“Djalli komik”, Zija Çela na prezanton me universet paralele

Nov 19, 2018 | 12:52
SHPËRNDAJE

Jo rrallëherë letërsia është lojcake. Ajo të merr në duar dhe të shtyn në rrjedha që as i ke menduar. Po aq zemërgjerë. Të ofron qindra lexime, duke qenë gjithnjë e re. Duket se kjo ka ndodhur edhe me romanin më të ri të Zija Çelës, “Djalli komik”, i cili sapo ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”, e dje pati takimin e parë me lexuesin.

Zija cela

Për botuesen Irena Toçi, Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, mendim ky që mbështetet nga të tjerë emra të letrave shqipe si Mehmet Kraja, Rudolf Marku, etj.. Dhe jo me pa të drejtë, pasi Zija Çela zgjedh të na flasë për raportin e njeriut me pushtetin, raportin e individit me shoqërinë, raportin me vetveten, përmes ca ngjarjesh të çuditshme, që duket se ndodhin në një tjetër botë, në një tjetër jetë, por që ka qëlluar të jenë edhe parashikime ngjarjesh në këtë bitin tonë të prekshme. Për ata të paktit, që kanë pasur fatin ta lexojnë që në dorëshkrim romanin më të ri të shkrimtarit, ai nuk është thjesht libri i radhës.

Zija cela1

Studiuesi Agron Gjekmarkaj do të ndalej në disa aspekte të shkrimit të Çelës, që nga ndërtimi i galerisë së personazheve, te kompozicioni i ndërlikuar, i cili është i ndryshëm dhe sfidues nga njëri tekst në tjetrin. Sipas Gjekmarkajt, duke e vendosur ngjarjen në një fshat të Fierit, në Shegan, Çela jo vetëm i bën nder këtij fshati, por zgjeron edhe gjeografinë letrare shqiptare. Por Gjekmarkaj vë re se ajo mund të ndodhte kudo, në Shqipëri dhe se është nga ato raste kur e vogla bëhet e madhe, bëhet universale. Duke iu referuar titullit të librit, por që mban edhe gjithë filozofinë e rrëfimit, studiuesi do të thoshte se djalli është komik, pushteti është komik, instikti, madje edhe kulti i injorancës.

“Në romanin e Zija Çelës, shoqëria shqiptare gjen sallën e kirurgjisë, por fatkeqësisht pacienti vdes në sallën e ‘Instagramit’”, u shpreh ai. Ndërsa shkrimtari Lazër Stani do të ndalej tek ai univers paralel që krijon Zija Çela dhe që nuk i bindet ligjësive të universit tonë, por që na çliron nga verbëria kolektive dhe sheh thellë e më thellë në raportin mes individit dhe shoqërisë. Sipas Stanit, duket sikur korpusi i krijimtarisë së Çelës është i plotësuar dhe se nuk ke se çfarë t’i heqësh e t’i shtosh, por çdo vepër e re duket sikur hedh farën për veprën e radhës.

zija celaaa

Duke u ndalur shkurtimisht në fabulën e veprës, Zija Çela nuk mund të mos ndalej pak te gjykimet që u dhanë për veprën e tij. “Kritikët dhe studiuesit duhet të sqarojnë lexuesin dhe të trazojnë shkrimtarin. T’ju them të drejtën, Agroni më futi në ca trazime, sepse asnjëra nga problematikat që ka nxjerrë ai nuk më ka shkuar ndër mend kur e kam shkruar, por me sa duket ato kanë marrë udhë përmes ngjarjesh”, do të thoshte Zija Çela, duke shpalosur kësisoj misterin e procesit të krijimit dhe të vetë letërsisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura