“Djalli” joshi “Zonjën e Vjetër” legjendat komentojnë akordin mes Milanit e Juves

Aug 2, 2018 | 22:25
SHPËRNDAJE

Shkëmbimi i arritur mes Juventusit dhe Milanit ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për përmasat e operacionit, por edhe për atë që lojtarët do t’u sjellin ekipeve përkatëse në aspektin e raportit cilësi-sasi. Në Milanon kuqezi priten gola nga Higuain, por edhe soliditet difensiv nga Kaldara, teksa Maks Alegri rigjen te Bonuçi regjisorin e prapavijës në gjendje të japë një kontribut të rëndësishëm edhe në nivel golash nga zhvillimet e goditjeve standarde. Pak pas zyrtarizimit të marrëveshjes në fjalë, disa ikona të futbollit italian, por jo vetëm, kanë folur për këtë shkëmbim lojtarësh mes Juventusit dhe Milanit.

caldara-bonucci-higuain_3yqm0uex6mac1fe0t00p7qa8n

Daniel Pasarela- “Kur mora drejtimin e Riverit në vitin 2006, vendosa të provoj të rinjtë premtues të klubit. Gonzalo luante pak më mbrapa dhe ishte një lloj numri 10, por bashkë me ndihmësin tim, Alehandro Sabeja, dalluam tek ai instinktin e numrit 9. Ishte vetëm 18 vjeç kur shënoi golin e parë, pastaj të dytin dhe nuk u ndal më. Me të Milani bën një blerje të shkëlqyer sepse Gonzalo ka një mentalitet fituesi, është një goleador i madh dhe jam i bindur se do të fitojë dhe me bluzën kuqezi. Po flasim për një nga bomberat më të mirë në botë, ndaj parashikoj një sfidë të bukur mes tij dhe Ronaldos. Unë besoj se Gonzalo do të shënojë më shumë sesa portugezi te Juvja”.

Beppe Bergomi- “Marrëveshja mes Juves dhe Milanit më duket shkëmbimi klasik ku secili klub plotëson nevojat. Bardhezinjtë janë aktualë dhe u duhet një mbrojtës si Bonuçi për të synuar Ligën e Kampioneve, ndërsa “Djalli” po ndërton të ardhmen duke i bashkangjitur Romanjolit një të ri në kërkim të afirmimit. Gatuzo do të ketë një 24 dhe një 24-vjeçar në qendër të mbrojtjes, janë të rinj, por jo fëmijë. Kaldarës do t’i duhet punë sepse të jesh shtyllë e Atalantës, është diçka krejt tjetër në krahasim me të qenurit i tillë te Milanit. Për Bonuçin nuk parashikoj vështirësi, sepse rikthehet në një realitet që i përket pas një sezoni me shumë ulje-ngritje të kuqezinjtë. Nëse për Kaldarën, Benatian, Kielinin, Barxalji dhe Rugani do të ishin konkurrentë, për Bonuçin bëhet fjalë për habitat të natyrshëm”.

Dino Zof- “Më habit rikthimi i Bonuçit. Në kohën time, nëse largoheshe nga Juventusi, nuk kishte shans të riktheheshe. Për atë që i jep ekipit, një rikthim i tillë është pozitiv. Nëse drejtuesit e realizuan këtë kalim, do të thotë që është vlerësuar çdo aspekt i çështjes. Nuk mund të them nëse Kaldara ishte gati për një ekip të madh, por mund të them se zgjedhjet e Juves kanë rezultuar shumë shpesh efikase dhe duhen respektuar. Sa i përket Higuainit, ai gjen te Milani një skuadër që do të besojë dhe mbështet te golat e tij. Gonzalo golat i ka shënuar gjithmonë, e do ta bëjë edhe te kuqezinjtë”.

Stefano Takoni- “E shoh si një marrëveshje të mirë këtë shkëmbim. Përvoja e Bonuçit do t’i hyjë shumë në punë Alegrit, sepse ai njeh mekanizmat dhe mund të përdoret pa i dhënë kohë ambientimi, siç do të ndodhte me Kaldarën, i cili mund të integrohet te kuqezinjtë pa shumë presion. Nëse Milani do të ketë durim, ai do t’ia shpërblejë, pasi cilësitë i ka. Për Higuain flasin shifrat, të frikshme… Jam kurioz se si do të zhvillohet loja e tij te Milani, por sidoqoftë është një sfidë interesante, për lojtarin dhe Gatuzon”.

Fulvio Kolovati- “Pa dyshim një operacion inteligjent për të dyja ekipet. Milani fiton një mbrojtës me shumë prespektivë, që së bashku me Romanjolin mund të formojë një dyshe të madhe mbrojtëse, ndërsa Bonuçi rikthehet të luftojë për Champions-in që me një fenomen si Ronaldo është më shumë se një objektiv. Higuain mund të vuajë disi vështirësitë e një grupi pa shumë përvojë dhe që nuk e njeh mirë, por siç e ka thënë edhe vetë lojtari, prania e mikut Lukas Biljas mund të lehtësojë dhe përshpejtojë ambientimin e tij”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura