ju keni Amerikën nga veriu në jug, keni Azinë, jeni dhe në Afrikë. Të paktën Europën, ma lini mua”.

Në politikën e tij të jashtme, kuptohej qartë edhe demagogjia, edhe kërcënimi. Më 25 shtator të vitit 2001, mban një fjalim mbresëlënës në Bundestagun gjerman, duke u deklaruar për bashkëpunim të hapur me Gjermaninë, me Perëndimin, me SHBA dhe NATO. Në po këtë gjuhë flet edhe me Presidentin amerikan Bush në 14 nëntor 2001 në Uashington. Në maj 2002, në Romë, vlerëson bashkëpunimin e Rusisë me NATO-n, në Këshillin NATO–Rusi.

Ndërkohë, udhëheqësi i Kremlinit shprehet përherë e më i ashpër për zgjerimin e NATO-s në lindje dhe anëtarësimi në mars 2004 i disa vendeve të lindjes. Në mënyrë të veçantë, ai kundërshton me egërsi vendimin e NATO-s në Samitin e 3 – 4 prillit në Bukuresht, për të pasur në gjirin e saj Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Dhe pas kësaj, Putini urdhëron ndalimin e dërgimit të gazit rus në Ukrainë, si një presion i hapur për të hequr dorë nga kursi drejt Perëndimit.

Egërsinë e tij kundër Perëndimit dhe NATO-s, Putini do ta shprehte hapur më 10 shkurt 2007 në Konferencën e Sigurisë së Mynihut. Ai do të akuzonte se të gjithë pa pushim po punonin kundër Rusisë dhe do të kërcënonte se tani e tutje do të përdorte të gjitha mjetet ushtarake për të mos lejuar më tej zgjerimin e NATOs në lindje. Ai do të shprehej se “kufijtë dhe sovranitetin e saj, Rusia do t’i mbronte me vendosmëri kundër paktit agresiv të NATO-s”.

Ky ishte fjalimi që do ta zhvishte Putinin nga çdo demagogji. Këtu do të nisnin përherë e më shumë të ishin problematike raportet e Rusisë me Perëndimin, më NATON-n dhe BE-në. Në maj të vitit 2008 Putini do të ndërronte postet me Kryeministrin Medvedev, duke e dërguar atë në Presidencë, por duke mbajtur të gjithë pushtetin në duart e tij. Ai do të kthehej përsëri si President më 4 mars 2012. Tani ai i shpejton planet për projektin e Rusisë së Madhe.

Më 19 shtator 2013, Putini do të mbajë një fjalim programatik në Forumin “Valdaj” ku del hapur që “Novorasia” (Rusia e Re) dhe për të drejtën e pamohueshme të Rusisë për të mbrojtur qytetarët rusë në hapësirat historike të Rusisë, veçanërisht në Perëndim dhe Jug të Rusisë. Kjo nuk ishte një politikë e re. Ajo ishte hartuar që në vitin 1768 nga Katerina e Madhe.

Këshilltari i saj më i afërt, Feldmarshalli Grigory Potemkin, do t’i drejtohej Careshës: “Zonjë e Madhe, mos harro, Krimeja të përket ty… Nëpërmjet Krimesë do të kesh në zotërim të plotë Detin e Zi. Rusia ka për të qenë parajsë!”.

Dhe Katerina e Madhe e pushtoi Krimenë. Dhe ëndrrën ekspansioniste tani po e realizonte Putini. Që në vitin 2000, ai do të shprehej se “me fundin e Bashkimit Sovjetik, fati i Ukrainës ishte i lidhur ngushtë me identitetin kombëtar rus, me vlerat e botës së madhe ruse, ose botës rusoukrainase. Ne jemi një popull”. Në nëntorin e vitit 2013 në Ukrainë shpërthen demonstrime të fuqishme antiqeveritare në sheshin Majdan në Kiev. Vriten qindra demonstrues.

Putini mbështet presidentin Janukoviç, por më 21 shkurt 2014, populli e detyron atë të arratiset. Dhe Putini vijon ta mbështesë. Në këto momente të vështira, Putini fillon operacionin për aneksimin e Krimesë, me mbështetjen e forcave pro-ruse dhe të ushtrisë ruse. Rusia miraton referendumin për ribashkimin e Krimesë më Rusinë. Putini shpërfill reagimin e ashpër të Perëndimit. Më 18 mars 2014 ai deklaron: Ne nuk jemi thjesht vetëm fqinjë, ne jemi një popull. Ne jemi bashkë”.

Ruskijmir (Bota Ruse) mbetet një objektiv në vazhdim i Putinit. Vetëshpallen “Republika Popullore” Donjetsku dhe Luhansku, në juglindje të Ukrainës. Nacionalizmi rusomadh gjallërohet si kurrë më parë. Orekset ekspansioniste nuk mund të fshihen. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit, Viaçeslav Volodin, arrin të deklarojë: “Për aq kohë sa kemi një Putin, kemi dhe një Rusi.

Pa Putinin nuk ka më Rusi!”. Tani flitet hapur për zgjerim të hapësirave ruse, Putini punon për një Jaltë të dytë. Ai kërkon të vendosë një rend të ri europian të sigurisë më kushtet e Rusisë: një ndarje të sferave të influencës, një revizionim të rendit europian të paqes dhe sigurisë. Putini rrit në mënyrë galopante buxhetin për modernizimin e ushtrisë, duke lënë 700 miliardë euro për vitet 2010–2020. Punon për luftën! Tensionet me Ukrainën rriten përditë. Rendi dhe siguria janë të cenuara rëndë.

Ndërkohë Putini deklaron: “Në Kremlin mua nuk më kontrollon askush; prej këtu unë kontrolloj gjithkënd”. Perëndimi përpiqet të ndërmjetësojë për të qetësuar situatën. Diplomacia parandaluese kishte dështuar. Tani duhej të vepronte, me sa mundej, diplomacia e krizës. Europa ishte e dobët e me problem. Megjithatë, Kancelarja Merkel e Presidenti Hollande e takojnë Putinin në Moskë më 6 shkurt 2005.

E bindin për një armëpushim, që arrihet me dy marrëveshje në Minsk. Marrëveshja Minsk II parashikon edhe tërheqjen e armatimit të rëndë dhe një decentralizim që përfshin edhe rajonin e Donbasit. Por Putini vazhdon të kërcënojë. Gjatë periudhës 7 – 12 shtator Rusia zhvillon manovra të mëdha ushtarake “Zentr – 2015” me pjesëmarrjen e afro 100 mijë trupave ushtarakë e 170 aeroplanëve ushtarakë.

Kërcënohet Ukraina! Putini kërcënon Perëndimin dhe NATO-n edhe në OKB, më 28 shtator 2015. Në doktrinën e re ushtarake ruse, NATO deklarohet si “kërcënim i madh për Rusinë dhe kjo i jep të drejtë Rusisë të mbrojë qytetarët rusë kudo që janë nga sulmet e armatosura të çdo vendi të NATOs”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Gerasimov, deklaron se “në shekullin 21 janë zhdukur kufijtë midis luftës dhe paqes. Tani nuk ka më shpallje lufte si më parë”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në televizionin rus, Putin do të shprehej se “Projekti Novorosija ishte i hershëm, që nga koha e Katerinës së Madhe. Ne kishim territore të gjera të Ukrainës së sotme, në lindje dhe në jug.

Për shkaqe të ndryshme, Rusia i humbi ato… por ato janë tonat, njerëzit janë aty”. …Dhe më 24 shkurt, Rusia ndërmori sulmin e parë agresiv ushtarak kundër Ukrainës, një vend i lirë, sovran, i pavarur, demokratik dhe euro-atlantik.

Tamam 77 vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (në luftën kundër nazizmit, Armata e Frontit Ukrainas, e komanduar nga Marshalli Konjev, tri here hero, kishte në gjirin e saj kryesisht bij dhe bija të popullit të Ukrainës, që luftuan me heroizëm deri në shpartallimin e nazizmit). Mbarë bota e ka dënuar këtë agresion dhe luftë për afro 80 ditë. Ka një solidaritet të madh me popullin e Ukrainës për rezistencën heroike që po i bën ushtrisë ruse. Por gjithçka ndodhi jo brenda një dite.

Paralajmërimet dhe kërcënimet e Putinit ishin përditë e më agresive. Duket se Perëndimi nuk punoi shumë për “Nie Wider Krieg” (Kurrë më Luftë). Pas aneksimit të Krimesë, lufta në Ukrainë po shfaqej e pashmangshme. Duket se Perëndimi NATO – BE ishin në një gjendje “përgjumjeje”, në një “amnezi kolektive” dhe kjo nuk duhej të ndodhte.

Edhe sot ka solidaritet me Ukrainën, por Perëndimi me institucionet e tij, pa dyshim që duhet krahas solidaritetit të ketë edhe soliditet. Lufta na ka prekur të gjithëve! Çdo gjë ka ndryshuar! Por Ukraina dhe populli i saj do të fitojnë mbi agresorët rusë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura